Europa Postuar më 14 September 2026, 10:08

Ekonomitë më të forta të BE - Portugalia kryeson punësimin, ndërsa Irlanda rritjen e PBB

Nga Edel Strazimiri

Portugalia po renditet ndër ekonomitë më dinamike të Bashkimit Europian, veçanërisht sa i përket punësimit. Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se vendi regjistroi rritjen më të madhe të punësimit në BE, në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Punësimi në Portugali u rrit me 1% gjatë kësaj periudhe, duke e renditur në vendin e parë mes 27 vendeve anëtare. Pas saj u renditën Republika Çeke dhe Malta, me një rritje prej 0.9%.

Në total, punësimi në Bashkimin Europian u rrit me 0.1% në tremujorin e dytë, ndërsa rreth 221.4 milionë persona ishin të punësuar në BE.

Por Portugalia nuk është ekonomia me rritjen më të madhe në Europë. Sipas Eurostat, ekonomia e BE-së u zgjerua me 0.7% në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin paraardhës.

Irlanda kryesoi bindshëm, me një rritje prej 10.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, kjo shifër ndikohet ndjeshëm nga aktiviteti i kompanive shumëkombëshe, veçanërisht në sektorët e teknologjisë dhe industrisë farmaceutike, ndaj ekonomistët e konsiderojnë një tregues jo plotësisht të besueshëm për të matur performancën e ekonomisë së vendit.

Pas Irlandës u renditën Sllovenia me 1.8% dhe Lituania me 1.7%. Portugalia u pozicionua në vendin e shtatë, së bashku me Qipron, me rritje ekonomike prej 0.8%.

Në anën tjetër, Austria ishte i vetmi vend i BE-së që shënoi tkurrje ekonomike gjatë kësaj periudhe, me një rënie prej 0.1%.

Të dhënat tregojnë se pretendimi i kryeministrit portugez Luís Montenegro se Portugalia ka performancën më të mirë të punësimit qëndron, por pretendimi se ekonomia portugeze është më e mira në Europë nuk konfirmohet nga shifrat e Eurostat.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat