Kosova Postuar më 30 September 2026, 10:37

Sauditët, investim në Kosovë - 12,3 mln euro për segmentin rrugor pjesë e aksit që lidh Prishtinën me Mitrovicën

Nga Edel Strazimiri

Kosova do të marrë një financim prej 12.3 milionë eurosh nga Fondi Saudit për Zhvillim për përfundimin e segmentit rrugor Smrekonicë–Mitrovicë, pjesë e aksit që lidh Prishtinën me Mitrovicën.

Segmenti është rreth 5 kilometra i gjatë dhe konsiderohet pjesa përfundimtare e këtij korridori rrugor. Për projektin, Republika e Kosovës do të kontribuojë me 3.7 milionë euro, duke e çuar investimin total në mbi 16 milionë euro.

Sipas ministrit të Infrastrukturës, Dimal Basha, marrëveshja me Fondin Saudit zhbllokon financimin e fazës së dytë të projektit. Fondi kishte dhënë miratimin paraprak rreth dy vite më parë, por formalizimi ishte vonuar për shkak të ngërçit politik në Kosovë.

Projekti parashikon një rrugë moderne me dy korsi në secilin drejtim, korsi emergjence, katër kryqëzime kryesore, sistem kullimi dhe elemente të sigurisë rrugore.

Sipas autoriteteve kosovare, përfundimi i këtij segmenti do të kompletojë lidhjen rrugore Prishtinë–Vushtrri–Mitrovicë, duke përmirësuar qarkullimin dhe lidhjen mes këtyre zonave.

Investimi synon gjithashtu të krijojë kushte më të sigurta dhe më efikase për lëvizjen e qytetarëve dhe transportin rrugor përgjatë këtij korridori.

Aktualisht po punohet për elaboratin e shpronësimit dhe rishikimin e projektit, ndërsa pas përfundimit të këtyre procedurave pritet të nisë tenderimi.

Ky është financimi i dytë saudit për këtë projekt. Në vitin 2013, Fondi Saudit për Zhvillim kishte rënë dakord të jepte rreth 16 milionë dollarë për fazën e parë të këtij aksi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat