Shqipëria Postuar më 26 October 2026, 13:30

Transparencë për biznesin - Musabelliu: Projektligji i QKB, një hap drejt mbylljes së negociatave për Kapitullin 6

Nga Diamila Leka

Transparencë për biznesin - Musabelliu: Projektligji i QKB, një

Digjitalizimi i shërbimeve, rritja e transparencës dhe lidhja e regjistrit tregtar shqiptar me ato të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Këto janë disa nga ndryshimet që parashikon projektligji për Qendrën Kombëtare të Biznesit, i shqyrtuar në Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme. Nisma synon përmirësimin e shërbimeve për bizneset dhe qytetarët, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Është shumë e rëndësishme ndërlidhja e regjistrit tregtar shqiptar, me regjistrat tregtarë të vendeve anëtare të BE. Konsolidohen akoma dhe më tej dhe përmirësohen të gjitha shërbimet elektronike që i jep Qendra Kombëtare e Biznesit. Përmes këtij projektligji rritet transparenca dhe aksesi në informacion për të gjithë qytetarët dhe bizneset. Përmes këtij projektligji ne vendosim një nga tullat e fundit në procesin e gjatë të mbylljes së negociatave për kapitullin 6.”

Relatorja e projektligjit, Alma Selami, veçoi gjithashtu konsolidimin e përgjegjësive të QKB-së për regjistrin e pronarëve përfitues, si dhe bashkëpunimin me Dhomën Ekonomike dhe Tregtare për formimin dhe këshillimin e subjekteve tregtare.

“Nga risitë do të veçoj digjitalizimin e shërbimeve të QKB, rritjen e transparencës dhe aksesit në informacion, forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, konsolidimin e përgjegjësive të QKB për regjistrin e pronarëve përfitues, bashkëpunimin me Dhomën Ekonomike Tregtare për formimin dhe këshillimin e subjekteve tregtare. Nga pikëpamja financiare sipas relacionit shoqërues, nuk parashikohet krijimi i taksave apo tarifave të reja, kostot shtesë për përshtatjen e sistemeve teknologjike, trajnimin dhe informimin vlerësohen deri në 10 mln lekë për tre vitet e para dhe parashikohet të përballohet nga buxhetet ekzistuese.”

Sipas relacionit shoqërues, zbatimi i ndryshimeve nuk parashikon tarifa të reja për bizneset apo qytetarët. Kostot për përshtatjen teknologjike, trajnimin dhe informimin llogariten deri në 10 milionë lekë për tre vitet e para, ndërsa financimi parashikohet të mbulohet nga buxhetet ekzistuese. Ndryshimet synojnë përafrimin e mëtejshëm të shërbimeve të QKB-së me standardet europiane dhe lehtësimin e marrëdhënieve mes administratës dhe sipërmarrjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat