Shqipëria Postuar më 30 September 2026, 11:19

FMN vlerëson investimet shqiptare - Malaj: Shqipëria ka përmirësuar planifikimin dhe menaxhimin e fondeve publike

Nga Edel Strazimiri

Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vlerësimin e eficiencës së investimeve publike, i njohur si PIMA. Misioni u kryesua nga Ian Hawkesworth.

Në fokus të takimit ishin gjetjet dhe vlerësimi i FMN-së për mënyrën se si Shqipëria planifikon dhe menaxhon investimet publike. Rezultatet pritet të bëhen publike në raportin e ardhshëm të Fondit.

Sipas Ministrisë së Financave, Shqipëria ka shënuar përmirësime të ndjeshme vitet e fundit në planifikimin dhe administrimin e investimeve publike. Këto investime kanë qëndruar në rreth 6.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë viteve të fundit dhe pritet të mbeten në nivele të larta.

Në periudhën e ardhshme, fondet publike pritet të orientohen më tej drejt sektorëve strategjikë, përfshirë transportin, energjinë, digjitalizimin dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, në kushtet kur Shqipëria vijon procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ministri Malaj tha se vlerësimi i FMN-së e vendos Shqipërinë në linjë me vendet e Bashkimit Evropian dhe ekonomitë e zhvilluara për mënyrën e planifikimit dhe menaxhimit të investimeve publike.

Përmirësimet lidhen edhe me disiplinën buxhetore, mënyrën e shpërndarjes së fondeve, si dhe rritjen e transparencës dhe konkurrencës në prokurimet publike.

“Paratë publike sot po investohen më mirë”, u shpreh Malaj, duke theksuar se progresi është konstatuar edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Sipas ministrit, eficienca e investimeve është veçanërisht e rëndësishme për projekte që prekin drejtpërdrejt qytetarët, si rrugët, spitalet dhe shkollat. Ai nënvizoi se nuk mjafton vetëm parashikimi i fondeve në buxhet, por rëndësi ka mënyra se si ato përdoren dhe vlera që krijojnë për qytetarët.

Malaj theksoi se vlerësimi i FMN-së është një tregues i progresit, por jo fundi i reformave. Ministria e Financave synon të vijojë forcimin e mekanizmave të planifikimit dhe menaxhimit, në mënyrë që investimet publike të sjellin më shumë zhvillim dhe shërbime më cilësore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat