Shqipëria Postuar më 14 September 2026, 11:23

Më pak investime jashtë - BSH: Rreth 80 milionë euro u kanalizuan drejt bizneseve dhe kompanive të huaja

Nga Ledina Elezi

Kapitali që del nga Shqipëria për t’u investuar jashtë vendit ka arritur në dhjetëra milionë euro gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet direkte të rezidentëve shqiptarë jashtë vendit u vlerësuan në rreth 80 milionë euro, por në krahasim me një vit më parë kjo shifër ka shënuar një rënie prej rreth 11%.

Me investime direkte nënkuptohen, në mënyrë të thjeshtë, paratë që subjekte me aktivitet ekonomik në Shqipëri vendosin në biznese, apo kompani jashtë vendit. Pra, bëhet fjalë për kapital që mund të përdoret për të hapur apo zgjeruar një aktivitet, për të marrë pjesë në një kompani të huaj apo për të financuar një biznes jashtë Shqipërisë.

Por paratë që rezidentët shqiptarë vendosin jashtë vendit nuk kufizohen vetëm te bizneset. Investimet në letra me vlerë kanë regjistruar një fluks neto daljeje prej 32 milionë eurosh. Kjo kategori përfshin, ndër të tjera, investime në obligacione apo letra të tjera borxhi të emetuara jashtë Shqipërisë.

Të dhënat tregojnë se një pjesë e rëndësishme e këtyre lëvizjeve lidhet me sektorin bankar. Vetëm Korporatat Depozituese, ku përfshihen bankat, kanë rritur me rreth 156 milionë euro zotërimet në letra me vlerë të borxhit të emetuara jashtë vendit. Pra, nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht për qytetarë që blejnë individualisht aksione apo obligacione jashtë vendit, por në një pjesë të konsiderueshme për institucione financiare shqiptare që investojnë paratë e tyre në tregjet e huaja.

Ndërkohë, investimet e tjera kanë regjistruar një dalje neto prej 19 milionë eurosh, e lidhur kryesisht me rritjen e kërkesave ndaj subjekteve jashtë vendit në formën e huave dhe instrumenteve të tjera financiare.

Në total, këto të dhëna tregojnë se gjatë tremujorit të dytë ekonomia shqiptare ka vazhduar të kanalizojë kapital edhe drejt ekonomive të tjera, përmes bizneseve, bankave dhe instrumenteve financiare. Megjithatë, investimet direkte jashtë vendit, ato që lidhen më drejtpërdrejt me krijimin apo pjesëmarrjen në biznese jashtë Shqipërisë, kanë qenë më të ulëta se një vit më parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat