Shqipëria Postuar më 7 Shtator 2026, 12:12

9.7 mln euro për bebet/ 7-mujori, rritje në raport me një vit më parë

Nga Elisabeta Dosku

9.7 mln euro për bebet/ 7-mujori, rritje në raport me një vit

Në 7 muajt e parë të vitit, buxheti i shtetit ka shpërndarë 900 milionë lekë, apo 9.7 milionë euro për bebet e lindura gjatë kësaj periudhe.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në Janar-Korrik,  ka një rritje të fondit të disbursuar për nxitjen e lindshmërisë,  me rreth 3.2 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, megjithatë, rënie me 6.9 % në raport me planin.

Megjithatë, nëse do të shikojmë se si ka qenë ecuria e disbursimit për të njëjtën periudhë në raport me vitet e mëparshme, vihet re një rënie drastike në 7 mujor, përgjatë viteve 2019-2024,ku disbursimet varionin nga 1.1 miliardë lekë deri në 1.7 miliardë lekë.

Këto shifra lidhen edhe me trendin rënës të lindshmërisë së popullsisë çka po e çon vendin drejt plakjes me ritme të shpejta.

Gjë që konfirmohet edhe nga të dhënat e INSTAT.  Sipas të dhënave zyrtare në 6 muajt e parë të 2026-ës, kanë ardhur në jetë 10,229 fëmijë, nga 10,337 që ishin në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, apo 108 fëmijë më pak.

Kjo tendencë do të vijojë gjithashtu të japë një goditje edhe më të madhe në tregun e punës, skemën e pensioneve si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Bonusi i lindjes është vendosur në formën e ndihmës së menjëhershme financiare për prindërit me foshnja të porsalindura që nga viti 2019.  Ndihma e dhënë është në masën 40 mijë lekë për lindjen e foshnjës së parë; 80 mijë lekë për lindjen e foshnjës së dytë; në masën 120 mijë lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim.

Për prindërit që sjellin në jetë binjakë, masa e përfitimit është masën 80 mijë lekë për secilën foshnjë dje  për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh masa e përfitimit është  120 mijë lekë për secilën foshnjë.

Bonusi përfitohet menjëherë pasi prindërit e regjistrojnë të porsalindurin në gjendjen civile për të gjitha familjet që bëhen me fëmijë, pavarësisht statusit social-ekonomik. 

Fëmijët e lindur jashtë vendit janë të përjashtuar nga e drejta për ta përfituar atë.  Përgjatë këtij viti fondi total është parashikuar rreth 2.3 miliardë lekë. Ndërkohë qeveria pritet të hartojë një paketë të re, nga e cila ende nuk ka detaje.

Shqipëria 7 Shtator Edel Strazimiri

Java nis negativisht për valutat e huaja

Dollari amerikan e ka nisur negativisht këtë javë duke regjistruar sërish zbritje të vlerës krahasuar me javën që lamë pas teksa është blerë këtë mëngjes me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat