Shqipëria Postuar më 28 October 2026, 12:55

Arsimi, më shumë fonde në 2027 - Planifikohen 66,27 miliardë lekë, pesha ndaj ekonomisë ulet deri në 2029

Nga Fabjona Pasho

Arsimi, më shumë fonde në 2027 - Planifikohen 66,27 miliardë

Ministria e Arsimit parashikohet të ketë një buxhet prej 66.27 miliardë lekësh në vitin 2027. Sipas programit buxhetor afatmesëm, fondet shtohen me rreth 1.41 miliardë lekë, ose 2.2%, krahasuar me 64.87 miliardë lekët e alokuara për vitin 2026. 

Pjesën më të madhe të financimit e merr arsimi bazë, përfshirë parashkollorin, me 37,41 miliardë lekë. Për arsimin e mesëm të përgjithshëm planifikohen 12.31 miliardë lekë, ndërsa për arsimin universitar13.23 miliardë lekë. Programi I fondeve për shkencën parashikohet të marrë 2.17 miliardë lekë.  Investimet e ministrisë arrijnë në 5,87 miliardë lekë për vitin 2027, nga 5,42 miliardë lekë në 2026. Rritja është 450 milionë lekë, ose rreth 8,3%.

Mes masave të planifikuara për vitin 2027 është sigurimi i teksteve shkollore falas për 215 mijë nxënës të arsimit bazë dhe 16 mijë nxënës të arsimit të mesëm. Për vitet 2028 dhe 2029, numri i përfituesve parashikohet të arrijë përkatësisht në 235 mijë dhe 17 mijë nxënës në vit.

Në arsimin e lartë, dokumenti parashikon mbështetje financiare me bursa dhe financim për akomodim për 16 mijë studentë në secilin vit. Ndërsa për infrastrukturën e arsimit bazë planifikohet ndërtimi ose rikonstruksioni i 105 klasave dhe mjediseve në vitin 2027.

Buxheti I ministrisë vijon të rritet në vlerë nominale gjatë periudhës aftamesme. Për vitin 2028 parashikohen 66.82 miliardë lekë, ndërsa për 2029 fondet arrijnë në 67.19 miliardë lekë. Edhe investimet planifikohen në rritje, duke arritur në rreth 6.6 miliardë lekë në fund të përiudhës.  

Megjithatë, kjo rritje nuk shoqërohet me shtim të peshës së buxhetit të sektorit ndaj ekonomisë. Sipas dokumentit, ajo zbret nga 2.3% e PBB në vitin 2027, në 2.2% në 2028 dhe 2.1% në 2029. Pesha në shpenzimet e përgjithshme të qeverisë ulet gjithashtu nga 6.9% në 6.5%, si efekt I rritjes ekonomike.  

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat