Europa Postuar më 30 September 2026, 12:03

Britania sërish në BE? - Burnham kërkon shqyrtimin e të gjitha opsioneve për marrëdhëniet me Europën

Nga Edel Strazimiri

britania

Kryeministri britanik Andy Burnham ka deklaruar se Britania duhet të shqyrtojë të gjitha mundësitë për marrëdhënien e saj të ardhshme me Bashkimin Europian, përfshirë edhe rikthimin e plotë në bllok.

Në një intervistë për BBC, pas fjalimit në konferencën vjetore të Partisë Laburiste, Burnham tha se vendi mund të qëndrojë në marrëdhëniet aktuale pas Brexit, të kërkojë një bashkim doganor me BE-në, të rikthehet në tregun e përbashkët ose të shqyrtojë anëtarësimin e plotë.

“Ne mund të qëndrojmë siç jemi. Kjo është padyshim një mundësi”, tha Burnham, duke shtuar se qeveria duhet të analizojë edhe propozimin për një bashkim doganor, rikthimin në tregun e përbashkët apo “të shkojë deri në fund”, duke iu referuar anëtarësimit në BE.

Burnham argumentoi se secila alternativë duhet të vlerësohet mbi bazën e asaj që është e zbatueshme dhe të avantazheve e disavantazheve që sjell. Ai tha se nuk mund të lihet për një tjetër dekadë e hapur çështja e marrëdhënies së Britanisë me Europën.

Kryeministri britanik e ka cilësuar Brexit-in si një proces që ka shkaktuar “më shumë dëm sesa të mirë”, ndërsa ka paralajmëruar se në samitin Britani-BE të nëntorit do të paraqesë opsionet për marrëdhënien afatgjatë me bllokun.

Britania votoi për largimin nga Bashkimi Europian në vitin 2016, duke i dhënë fund më shumë se katër dekadave të anëtarësimit. Që prej atëherë, vendi ka kaluar një periudhë të gjatë debatesh politike dhe ekonomike mbi pasojat dhe drejtimin e marrëdhënieve me BE-në.

Deklaratat e reja të Burnham shënojnë një hap më tej në debatin britanik, pasi rikthimi në BE përmendet tashmë publikisht si një nga alternativat që qeveria thotë se duhet të shqyrtojë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat