Shqipëria Postuar më 30 September 2026, 12:01

Sa para’ merr Shqipëria nga BE? - Jemi ndër vendet me përparimin më të madh në zbatimin e Planit të Rritjes Ekonomike

Nga Ledina Elezi

Për të mbështetur zbatimin e reformave në Shqipëri dhe në vendet e tjera kandidate të rajonit, Bashkimi Evropian prezantoi në 2023, “Planin e Rritjes Ekonomike”. Ky Plan kap një vlerë totale prej 6 miliardë eurosh, prej të cilave 4 miliardë janë kredi me kushte të favorshme dhe 2 miliardë euro grante.

Vendet e Ballkanit Perëndimor po përparojnë me ritme të ndryshme në zbatimin e reformave. Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar përparimin më të madh, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina dhe Kosova mbeten në fund. Përparimi i Serbisë, ndërkaq, është ngadalësuar kryesisht për shkak të faktorëve të brendshëm.

Sipas Komisionit Evropian, Plani i Rritjes po zbatohet me ritëm të plotë, me 673,6 milionë euro të disbursuara që nga nisja e programit.

Shqipëria ka përfituar 212.8 milionë euro, Serbia 167.5 milionë, Maqedonia e Veriut 142.1 milionë, Mali i Zi 91.2 milionë dhe Kosova 61.8 milionë euro. Bosnje e Hercegovina nuk ka marrë ende asnjë pagesë, ndërsa shuma e caktuar fillimisht për këtë shtet tashmë është zvogëluar.

Ndryshimet më të dukshme në terren janë regjistruar në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, përfshirë digjitalizimin e një pjese të shërbimeve publike, thjeshtimin e procedurave për regjistrimin e bizneseve dhe rritjen e investimeve në infrastrukturë.

Shqipëria po investon në modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, internetin me brez të gjerë, përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike dhe pajisjen e shkollave me teknologji digjitale.

Të gjitha projektet e financuara në kuadër të Planit të Rritjes pritet të mbyllen deri në fund të vitit 2027 dhe nuk do të zgjatet afati i zbatimit. Vendet që nuk i përmbushin zotimet do t'i humbin fondet e parashikuara, të cilat më pas do t'u rialokohen shteteve të tjera të rajonit.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor synon afrimin ekonomik të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian përmes integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian, forcimit të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përshpejtimit të reformave themelore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat