Shqipëria Postuar më 20 October 2026, 13:10

Sa është fatura e dëmeve? - SCAN siguron shifrat paraprake

Nga Elisabeta Dosku

Sa është fatura e dëmeve? - SCAN siguron shifrat paraprake

Protestat e ditëve të fundit kanë lënë pas edhe një faturë ekonomike për bizneset. Nga dëmtimet e ambienteve tregtare te humbjet materiale, bilanci paraprak tregon se dhjetëra sipërmarrje janë prekur, ndërsa vlera përfundimtare e dëmeve mbetet ende për t'u përcaktuar.

Rreth 80 subjekte biznesi rezultojnë deri më tani të dëmtuara, sipas të dhënave të Administratës Tatimore, të siguruara nga SCAN. Bëhet fjalë për dëme të evidentuara nga kontrollet në terren dhe raportimet e kryera përmes portalit elektronik “Dëmi im”.

Por përtej numrit të bizneseve të prekura, të dhënat e deritanishme tregojnë edhe për dëme të konsiderueshme financiare. Në raste të veçanta, vlera e dëmit për një subjekt arrin deri në 12 milionë lekë, ose rreth 120 mijë euro. Kjo shifër nuk përfaqëson faturën totale të dëmeve, e cila ende nuk është përllogaritur.

Për të evidentuar përmasat e dëmtimeve, Administrata Tatimore ka angazhuar 10 ekipe të posaçme verifikimi, të cilat po punojnë në terren për identifikimin e subjekteve të prekura dhe dokumentimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave.

Paralelisht, bizneset kanë mundësi të raportojnë dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im” në platformën e-Albania. Përmes këtij shërbimi, subjektet tregtare mund të deklarojnë dëmtimet e pësuara në ambientet e tyre, duke plotësuar të dhënat përkatëse dhe duke dorëzuar dokumentacionin që provon dëmin.

Megjithatë, fatura ekonomike e protestave mbetet ende e hapur. Numri prej rreth 80 subjektesh është paraprak dhe mund të rritet me vijimin e verifikimeve dhe raportimeve të reja.

Vetëm pas përfundimit të procesit të evidentimit dhe vlerësimit nga Administrata Tatimore do të mund të përcaktohet vlera totale e dëmeve materiale të shkaktuara ndaj bizneseve.

Ndërkohë, përtej dëmtimeve fizike, mbetet për t'u vlerësuar edhe ndikimi i protestave në aktivitetin ekonomik, përfshirë ndërprerjen e përkohshme të punës, xhiron e munguar dhe kostot shtesë që mund të kenë përballuar sipërmarrjet.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat