Shqipëria Postuar më 26 October 2026, 12:07

Himara, risi në transport publik - Aplikacioni mobil për pasagjerët. Vendndodhja e autobusëve, në kohë reale

Nga Ernilda Luzi

Himara, risi në transport publik - Aplikacioni mobil për

Bashkia e Himarës synon të nisë një risi përsa i përket transportit publik në vendin tonë. Nëpërmjet një tenderi me fond limit 11,6 milionë lekë synohet krijimi i një infrastrukture moderne të transportit publik në territorin e Bashkisë Himarë, e cila të mundësojë informimin e pasagjerëve, monitorimin e lëvizjes së autobusëve, përmirësimin e administrimit të linjave dhe orareve, si dhe rritjen e cilësisë, sigurisë dhe aksesueshmërisë së shërbimit të transportit publik.

Zgjidhja e parashikuar përfshin vendosjen e stacioneve të autobusëve, instalimin e pajisjeve të komunikimit dhe lokalizimit, ekranet informative, furnizimin autonom me energji elektrike nga sistemet fotovoltaike dhe integrimin e tyre me një platformë qendrore për menaxhimin e transportit publik.

Kërkesa për një platformë të integruar të menaxhimit të transportit publik synon të mundësojë administrimin e centralizuar të linjave, ndalesave, itinerareve, orareve dhe automjeteve të transportit publik. Nëpërmjet kësaj platforme, autoriteti përgjegjës do të ketë mundësi të monitorojë funksionimin e shërbimit, të analizojë të dhënat operative dhe të marrë vendime të bazuara në informacionin e mbledhur gjatë operimit.

Funksionalitetet e gjurmimit satelitor GPS/GNSS dhe monitorimit në kohë reale janë të nevojshme për të identifikuar pozicionin e autobusëve, për të vlerësuar respektimin e itinerareve dhe orareve dhe për të përmirësuar informimin e pasagjerëve mbi mbërritjen e mjeteve në stacione.

Gjithashtu, parashikohet funksionimi i një aplikacioni mobil për pasagjerët, që synon të përmirësojë aksesin në informacionin e transportit publik dhe të lehtësojë planifikimin e udhëtimeve. Funksionaliteti i shfaqjes së vendndodhjes së autobusëve në kohë reale dhe parashikimit të kohës së mbërritjes në stacion kërkohet për t'u dhënë qytetarëve informacion më të saktë mbi pritjen dhe lëvizjen e mjeteve. Këto funksionalitete varen nga marrja dhe përpunimi i të dhënave GPS/GNSS dhe nga cilësia e lidhjes së komunikimit.

Hartat interaktive, shfaqja e ndalesave dhe sugjerimi i itinerareve synojnë të lehtësojnë orientimin e pasagjerëve dhe zgjedhjen e rrugës së përshtatshme për udhëtimin e tyre. Njoftimet për vonesat, ndryshimet e orareve dhe ndërprerjet e shërbimit synojnë të përmirësojnë komunikimin me qytetarët dhe të ulin pasigurinë që lidhet me ndryshimet operative.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat