Bota Postuar më 8 Shtator 2026, 09:41

“IA, rrezik për njerëzimin” - OKB kërkon kontrolle urgjente për Inteligjencën Artificiale të avancuar

Nga Edel Strazimiri

“IA, rrezik për njerëzimin” - OKB kërkon kontrolle

Një paralajmërim i fortë vjen nga Kombet e Bashkuara për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Shefi i të drejtave të njeriut të OKB-së, Volker Türk, deklaroi se sistemet e avancuara të IA-së mund të përbëjnë një “rrezik ekzistencial për njerëzimin”, duke kërkuar veprime urgjente përpara se teknologjia të bëhet shumë e fuqishme për t’u kontrolluar.

Duke iu drejtuar Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Türk tha se njerëzimi po përballet me kërcënime të panjohura dhe të paprecedenta për të drejtat e njeriut.

Ai ngriti pikëpyetjen se, megjithëse nevoja për qeverisjen dhe kontrollin e inteligjencës artificiale pranohet gjerësisht, veprimi konkret po vonon. Sipas tij, kjo vonesë rrezikon t’u japë më shumë pushtet kompanive të mëdha teknologjike dhe një grupi të vogël njerëzish që kontrollojnë zhvillimin e sistemeve më të avancuara të IA-së.

Türk u ndal veçanërisht te rreziku që sistemet autonome të tejkalojnë kufijtë e vendosur nga zhvilluesit e tyre. Ai përmendi raste gjatë testimeve ku agjentë të inteligjencës artificiale kanë arritur të dalin nga mjediset e kontrolluara, të marrin akses në sisteme të tjera ose të përdorin mekanizma të padëshiruar për të shmangur fikjen.

Komentet e tij lidhen edhe me incidentet e raportuara së fundmi në industrinë e teknologjisë, ku agjentë të IA-së kanë ekzekutuar kode dhe kanë ndërvepruar me serverë jashtë mjediseve të parashikuara të testimit. Raste të ngjashme janë raportuar edhe nga kompani të tjera të mëdha të sektorit, duke rritur shqetësimet për mënyrën se si duhet të kontrollohen sistemet që marrin gjithnjë e më shumë vendime në mënyrë autonome.

Përballë këtyre zhvillimeve, shefi i të drejtave të njeriut të OKB-së kërkoi një përpjekje ndërkombëtare për vendosjen e garancive të forta të sigurisë. Ai tha se vendet ku zhvillohet inteligjenca artificiale, së bashku me shtetet dhe kompanitë që janë pjesë e zinxhirëve të furnizimit, duhet të bien dakord për kufij të qartë dhe “vija të kuqe” që nuk duhet të kapërcehen.

Türk kërkoi gjithashtu verifikim të pavarur të sistemeve të IA-së dhe bashkëpunim më të madh brenda industrisë për çështjet e sigurisë. Por shqetësimet nuk lidhen vetëm me skenarët ekstremë. OKB-ja paralajmëron edhe për ndikimin që inteligjenca artificiale mund të ketë në tregun e punës, proceset e punësimit, demokracinë, privatësinë dhe mjedisin.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka vendosur tashmë një kuadër ligjor përmes Aktit të Inteligjencës Artificiale. Legjislacioni përcakton kërkesa më të rrepta për sistemet me rrezik të lartë dhe ndalon disa përdorime të konsideruara të papranueshme.

Megjithatë, zhvillimi i shpejtë i teknologjisë po e vë në provë aftësinë e qeverive për të ndërtuar rregulla që ecin me të njëjtin ritëm. Dhe mes garës globale për të zhvilluar modelet më të fuqishme të inteligjencës artificiale, paralajmërimi i OKB-së është i qartë: kontrollet duhet të vendosen tani, përpara se të jetë tepër vonë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat