Amerika Postuar më 20 Gusht 2025, 10:43

Shtëpia e Bardhë hap llogari zyrtare në TikTok - Administrata Trump zgjeron komunikimin përmes platformës kineze

Nga Kristi Ceta

Shtëpia e Bardhë hap llogari zyrtare në TikTok - Administrata

Shtëpia e Bardhë hapi zyrtarisht një llogari në TikTok, duke synuar të shfrytëzojë më shumë se 150 milionë përdorues amerikanë të aplikacionit për të përhapur mesazhet e presidentit Donald Trump.

Lideri amerikan ka shprehur simpati për këtë aplikacion popullor, duke e vlerësuar mbështetjen e votuesve të rinj gjatë fitores së tij kundër demokrates Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024.

Vlerësime të mëparshme të inteligjencës kanë paralajmëruar se pronarët e aplikacionit janë të ndikuar nga qeveria kineze dhe se TikTok mund të përdoret për të ndikuar amerikanët.

“Administrata Trump është e përkushtuar të komunikojë sukseset historike që Presidenti Trump ka sjellë për popullin amerikan në sa më shumë platforma dhe për audienca sa më të gjera,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ndërsa llogaria u bë aktive. “Mesazhi i Presidentit Trump dominoi TikTok gjatë fushatës presidenciale. Ne jemi të entuziazmuar ta çojmë më tej këtë sukses dhe të komunikojmë ashtu si asnjë administratë tjetër më parë,” shtoi ajo.

Llogaria, me emrin @whitehouse, nisi aktivitetin të martën në mbrëmje dhe synon të komunikojë politikat e presidentit, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Ky hap shihet si një ndryshim i rëndësishëm në strategjinë e komunikimit të qeverisë amerikane, megjithëse mundësia e TikTok për t’u përdorur si mjet ndikimi politik mbetet një shqetësim i vazhdueshëm.

Një ligj i vitit 2024 kërkonte që TikTok të ndalonte operimin deri më 19 janar të këtij viti, nëse ByteDance nuk do të kishte shitur asetet e aplikacionit në SHBA. Trump vendosi të mos e zbatonte ligjin pasi filloi mandatin e tij të dytë si president më 20 janar. Ai së pari e zgjati afatin deri në fillim të prillit, më pas deri më 19 qershor dhe përsëri deri më 17 shtator. Këto zvarritje kanë tërhequr kritika nga disa ligjvënës, të cilët argumentojnë se administrata Trump po e shkel ligjin dhe po injoron shqetësimet e sigurisë kombëtare në lidhje me kontrollin kinez mbi TikTok.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat