Analiza Postuar më 26 October 2026, 11:11

Furnizimi, në “pak duar”/ Nga sa shtete varen importet jetike të Shqipërisë?

Nga Xhorxhina Deda

Furnizimi, në “pak duar”/ Nga sa shtete varen importet jetike

Për disa produkte, Shqipëria mbështetet kryesisht te një vend i vetëm origjine, ndërsa për të tjera importet shpërndahen ndërmjet shumë tregjeve. Një analizë e “Scan Intel” mbi të dhënat e INSTAT-it për vitin 2025 si një i plotë tregon se përqendrimi është veçanërisht i lartë te lëkurat, disa produkte minerale dhe metalet, ndërsa edhe furnizimi me drithëra mbështetet në masë të konsiderueshme te dy shtete.

Për të kuptuar më mirë se në cilët sektorë është më i përqendruar furnizimi, analiza ka shqyrtuar 96 kapituj mallrash, duke i kushtuar vëmendje të veçantë ushqimeve, metaleve, lëndëve të para industriale, energjisë dhe produkteve farmaceutike. Përzgjedhja mbështetet te rëndësia ekonomike e këtyre mallrave dhe pesha që zënë shtetet kryesore në importet e secilës kategori.

Përqendrimi më i lartë vërehet te disa produkte të lidhura me industrinë përpunuese. Në vitin 2025, Italia përfaqësonte 88.6% të importeve shqiptare të lëkurëve të papërpunuara dhe të përpunuara, me një vlerë prej rreth 8.1 miliardë lekësh. Po nga Italia vinte edhe 70.5% e importeve të pambukut.

Një përqendrim i konsiderueshëm vërehet edhe te produktet minerale. Turqia mbulonte 80.6% të importeve të kategorisë që përfshin kripën, mineralet, gëlqeren dhe çimenton. Ndërkohë, te giza dhe çeliku, pothuajse gjysma e vlerës së importeve, ose 49.1%, kishte origjinë turke. Kjo përkthehet në rreth 19.4 miliardë lekë nga gjithsej 39.5 miliardë lekë importe të këtij grupi.

Por çfarë ndodh me ushqimet?

Te drithërat, dy shtete mbulojnë së bashku rreth dy të tretat e vlerës së importeve shqiptare. Serbia kryeson me 36.5%, ndërsa Rusia përfaqëson 29.6%. Gjatë vitit 2025, importet e drithërave nga këto dy vende arritën në rreth 6.9 miliardë lekë, nga 10.5 miliardë lekë gjithsej.

Në kategori të tjera ushqimore, tabloja është e ndryshme. Brazili kryeson importet e mishit me 30.6%, Italia ato të bulmetit, vezëve dhe mjaltit me 33.4%, ndërsa Ukraina përfaqëson 29.1% të importeve të vajrave dhe yndyrnave me origjinë bimore ose shtazore.

Megjithatë, jo të gjitha kategoritë e rëndësishme kanë të njëjtin përqendrim. Te produktet farmaceutike, Gjermania është vendi kryesor i origjinës, por mbulon vetëm 19.8% të vlerës së importeve. Edhe te lëndët djegëse minerale, Arabia Saudite kryeson me një peshë prej 18.9%.

Këto diferenca tregojnë se përqendrimi i importeve nuk është i njëjtë në të gjithë ekonominë shqiptare. Në disa grupe mallrash furnizimi mbështetet kryesisht te një ose dy vende, ndërsa në të tjera origjina e produkteve është më e shpërndarë.

Megjithatë, një përqendrim i lartë nuk nënkupton automatikisht rrezik për mungesa. Për një vlerësim të plotë duhen marrë parasysh edhe prodhimi vendas, rezervat dhe mundësitë e furnizimit nga tregje alternative.

Furnizimi, në “pak duar”/ Nga sa shtete varen importet jetike

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat