Shqipëria Postuar më 7 Shtator 2026, 12:11

Ku po hapen më shumë biznese? - Nga 6039 në Tiranë, te vetëm 78 në Kukës. Harta e sipërmarrjeve të reja

Nga Diamila Leka

Ku po hapen më shumë biznese? - Nga 6039 në Tiranë, te

Janë mbi 11 mijë biznese të reja të regjistruara në Shqipëri gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, por harta e sipërmarrjes tregon një përqendrim të fortë në vetëm disa qarqe.

Tirana është padiskutim qendra kryesore e aktivitetit të ri ekonomik. Vetëm në kryeqytet, nga janari deri në qershor, janë hapur 6 mijë e 39 biznese, që përbëjnë 52.2% të totalit. Pra, më shumë se gjysma e bizneseve të reja në vend janë regjistruar në Tiranë.

Pas kryeqytetit, renditet Vlora, me 1 mijë e 347 biznese të reja, ose 11.6% të totalit, ndërsa Durrësi numëron 1 mijë e 310 biznese, duke zënë 11.3%. Këto shifra tregojnë se aktiviteti i ri sipërmarrës është i përqendruar kryesisht në zonat me popullsi më të lartë, aktivitet ekonomik dhe turizëm.

Në qarqet e tjera, ritmet janë dukshëm më të ulëta. Fieri ka regjistruar 600 biznese të reja, ose 5.2%, ndërsa Lezha 489, duke zënë 4.2% të totalit. Elbasani dhe Shkodra kanë pothuajse të njëjtin nivel, me përkatësisht 452 dhe 447 biznese të reja, ose 3.9% secili.

Korça numëron 329 biznese, që përbëjnë 2.8% të totalit, ndërsa Berati 225, ose 1.9%. Në fund të renditjes janë qarqet me një peshë shumë më të vogël në hapjen e bizneseve.

Gjirokastra ka regjistruar 136 biznese të reja, Dibra 115, ndërsa Kukësi vetëm 78, ose 0.7% të totalit. Nëse shifrat shihen në tërësi, rezulton se bizneset e reja nuk shpërndahen në mënyrë të njëtrajtshme në territor. Tirana, Vlora dhe Durrësi së bashku përfaqësojnë rreth tre të katërtat e të gjitha bizneseve të reja të hapura në gjashtë muaj. Kjo e vendos sërish në fokus një prej sfidave të ekonomisë shqiptare: rritja e sipërmarrjes, por edhe përqendrimi i saj në disa qendra të vendit.

Ndërsa kryeqyteti dhe zonat turistike vazhdojnë të tërheqin pjesën më të madhe të aktivitetit të ri, qarqet e tjera mbeten me një peshë shumë më të vogël në hartën e sipërmarrjes.

Shqipëria 7 Shtator Edel Strazimiri

Java nis negativisht për valutat e huaja

Dollari amerikan e ka nisur negativisht këtë javë duke regjistruar sërish zbritje të vlerës krahasuar me javën që lamë pas teksa është blerë këtë mëngjes me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat