Europa Postuar më 23 October 2026, 11:07

15 mld euro për Greqinë - Emiratet njoftojnë investime të reja. Dy vendet firmosin marrëveshje 12,75 mld euro

Nga Edel Strazimiri

15 mld euro për Greqinë - Emiratet njoftojnë investime të

Emiratet e Bashkuara Arabe planifikojnë të investojnë edhe 15 miliardë euro në Greqi, duke zgjeruar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Njoftimi u bë gjatë Forumit Strategjik Emiratet-Greqi, të zhvilluar në Athinë, ku u shpallën 18 memorandume mirëkuptimi, marrëveshje dhe partneritete tregtare, me një vlerë totale prej 12,75 miliardë eurosh.

Forumi u zhvillua në praninë e princit të kurorës së Abu Dhabit, Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Investimi i ri do t’i shtohet nismës së përbashkët të investimeve, në kuadër të së cilës Emiratet kishin angazhuar 4 miliardë euro në vitin 2022. Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë ende publike projektet konkrete ku do të përqendrohen fondet e reja.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dy vendeve diskutuan zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë si energjia, infrastruktura dhe shëndetësia.

Një nga investimet e rëndësishme të Emirateve në Greqi është ai i kompanisë së energjisë së rinovueshme Masdar, e cila vitin e kaluar përfundoi blerjen e plotë të kompanisë greke Terna Energy. Në vitin 2024, Masdar kishte blerë 70% të aksioneve të saj, në një transaksion që e vlerësonte kompaninë në 3,2 miliardë euro.

Marrëveshjet e reja sinjalizojnë synimin e dy vendeve për të thelluar lidhjet ekonomike dhe për të nxitur investimet në sektorë strategjikë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat