Bota Postuar më 22 Mars 2024, 11:15

Ukrainë, “shpërthim” i papritur në tregun e pasurive të paluajtshme - Lulëzojnë zonat larg vijës së parë të luftimeve

Nga SCAN TV
Ukrainë, “shpërthim” i papritur në tregun e pasurive

Ndërsa pushtimi rus vazhdon për të tretin vit, tregu i pasurive të paluajtshme në Ukrainën e shkatërruar nga lufta po lulëzon në zona larg vijës së parë të luftimeve. Pasuritë e paluajtshme kanë humbur vlerë të konsiderueshme në qytetet pranë vijës së frontit. Ndërsa në Ukrainën perëndimore, çmimet janë rritur deri në 75%.

Gjatë dy viteve të pushtimit rus të Ukrainës, qindra ndërtesa janë shkatërruar nga bombardimet, duke detyruar miliona njerëz të largohen. Gati 6.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi. Prej tyre, rreth një në tre thonë se planifikojnë të kthehen pas luftës, megjithëse fundi i saj nuk duket ende. Ndërkohë, një milion burra janë regjistruar në ushtri, duke lënë pas familjet dhe punën e tyre.

Në vitin 2023, ekonomia e Ukrainës u tkurr me një të tretën. Inflacioni u rrit me më shumë se 25%. Vetëm ndihma perëndimore, në disa miliarda, paguan ‘faturat’ e qeverisë së Presidentit Volodymyr Zelensky. Dhe niveli i lindjeve në Ukrainë ka rënë në 1.22 fëmijë për grua, një nga më të ulëtat në botë, duke lënë pak shpresë për perspektivat e pasluftës.

Pavarësisht tmerreve të luftës, megjithatë, njerëzit duan të vazhdojnë të jetojnë jetën e tyre sa më normalisht të jetë e mundur. Këtë e dëshmon pjesërisht tregu ukrainas i pasurive të paluajtshme, i cili aktualisht po përjeton një “boom”. Gjatë vitit të kaluar - të dytë të luftës - pati një rimëkëmbje të ndjeshme në sektorin e pasurive të paluajtshme në vendin e shkatërruar nga lufta. Të dhënat e vitit 2023 tregojnë se gjithsej 404.509 shtëpi, apartamente dhe parcela toke ndryshuan pronarë në Ukrainë. Kjo është një rritje prej 71% e transaksioneve krahasuar me vitin 2022, viti i parë i luftës.

Gjithnjë e më shumë ukrainas janë të gatshëm të investojnë në pasuri të paluajtshme, kundër pasigurisë së vazhdueshme. Pasuritë e paluajtshme kanë humbur vlerë të konsiderueshme në qytetet pranë vijës së frontit. Ndërsa në Ukrainën perëndimore, çmimet janë rritur deri në 75%. Pushtimi rus, ndërkohë, duket se po i shtyn ukrainasit të diversifikojnë preferencat e tyre për pasuritë e paluajtshme. Blerësit shmangin gjithashtu ndërtesat që janë afër infrastrukturave që mund të jenë objektiv për bombardime, si aeroportet, termocentralet dhe instalimet ushtarake.

Hapësirat e parkimit dhe magazinat nëntokësore janë më të shiturat. Ato mund të kthehen në një strehë të improvizuar me ajrim, ngrohje dhe akses në internet. Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz ndërkohë kërkojnë apartamente me çelës në dorë, kompanitë e dizajnit të brendshëm po shohin një ‘boom’ të papritur në Ukrainën e shkatërruar nga lufta. Çmimet për shërbimin tani variojnë midis 300 dhe 500 dollarë për metër katror.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat