Shqipëria Postuar më 29 September 2026, 18:23

Kamëz, siguria në shkolla në plan të parë, 4 ministri bëhen bashkë në mbrojtje të fëmijëve

Nga Scan TV

krj.jpg

Nga siguria brenda dhe jashtë shkollës, te kujdesi për shëndetin dhe ushqimi, katër ministri do të bashkërendojnë punën për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve. Paketa Kombëtare e Sigurisë në Shkolla u prezantua këtë të martë në Kamëz, në një takim me nxënës, mësues dhe prindër. Në takim ishin ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, si dhe kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli. Katër ministritë do të kenë role të ndryshme në këtë paketë. Policia e Shtetit do të angazhohet për mbrojtjen e fëmijëve, Ministria e Arsimit për mirëqenien dhe sigurinë brenda ambienteve të shkollave, Ministria e Shëndetësisë për kujdesin dhe mirëqenien, ndërsa Ministria e Bujqësisë për sigurinë ushqimore.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ndal te roli që kanë brenda shkollave oficerët e sigurisë, psikologët dhe punonjësit socialë, ndërsa theksoi se katër ministritë po ndajnë mes tyre përgjegjësitë për të krijuar një mjedis më të sigurt për nxënësit.

“Oficeri i sigurisë është një nga figurat kyçe brenda shkollës, që tregon se në politikëbërje i japim vëmendje qetësisë dhe sigurisë së fëmijëve. Kemi dhe psikologë dhe punonjës socialë për të krijuar një mozaik si një kopsht me pemë të shëndetshme. Nuk ia dalim dot vetëm. Ne jemi 4 ministra ku, pas një pune shumë të gjatë, po ndajmë së bashku detyrat e ministrive për të ofruar një mjedis sa më të shëndetshëm dhe të sigurt për shkollën. Ky bashkërendim është i domosdoshëm edhe për t’u dhënë qetësi prindërve në momentin që i dërgojnë në shkollë, i kanë lënë në duart e institucioneve. Qoftë policia, qoftë sistemi që po instalojmë i kamerave inteligjente”, tha Kumbaro. 

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, e vendosi theksin te roli i Policisë së Shtetit dhe siguria në perimetrin e shkollave.

“Ne jemi sot katër ministra në takim, që të ofrojmë një mbrojtje dhe siguri të plotë 360 gradë për fëmijët në vendin tonë”, deklaroi Demo.

Ai tha se do të ketë “zero tolerancë” për aktet apo veprimet që mund të vënë në rrezik mirëqenien e fëmijëve, ndërsa sigurinë në shkolla e cilësoi si “vijën më të kuqe të mundshme” për Policinë e Shtetit.

“Ka zero tolerancë dhe është vija më e kuqe e mundshme që Policia e Shtetit tashmë ka vendosur për sa i përket garantimit të të gjithë atyre elementëve që duhet ta bëjnë një prind, një familje të qetë dhe mbi të gjitha të sigurt për të ardhmen e fëmijëve të tyre kur shkojnë në ambientet e shkollës”, u shpreh ministri.

Paketa synon edhe parandalimin përmes bashkëpunimit mes oficerëve të sigurisë, psikologëve, mësuesve, policisë dhe prindërve, për të identifikuar në kohë fenomenet që mund të cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat