Analiza Postuar më 14 September 2026, 11:03

Arsimi, faturë 277 mln euro/ Shërbimet zënë rreth 3.3% të buxhetit të familjeve

Nga Xhorxhina Deda

xhorxhina deda.png

Dita e parë e shkollës rikthen vëmendjen jo vetëm te bankat, librat dhe nxënësit, por edhe te fatura që arsimi përfaqëson për familjet shqiptare. “Scan Intel” ka analizuar të dhënat e Anketës së Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare për të përllogaritur faturën që arsimi përfaqëson në buxhetin e familjeve shqiptare.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2024 një familje shqiptare, e përbërë mesatarisht nga 3.1 persona, shpenzoi për konsum rreth 93 mijë lekë në muaj. Në strukturën e këtyre shpenzimeve, zëri “Arsim” përbën 3.3% të totalit. Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se rreth 3 mijë lekë në muaj nga buxheti i një familjeje shkojnë për këtë zë.

Po sa bëhet kjo shumë gjatë gjithë vitit?

Duke shumëzuar shpenzimin mujor me 12 muaj, rezulton se një familje shqiptare shpenzon mesatarisht rreth 36.8 mijë lekë në vit për arsim. Nëse marrim në konsideratë rreth 756 mijë familje, sipas rezultateve të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, fatura bëhet shumë më e madhe.

Sipas përllogaritjeve të “Scan Intel”, familjet shqiptare shpenzojnë në total rreth 27.9 miliardë lekë në vit për arsim. Me një kurs mesatar këmbimi prej 100.7 lekësh për euro gjatë vitit 2024, kjo shumë përkthehet në rreth 277 milionë euro mesatarisht.

Arsimi zë një peshë më të madhe në Shqipëri se në BE

Të dhënat bëhen edhe më interesante nëse pesha e arsimit në buxhetin e familjeve shqiptare vendoset përballë mesatares së Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, në vitin 2024 shërbimet e arsimit përbënin 0.9% të totalit të shpenzimeve të familjeve në Bashkimin Europian. Në Shqipëri kjo peshë rezulton 3.3%, ose rreth 3.7 herë më e lartë.

Kjo nuk do të thotë se familjet shqiptare shpenzojnë më shumë para në vlerë absolute sesa familjet europiane, por treguesi paraqet se arsimi zë një pjesë dukshëm më të madhe të buxhetit familjar në Shqipëri.

Duhet pasur parasysh gjithashtu se zëri “Arsim” në klasifikimin e INSTAT përfshin vetëm shërbimet e arsimit, nga arsimi parashkollor dhe fillor, te arsimi i mesëm, i lartë dhe kurset. 

Pra, në këtë shumë nuk përfshihet e gjithë fatura që familjet përballojnë me nisjen e shkollës, pasi shpenzime si veshjet, këpucët apo produkte të tjera llogariten në kategori të veçanta të konsumit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat