Shqipëria Postuar më 18 September 2026, 11:16

BB: Rekord kapitali privat - Mbi 200 mld USD financim për ekonomitë në zhvillim

Nga Diamila Leka

WORLD BANK BB

Grupi i Bankës Botërore ka mobilizuar një nivel rekord të kapitalit privat për ekonomitë në zhvillim, duke e çuar këtë tregues në 112 miliardë dollarë gjatë vitit fiskal 2026. Shifra është më shumë se trefishi i nivelit të regjistruar katër vite më parë, kur kapitali privat i mobilizuar ishte rreth 35 miliardë dollarë. Së bashku me financimin e vetë Grupit të Bankës Botërore, vlera totale e financimit dhe kapitalit të mobilizuar për ekonomitë në zhvillim ka kaluar 200 miliardë dollarë.

Rritja është e dukshme edhe sipas nivelit të të ardhurave të vendeve. Në ekonomitë me të ardhura të mesme të ulëta, kapitali privat i mobilizuar u rrit nga 14 në 37 miliardë dollarë, ndërsa në vendet me të ardhura të mesme të larta, nga 12 në 50 miliardë dollarë. Edhe Afrika ka shënuar një rritje të ndjeshme, me kapitalin privat të mobilizuar që është zgjeruar nga rreth 9 miliardë në 22 miliardë dollarë.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj strategjie janë garancitë. Vetëm gjatë vitit fiskal 2026, Grupi i Bankës Botërore ofroi mbi 25 miliardë dollarë garanci, duke tejkaluar objektivin prej 20 miliardë dollarësh në vit, i cili ishte parashikuar të arrihej deri në vitin 2030. Sipas presidentit të Grupit të Bankës Botërore, Ajay Banga, fokusi tashmë është që ky kapital të kanalizohet drejt sektorëve dhe ekonomive ku mund të krijojë mundësi të reja dhe vende pune.

Dhe nevoja për vende të reja pune është e madhe. Sipas Bankës Botërore, rreth 1.2 miliardë të rinj në ekonomitë në zhvillim pritet të arrijnë moshën e punës gjatë 10 deri në 15 viteve të ardhshme, ndërsa parashikohet të krijohen vetëm rreth 420 milionë vende pune. Në këtë kontekst, sektori privat mbetet kyç, pasi krijon rreth 9 në 10 vende pune në ekonomitë në zhvillim. Strategjia e Bankës Botërore përqendrohet në infrastrukturën dhe energjinë, agrobiznesin, shëndetësinë, turizmin dhe industrinë përpunuese me vlerë të shtuar. Gjatë vitit fiskal 2026, 55% e financimit total, nga burimet e Grupit dhe kapitali i mobilizuar, u orientua drejt këtyre sektorëve me potencial të lartë për punësim.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat