Shqipëria Postuar më 30 September 2026, 11:49

BE, udhërrëfyes për Shqipërinë - Plan me hapa dhe afate konkrete drejt anëtarësimit. Komisioni shqyrton heqjen e vetos

Nga Ledina Elezi

Bashkimi Evropian do të ofrojë udhërrëfyes për katër vendet që kanë përparuar më tepër në rrugën drejt anëtarësimit. Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina, do të kenë në dorë një hartë që do i tregojë të gjithë hapat që duhet të ndjekin për t’u bërë pjesë e BE. 

Këta udhërrëfyes do t'i japin kandidatëve garanci se, nëse vijojnë me reformat thelbësore, do të pranohen. Edhe pse Komisioni Evropian ka përmendur më herët vitin 2027 për mbylljen e negociatave me Shqipërinë, në udhërrëfyes do të përcaktohen data konkrete përfundimtare për Malin e Zi, Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë. Planet përcaktojnë gjithashtu data të përafërta se kur do të përfundojnë zyrtarisht grupet e reformave, pra grupkapitujt/klasterat, të cilat përbëjnë etapa të rëndësishme në rrugën drejt anëtarësimit.

Udhërrëfyesit do të qartësojnë saktësisht se çfarë pritet nga secili vend kandidat, si dhe do të krijojnë detyrime për anëtarët aktualë, të cilët duhet të japin miratimin e tyre që procesi të ecë përpara. 

Edhe gjatë fjalimit të saj mbi gjendjen e Bashkimit Evropian (State of the Union) në fillim të shtatorit, Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, premtoi mbështetje për vendet kandidate "që kanë bërë më shumë përparim".

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen

“Mjafton të shohim Ukrainën dhe Moldavinë. Drejt Ballkanit Perëndimor. Mjafton të shohim të gjitha ato vende që janë pranë Unionit tonë. Dhe meqenëse e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian, së shpejti do të propozojmë udhërrëfyes për kandidatët më të përparuar.”

Për momentin, vendeve të tjera kandidate që ndodhen në një fazë më të hershme të procesit, si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina, nuk do t'u ofrohen këta udhërrëfyes. Kjo vlen edhe për Gjeorgjinë, Turqinë apo Serbinë, aplikimet e të cilave kanë ngecur për shkak të shqetësimeve mbi regresin në standardet demokratike dhe shtetin e së drejtës.

Udhërrëfyesit do të përcaktojnë një listë të qartë prioritetesh, afate kohore dhe rezultate konkrete për të ndihmuar kandidatët më të përparuar që të përfundojnë reformat e nevojshme dhe kështu të përshpejtohet procesi i anëtarësimit. 

Paralelisht, Bashkimi Evropian po “përditëson” paketën e zgjerimit. Gjatë javës së ardhshme pritet të prezantohet drafti i ri, i cili do të përfshijë heqjen e vetos kombëtare nga shumica e fazave të bisedimeve të pranimit në Bashkimin Evropian. Kjo mund t’i japë fund rrezikut të vonesës ose bllokimit të vendimeve, teksa Unioni pranon më shumë anëtarë.

Nëse më parë duhej që vendimi të ishte unanim për pranimin e një anëtari, Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë që ta kthejë në shumicë të cilësuar. 

Qeveritë më të vogla dhe ato që mbrojnë me forcë sovranitetin kombëtar kanë argumentuar prej vitesh se unanimiteti është mekanizmi që i mbron ato nga mundësia për t'u mundur me votë nga shtetet më të mëdha. Polonia e ka përjashtuar më parë çdo lëvizje drejt votimit me shumicë në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, ndërsa rreth nëntë shtete janë bashkuar për të kundërshtuar përpjekjet e mëparshme në këtë drejtim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat