Bota Postuar më 14 September 2026, 10:06

Nafta, sërish mbi 100 Usd - Sulmet në Arabinë Saudite dhe anijet në Gjirin Persik rrisin frikën për furnizimet 

Nga Edel Strazimiri

Çmimet e naftës u rritën me më shumë se 2% të hënën, pas sulmeve të reja ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile në Arabinë Saudite, si dhe goditjeve ndaj anijeve në Gjirin Persik.

Nafta Brent u rrit me 2.02%, duke arritur në 106.72 dollarë për fuçi, ndërsa WTI u ngjit me 2.1%, në 102.15 dollarë.

Rritja vjen pasi një sulm me dron detyroi Arabinë Saudite të mbyllë përkohësisht tubacionin East-West, një prej rrugëve kryesore që përdoret për të transportuar naftën drejt porteve dhe për të shmangur Ngushticën e Hormuzit.

Sipas burimeve të industrisë, porti i Yanbu-së ka rezerva të mjaftueshme vetëm për 5 deri në 7 ditë eksporte, nëse tubacioni mbetet jashtë funksionit. Tubacioni transporton një sasi që mund të përfaqësojë deri në 4% të furnizimit global të naftës.

Ndërkohë, tensionet janë përshkallëzuar edhe në Ngushticën e Hormuzit. Një anije u godit nga një predhë, duke shkaktuar zjarr dhe evakuimin e ekuipazhit. Autoritetet iraniane raportuan gjithashtu viktima dhe të plagosur pas goditjes së një anijeje tregtare pranë brigjeve të Iranit.

Shqetësimet për furnizimet janë shtuar edhe nga lëvizjet e Huthi në Jemen, të cilët kanë forcuar praninë pranë një tjetër rruge të rëndësishme detare për transportin e naftës.

Vetëm javën e kaluar, çmimi i naftës u rrit me rreth 8%, duke kaluar për herë të parë që nga korriku mbi nivelin e 100 dollarëve për fuçi.

Nëse sulmet vazhdojnë dhe rrugët kryesore të transportit mbeten të rrezikuara, tregjet paralajmërojnë për presion të mëtejshëm mbi çmimet e naftës dhe kostot e energjisë në mbarë botën.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat