Europa Postuar më 30 Shtator 2022, 11:12

Zbulohen monedhat e reja me portretin e Charles - Fillimisht, imazhi i mbretit do shfaqet në monedhën 50 pens dhe atë përkujtimore 5 paund

Nga SCAN TV

Zbulohen monedhat e reja të Mbretërisë së Bashkuar me portretin e Mbretit Charles III. Fillimisht, imazhi i Mbretit do të shfaqet vetëm në monedhën 50 pens, e cila do të jetë në qarkullim nga muaji dhjetor. Si zakonisht, fytyra e Mbretit është kthyer në drejtim të kundërt me atë të nënës së tij në monedhat që janë aktualisht në qarkullim, Charles shikon majtas dhe Elizabeth në të djathtë. Ndryshe nga mbretëreshat, mbreti në monedha nuk mban kurorë.

Në kufirin e monedhave do të ketë mbishkrimin: ":: CHARLES III :: D :: G :: REX :: F :: D ::" d.m.th. "Charles III, Dei Gratia Rex, Fidei Defensor". Nga latinishtja kjo përkthehet në "Mbreti Charles III, me hirin e Zotit, mbrojtës i besimit". Është interesante se ndryshe nga paraardhësit e tij, është përdorur emri anglez i Charles dhe jo latinishtja Carolus.

Portreti i Charles që do të shfaqet në monedha është krijuar nga skulptori Martin Jennings, I cili thotë se është vepra më e vogël që ka krijuar, por ndihet i nderuar që do të mbahet dhe shihet nga njerëz nga e gjithë bota për shekuj.

Monedhat e tjera, nga 1 pens, në 2 paund, të cilat do të mbajnë të njëjtin portret të Charles, do të dalin nga fillimi i vitit të ri.

Në anën tjetër të monedhës 50 pens është stema mbretërore: brenda katër mburojave janë tre luanët, stema heraldike e Anglisë, luani i shfrenuar i Skocisë dhe një harpë për Irlandën. Midis tyre janë katër bimë-emblema për kombet që përbëjnë Mbretërinë e Bashkuar. Në mes është një dizajn i përdorur për kurorën mbretërore të Elizabeth në vitin 1953, e cila më pas u krijua për nder të kurorëzimit të saj.

Portreti i Charles do të shfaqet gjithashtu në njërën anë të një kartëmonedhash të re përkujtimore prej 5 paund, ndërsa në anën tjetër do të shfaqen dy portrete të Elizabeth: një si grua e re dhe një si e moshuar. Monedhat me imazhin e Elizabeth do të vazhdojnë të qarkullojnë normalisht. Sa i përket kartëmonedhave me fytyrën e Charles, ato pritet të dalin në treg nga viti 2024.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat