Shqipëria Postuar më 30 September 2026, 12:33

Zgjerohen varrezat e Sharrës - Projekt i ri në jug të kompleksit, parashikohen murale

Nga SCAN TV

 

Varrezat publike të Sharrës pritet të zgjerohen në pjesën jugore të kompleksit, përmes një projekti të ri që synon shtimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës së shërbimit funeral.

Sipas raportit teknik të hartuar për Bashkinë e Tiranës, zona e marrë në studim ka një sipërfaqe prej rreth 5 hektarësh dhe aktualisht është kryesisht tokë e patrajtuar. Në këtë hapësirë mungojnë rrugët e brendshme, kanalizimet, ujësjellësi dhe ndriçimi.     

Nga kjo sipërfaqe, rreth 1.5 hektarë parashikohen të shfrytëzohen për ndërtimin e parcelave të reja të varrezave. Projekti parashikon ndarjen e tyre në parcela me sipërfaqe mbi 1 mijë metra katrorë, si dhe krijimin e një rrjeti të ri rrugësh të brendshme.     

Rruga kryesore që do të lidhë zonën e re me rrjetin ekzistues do të ketë një gjatësi prej rreth 267 metrash, ndërsa akse të tjera do të shërbejnë për lidhjen mes parcelave të brendshme.     

Një nga elementët më të veçantë të projektit është parashikimi i varrezave murale. Sipas raportit, përgjatë perimetrit të murit rrethues do të vendosen 18 module të tilla. Çdo modul është projektuar me gjatësi rreth 7.6 metra, lartësi 2.28 metra dhe thellësi 92 centimetra.     

Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e trotuareve, sistemin e kullimit të ujërave të shiut, ndriçimin rrugor, çezma për vizitorët dhe punonjësit, si dhe gjelbërim me pemë rrapi dhe qiparisi. 

Në raport evidentohet se brenda zonës së projektit ndodhen edhe një numër i vogël banesash ekzistuese, por dokumenti teknik nuk jep detaje mbi mënyrën se si do të trajtohen ato.    

Ndërhyrja synon të krijojë kapacitete të reja për varreza publike në Sharrë, duke kombinuar parcelat tradicionale me varrezat murale dhe një infrastrukturë të re shërbimi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat