Shqipëria Postuar më 14 September 2026, 11:02

“Të zgjedhim presidentin” - Kurti kërkon kompromis politik dhe kundërshton rikthimin në zgjedhje

Nga Edel Strazimiri
“Të zgjedhim presidentin” - Kurti kërkon kompromis politik


Pas zhvillimeve të djeshme politike në Kosovë, çështja e zgjedhjes së presidentit mbetet ende pa zgjidhje. Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të gjejnë një kompromis, duke argumentuar se vendi nuk duhet të rikthehet në zgjedhje.

Në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, Kurti tha se Kosova tashmë ka Kuvend të konstituar dhe Qeveri të zgjedhur, ndërsa zgjedhja e presidentit është çështja që duhet të përmbyllë procesin e formimit të institucioneve.

Ai iu referua marrëveshjes politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për president, duke shprehur shqetësim për qëndrimin e disa deputetëve të LDK-së që, sipas tij, nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen.

“Jemi kaq afër zgjidhjes për presidentin saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Le ta zgjidhim çështjen e presidentit dhe t’i japim vendit tonë institucionin që i takon”, u shpreh Kryeministri.

Kurti kujtoi se Kosova ka kaluar më herët nëpër dy procese zgjedhore të njëpasnjëshme, të cilat, sipas tij, kanë qenë të kushtueshme dhe nuk kanë sjellë një ndryshim të ri politik. Për këtë arsye, ai e konsideron një tjetër proces zgjedhor si të panevojshëm.

Kryeministri tha gjithashtu se Vetëvendosje ka treguar gatishmëri për kompromis gjatë konstituimit të Kuvendit, duke pranuar kandidaturat e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë, pavarësisht rezervave që kishte për to.

Në fund, Kurti u bëri thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të rikthehen te dialogu dhe të gjejnë një zgjidhje për presidentin, në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund të vijojnë punën pa një tjetër krizë politike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat