Analiza Postuar më 30 September 2026, 11:14

Më shumë kredi për konsum/ Huaja për mallra merr hov në Gusht, leku dominon

Nga Scan TV

Kredi.png

Kreditimi i individëve vijoi të rritet me ritme të forta gjatë gushtit, i mbështetur kryesisht nga huatë për blerje banesash dhe financimi për mallra. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, individët morën gjithsej 11.43 miliardë lekë kredi të reja, rreth 29.3% më shumë se në gushtin e vitit të kaluar.

Pjesën më të madhe të huamarrjes e zënë kreditë për blerje banesash. Duke përfshirë të gjitha monedhat, bankat dhanë rreth 5.36 miliardë lekë për këtë qëllim, nga 4.35 miliardë lekë një vit më parë. Rritja arrin në rreth 23%, ndërsa kreditë për shtëpi përfaqësuan afro 47% të gjithë huasë së re për individët gjatë muajit.

Edhe kreditimi për mallra shënoi rritje të ndjeshme. Huatë për mallra të qëndrueshme arritën në rreth 1.79 miliardë lekë, nga 1.03 miliardë lekë në gusht 2025, duke u rritur me rreth 74%. Ndërkohë, kreditë për mallra jo të qëndrueshme arritën në 2.91 miliardë lekë, ose rreth 26% më shumë në bazë vjetore.

Më e moderuar ishte rritja e overdraftit. Kjo kategori arriti në rreth 620 milionë lekë, vetëm 3.6% më shumë se një vit më parë. Huatë për qëllime të tjera u rritën me rreth 36%, duke arritur në 751 milionë lekë.

Në ndarjen sipas monedhës, të dhënat tregojnë një dominim të qartë të lekut. Gjatë gushtit, individët morën 10.31 miliardë lekë kredi të reja në monedhën vendase, rreth 37% më shumë se një vit më parë.

Kreditë në lek përbënin kështu mbi 90% të totalit të huamarrjes së re të individëve.

Në të kundërt, financimi në euro shënoi rënie. Kredia e re në monedhën europiane zbriti në rreth 1.11 miliardë lekë ekuivalent, nga 1.30 miliardë një vit më parë, ose rreth 14% më pak. Kreditë në dollarë dhe monedha të tjera mbeten në nivele shumë të ulëta.

Të dhënat tregojnë kështu se rritja e huamarrjes së individëve po mbështetet kryesisht nga banesat, konsumi dhe kredia në lek, ndërsa përdorimi i euros po humbet terren.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat