Shqipëria Postuar më 19 Gusht 2025, 13:05

“Tregu bankar, me potencial zhvillimi” - Bankat mëmë në Evropë: Shqipëria, shumë fitimprurëse. Është përmirësuar cilësia e kredisë

Nga Ledina Elezi

“Tregu bankar, me potencial zhvillimi” - Bankat mëmë

Tregu bankar në Shqipëri mbart shumë potencial për zhvillim. Sipas një pyetësori të Bankës Evropiane të Investimeve, 75% e grupeve bankare të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, e konsiderojnë potencialin e tregut bankar të Shqipërisë si të mesëm dhe 25% si të lartë. Shumica e bankave me kapital të huaj në Shqipëri raportojnë fitimprurje më të lartë krahasuar me bankën mëmë, që është një përmirësim i ndjeshëm në krahasim me periudhën e mëparshme. 

Pjesa më e madhe e grupeve ndërkombëtare bankare janë shprehur se kanë pasur fitim më të lartë ose të barabartë për operacionet në Shqipëri krahasuar me operacionet e përgjithshme të grupit. Ky është një përmirësim i rëndësishëm në krahasim me raundin e mëparshëm të anketës.

Për sa i përket kërkesës për kredi nga qytetarët shqiptarë, ajo ka pasur një rritje të fortë në gjysmën e parë të këtij viti, duke tejkaluar edhe mesataren rajonale. Megjithatë, kjo kërkesë pritet që të jetë më pak “agresive” në gjysmën e dytë të 2025. Nga ana tjetër,  kushtet e ofertës për kredi, të cilat tregojnë gatishmërinë e bankave për t'u dhënë kredi klientëve të tyre, nuk kanë ndryshuar dhe pritet të mbeten të tilla, në përputhje me prirjen rajonale.

Të gjitha segmentet e kredise kanë regjistruar një përmirësim, përveç kredive në valutë të huaj, të cilat mbetën të pandryshuara.

Për sa i përket huave me probleme, Banka Evropiane e Investimeve shprehet se cilësia e kredisë është përmirësuar gjatë gjashtë muajve të fundit dhe parashikohet të mbetet e pandryshuar në vijim. Shumica e faktorëve ndërkombëtarë po kontribuojnë negativisht në ofertën e kredisë, ndërsa midis faktorëve vendas, shifrat e kredive me probleme dhe perspektiva e bankave po kontribuojnë pozitivisht.

Në Shqipëri, qasja në financim ka mbetur pozitive dhe pritet të vazhdojë të përmirësohet në gjashtëmujorin e ardhshëm.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat