Bota Postuar më 9 Maj 2023, 10:03

CEO i Google, 226 milionë dollarë fitim vjetor - Kompania vijon të reduktojë stafin dhe shpenzimet

Nga SCAN TV
CEO i Google, 226 milionë dollarë fitim vjetor - Kompania vijon

Gjigandi i teknologjisë Google po shpërblen shefin e tij ekzekutiv, Sadar Pichai, me një pagë të lartë, në një kohë që vijon me reduktimet e vendeve të punës për të kursyer kostot. Me të ardhurat e vitit të kaluar, Pichai konsiderohet si një nga më të paguarit në pozicionin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe javën e kaluar kompania e tij njoftoi miratimin e një programi për të riblerë aksionet e veta me vlerë 70 miliardë dollarë, duke shkaktuar një situatë alarmi tek stafi. Ndërkohë Alphabet, kompania mëmë e Google, ka ulur në mënyrë agresive kostot, duke përfshirë shkurtimin e 12 mijë vendeve të punës, si  reagim ndaj ngadalësimit të rritjes së të ardhurave.

Kjo situatë ka zemëruar punonjësit e Google. Për disa ditë pasi u publikuan të ardhurat vjetore të CEO, platformat e brendshme të Google kanë qenë të mbushura me mesazhe dhe "meme" kundër tij. Nëpërmjet tyre punonjësit e kritikojnë për fryrjen e pagave, ndërsa në sektorë të tjera nxiton të shkurtojë kostot, siç raporton rrjeti amerikan i lajmeve CNBC. Disa zyrtarë kritikuan gjithashtu blerjen e aksioneve.

Regjistrimet e lidhura me Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim të SHBA-së treguan se Sadar Pichai mori një total prej 226 milionë dollarë vitin e kaluar, kryesisht përmes një bonusi në para prej 218 milionë dollarësh që ai merr çdo tre vjet. Herën e fundit që ai mori një bonus të ngjashëm në vitin 2019 ishte prej 276.6 milionë dollarësh dhe kompensimi total ishte 280.6 milionë dollarë. Paketa e tij e pagave për vitin 2022 përfshinte afro 6 milionë dollarë sigurim personal dhe një pagë bazë prej 2 milionë dollarë. Në vitin 2021, CEO i Google u pagua gjithsej 63 milionë dollarë.

Në komentet që qarkullonin në platformat e brendshme, Pichai krahasohej me kolegët si Tim Cook i Apple, i cili në janar mori një ulje prej më shumë se 40% të kompensimit të tij total -- një objektiv i vitit 2022. Dhe kreu i platformës së takimeve Zoom, Eric Yuan tha se paga e tij po shkurtohet me 98% dhe ai nuk do të marrë bonus pasi kompania shkurtoi 1300 vende pune.

Pichai është sulmuar edhe herë të tjera, si në janar, kur tha se mori "përgjegjësinë e plotë" për kushtet që çuan në pushime nga puna në të gjithë kompaninë. Punonjësit e pyetën se pse drejtuesit iu nënshtruan shkurtimeve të pagave pasi ai mori detyrën, dhe ai u përgjigj duke thënë se drejtuesit e lartë të Google kishin vendosur "ulje të konsiderueshme në bonuset e tyre" dhe se ai kishte hequr dorë nga të tijat.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat