Shqipëria Postuar më 28 October 2026, 12:53

7% rritje tatimi për korporatat - Eksperti: Një hap pas. Ulen investimet, vendi më pak tërheqës

Nga Elisabeta Dosku

7% rritje tatimi për korporatat - Eksperti: Një hap pas. Ulen

Bizneset dhe aksionerët pritet të paguajnë më shumë tatim mbi të ardhurat e tyre gjatë vitit të ardhshëm. Në Paketën Fiskale 2027, qeveria propozon që norma e tatimit mbi dividendin të kapërcejë nga 8% në 15%, e thënë ndryshe mbi fitimin që u shpërndahet aksionareve.

Ekspertët fiskale sqarojnë për emisionin “Pros&Cons” se ky ndryshim tatimi për biznesin e madh do të ketë efekt negativ në investime dhe do të bllokojë shpërndarjen e fitimeve.

“Unë e shikoj një hap pas, dividendi ka qenë 15% në 2014 dhe në 2018 ngaqë nuk po funksiononte si tatim në mënyrën se si e kanë menaxhuar, njëkohësisht nuk po funksiononte dhe në investim. Nuk po përkthehej në investime të reja, sepse pavarësisht se kompanitë e merrnin, gjenin metoda për të mos e paguar. Dhe për këtë arsye u gjykua që të bëhet 8 % me qëllim që të çlirohej dhe biznesi ta paguante dh enë fakt pati një çlirim dhe u paguan sasi të mëdha të nivelit të dividendi. Këto të ardhura do ti mungojnë drejtpërdrejt të ardhurat e ortakut,  ne e dimë shumë mirë që kush tërheq këtë dividend bën një investim, blen një pasuri të paluajtshme, etj. Pra do sjellë më pak investime dhe ata do të fillojnë nga manovrat që bënin para vitit 2018. Pra jemi një hap pas. Ne themi ta bëjmë Shqipërinë më atraktive në tërheqjen e biznesit dhe shumë kompani të huaja ndaj po vinin në Shqipëri, pikërisht për nivelin e ulët të taksimit, me këtë rritje taksash po u themi mos hajdeni më këtu se nuk jemi atraktiv në përqindjen e taksave.  Kjo do jetë një tjetër goditje për biznesin”, shprehet Armand Hasko, Ekspert Fiskal. 

Referuar relacionit që shoqëron projektligjin e tatimit mbi të ardhurat, bazuar në të dhënat e realizimit dhe parashikimit për vitin 2026, baza e tatueshme vjetore e të ardhurave nga dividendët dhe aksionet arrin në rreth 86,96 miliardë lekë ku rritja e normës me 7% (nga 8% në 15%) ka një potencial teorik prej 6 miliardë  lekësh.

Duke marrë në konsideratë edhe ndikimin e rritjes së normës tatimore në vendimmarrjen e shoqërive për shpërndarjen dhe destinimin e fitimeve (prirjen për të mbajtur e riinvestuar një pjesë më të madhe të fitimit), efekti pozitiv neto në të ardhurat buxhetore vlerësohet rreth 3 miliardë lekë në vit. Ndërkohë që për subjektet e vogla dhe të vetëpunësuarit mbetet  në fuqi norma tatimore  0% deri më 31 dhjetor 2029.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat