Shqipëria Postuar më 14 September 2026, 10:46

Konflikti për pronën - ERE: Energjia, jo mjet presioni në konfliktet civile

Nga SCAN TV

Një konflikt për pronën, qiranë apo përdorimin e një apartamenti nuk duhet të përfundojë me ndërprerjen e energjisë elektrike.

Ky është qëndrimi i Bordit të Entit Rregullator të Energjisë, pas shqyrtimit të një kërkese të Furnizuesit të Shërbimit Universal lidhur me mënyrën se si duhet të trajtohen raste të tilla.

Problemi shfaqet kryesisht kur kontrata e furnizimit me energji është në emër të një personi, ndërsa banesa apo objekti përdoret ose posedohet nga një person tjetër. Nëse mes palëve lind një konflikt civil, për shembull për pronësinë, qiranë apo të drejtën e përdorimit të objektit, ndërprerja e energjisë nuk duhet të shërbejë si instrument për zgjidhjen e tij.

Sipas vlerësimit të Bordit të ERE-s, nw mbledhjen e 11 shtatorit,  kompanitë e licencuara të energjisë duhet të ruajnë neutralitetin në këto mosmarrëveshje dhe të mos pozicionohen në favor të njërës prej palëve.

Kjo do të thotë se vetëm fakti që një person është titullar i kontratës së energjisë nuk duhet ta kthejë automatikisht ndërprerjen e furnizimit në një mjet presioni ndaj personit që përdor ose posedon objektin.

Për t'i dhënë zgjidhje situatave të tilla, Bordi ka kërkuar hartimin e një procedure të unifikuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Procedura pritet të përcaktojë mënyrën se si do të veprohet kur titullari i kontratës dhe përdoruesi apo poseduesi i objektit janë persona të ndryshëm dhe mes tyre ekziston një mosmarrëveshje civile.

Në këtë fazë nuk bëhet ende fjalë për një procedurë të re të miratuar, por për kërkesën e ERE-s që të hartohen rregulla të njëjta për trajtimin e këtyre rasteve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat