Shqipëria Postuar më 14 September 2026, 17:35

Bashkëpunim ekonomik dhe investime, Presidenti Begaj vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe

Nga Scan TV

284a9b20-099e-414c-a1cd-bb8586630eb3.jpg

Bashkëpunim ekonomik dhe më shumë investime. Këto ishin shtyllat kryesore të diskutimeve që Presidenti Begaj pati me krerët më të lartë të shtetit në Abu Dhabi. Begaj, zhvilloi për herë të parë një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Presidenti i Republikës u prit nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartësia e Tij Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për solidaritetin dhe miqësinë e treguar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në momente të vështira, veçanërisht gjatë luftës në Kosovë, pas tërmetit të vitit 2019 dhe pas sulmit kibernetik të vitit 2022.

Në takim u shpreh vullneti i përbashkët për të avancuar më tej axhendën e bashkëpunimit të fortë dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve, si dhe për të shfrytëzuar potencialet reale për zgjerimin e tij në fusha me interes të ndërsjellë.

Presidenti Begaj theksoi se lidhjet politike, ekonomike dhe njerëzore ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të forcohen më tej, veçanërisht me hapjen e Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Tiranë.

Bashkëpunimi ekonomik dhe investimet përbënin një nga shtyllat kryesore të diskutimeve. Duke vlerësuar forcimin e këtij partneriteti, Presidenti Begaj u shpreh për zgjerimin e investimeve dypalëshe dhe për një angazhim edhe më të madh të investitorëve emiratas në Shqipëri, veçanërisht në infrastrukturë, energji, inovacion, turizëm dhe sektorë të tjerë strategjikë.

Presidentët e dy vendeve diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin shumëpalësh dhe sfidat ndërkombëtare, ku Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndajnë prioritete të përbashkëta për paqen, sigurinë dhe zhvillimin.

Gjatë vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Presidenti Begaj zhvilloi gjithashtu takime me Lartësinë e Tij Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princ i Kurorës së Abu Dhabit, si dhe me Lartësinë e Tij Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, Zëvendëspresident i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kryetar i Gjykatës Presidenciale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat