Shqipëria Postuar më 29 September 2026, 18:16

Gjirokastra, hub-i i ri i jugut? Projektet që mund të ndryshojnë pozicionin e qytetit

Nga Scan TV

images.jpg

Gjirokastra mund të jetë përpara një transformimi të rëndësishëm të pozicionit të saj në hartën e transportit të Shqipërisë së Jugut. Një korridor ndërkombëtar rrugor, një aeroport sezonal dhe një lidhje e mundshme hekurudhore me Greqinë mund ta shndërrojnë qytetin nga një destinacion kryesisht turistik në një nyje të rëndësishme transporti mes Shqipërisë së Jugut dhe vendit fqinj. Një nga elementet kryesore është Korridori Adriatiko-Jonian, pjesë e rrjetit europian të transportit TEN-T, i konceptuar për të krijuar një aks përgjatë bregdetit Adriatik dhe Jon, nga Europa Qendrore drejt Greqisë.

Në Shqipëri, gjurma e korridorit zbret drejt Jugut përmes Fierit, Levanit, Memaliajt dhe Gjirokastrës, për të vijuar drejt Kakavijës dhe kufirit me Greqinë. Kjo do ta vendoste Gjirokastrën drejtpërdrejt mbi një prej korridoreve kryesore ndërkombëtare të transportit që kalojnë në territorin shqiptar. Por infrastruktura rrugore nuk është zhvillimi i vetëm.

Një tjetër projekt është Aeroporti i Gjirokastrës. Qeveria shqiptare e ka përfshirë atë në programin 2025–2029, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se po përgatitet gara për aeroportin sezonal. Objektivi i deklaruar është që deri në vitin 2030 Gjirokastra të presë fluturime turistike sezonale. Ndërkohë, një zhvillim që mund t'i japë qytetit një dimension ndërkombëtar edhe në transportin hekurudhor vjen nga Greqia.  Pas dhjetë vitesh është rikthyer propozimi për linjën Gjirokastër–Kakavijë–Janinë–Igumenicë.

Studimi i hartuar në vitin 2016 parashikonte lidhjen e Gjirokastrës, përmes Janinës, me Portin e Igumenicës. Linja është menduar si për transport pasagjerësh, ashtu edhe për mallra. Aktualisht nuk ka një vendim për ndërtimin e hekurudhës. Një grup pune në Janinë ka kërkuar përditësimin e studimit dhe rivlerësimin e fizibilitetit ekonomik dhe teknik të projektit. Nëse këto investime realizohen, Gjirokastra do të ndodhej në një pikë ku mund të kryqëzohen tre mënyra kryesore transporti: rruga, hekurudha dhe ajri.

Përmes Igumenicës do të krijohej edhe një lidhje me transportin detar, ndërsa përmes aksit Kardhiq–Delvinë, Gjirokastra ka tashmë një lidhje të drejtpërdrejtë me Sarandën dhe bregdetin e Jugut. Në këtë konfigurim, qyteti do të pozicionohej në kryqëzimin e disa drejtimeve: drejt Veriut përmes Korridorit Adriatiko-Jonian; drejt Greqisë përmes Kakavijës; drejt Janinës dhe Igumenicës përmes hekurudhës së propozuar; dhe drejt Sarandës e bregdetit përmes Kardhiq–Delvinës. Realizimi i këtyre projekteve mund t'i japë Gjirokastrës një rol që shkon përtej turizmit, duke e pozicionuar si një nyje potenciale transporti mes Shqipërisë së Jugut, Greqisë dhe detit Jon.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat