Europa Postuar më 28 October 2026, 11:39

Britania shtrëngon buxhetin - Londra synon të lehtësojë kostot për familjet pa tronditur tregjet financiare

Nga Edel Strazimiri

Britania shtrëngon buxhetin - Londra synon të lehtësojë

Ministri britanik i Financave, John Healey, pritet të prezantojë një buxhet të kujdesshëm, mes presionit nga rritja e kostove të energjisë dhe shqetësimeve për borxhin publik. Qeveria synon të mbështesë familjet me të ardhura të ulëta dhe të ngrijë taksën mbi karburantet, pa rritur ndjeshëm huamarrjen.

Për të financuar masat, pritet të rriten taksat për bankat, kompanitë e basteve dhe platformat e tregtisë online, përfshirë Amazon dhe Temu. Paralelisht, qeveria synon të lehtësojë barrën e faturave të energjisë për familjet më të prekura nga shtrenjtimi i shkaktuar prej luftës me Iranin.

Një tjetër objektiv është nxitja e investimeve në inteligjencën artificiale, mbrojtje dhe energji të gjelbër. Mbi 20 miliardë paund mbështetje shtesë pritet t'u vihen në dispozicion institucioneve financiare shtetërore për të nxitur investimet deri në fillim të viteve 2030.

Megjithatë, hapësira për manovrim është e kufizuar nga rritja e kostove të huamarrjes. Britania regjistroi normën më të lartë të interesit për obligacionet pesëvjeçare që nga viti 2008, duke shtuar presionin mbi financat publike dhe duke e bërë më të vështirë financimin e shpenzimeve të reja.

Qeveria synon gjithashtu të ulë barrën administrative për bizneset, me një kursim të parashikuar prej 800 milionë paundësh në vit. Ndërkohë, parashikimet tregojnë se hapësira financiare për përmbushjen e objektivave fiskalë mund të ngushtohet në 15 miliardë paund, nga 24 miliardë në mars.

Një masë tjetër parashikon heqjen e tarifave fikse ditore në faturat e gazit, duke lidhur pagesën më drejtpërdrejt me konsumin. Kjo pritet të lehtësojë shpenzimet për familjet që përdorin më pak gaz.

Qeveria britanike përpiqet të ruajë ekuilibrin mes mbështetjes për qytetarët dhe besimit të investitorëve, ndërsa lufta me Iranin shton presionin inflacionist. Një ulje e kostove të energjisë do të ndihmonte edhe në frenimin e shpenzimeve për shërbimin e borxhit publik, që arrin rreth 3 trilionë paund.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat