Europa Postuar më 28 Korrik 2022, 10:32

Sulm kibernetik ndaj zyrtarëve të lartë të BE-së -  Dyshohet nga spyware izraelit Pegasus!

Nga SCAN TV
Sulm kibernetik ndaj zyrtarëve të lartë të BE-së

Bashkimi Europian (BE) ka gjetur prova se telefonat e përdorur nga disa anëtarë të stafit të tij të lartë ishin hakuar nga spyware izraelit, tha zyrtari më i lartë i drejtësisë i bllokut në një letër të parë nga Reuters.

Në një letër dërguar ligjvënëses europiane Sophie in 't Veld, komisioneri i drejtësisë i BE-së Didier Reynders tha se Apple i tha atij në vitin 2021 se iPhone i tij ishte hakuar potencialisht duke përdorur Pegasus, një mjet i zhvilluar nga firma izraelite e mbikëqyrjes NSO Group. Paralajmërimi i Apple shkaktoi një inspektim të pajisjeve personale dhe profesionale të Reynders, së bashku me telefonat e tjerë të përdorur nga punonjësit e Komisionit Europian, thuhej në letër.

Ndërsa hetimi nuk gjeti "prova përfundimtare" të një sulmi kibernetik, hetuesit zbuluan "tregues të kompromisit" një term i përdorur nga ekspertët e sigurisë për të përshkruar provat se një hakerim ka ndodhur. Letra nuk jepte detaje të mëtejshme, dhe Reynders tha se "është e pamundur t'i atribuohen këta tregues një autori specifik me siguri të plotë". Një hetim është aktualisht aktiv në BE.

Kjo nuk është hera e parë që nivelet më të larta të zyrave të Europës hakohen. Në prill, Citizen Lab zbuloi se midis 2020 dhe 2021, Zyra e Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar ishte infektuar me spyware izraelit, së bashku me të paktën 65 mbështetës të pavarësisë së Katalonjës në Spanjë. Pegasus, të cilin Citizen Lab e quan një "spyware mercenar", është përdorur për të depërtuar në telefonat dhe kompjuterët e aktivistëve të të drejtave të njeriut, avokatëve, gazetarëve dhe grupeve fetare, megjithëse grupi NSO pretendon se ua shet Pegasusin vetëm agjencive qeveritare për të synuar kriminelët dhe terroristët.

Një zëdhënëse e NSO tha se firma do të bashkëpunojë me dëshirë me një hetim të BE-së. Zyrtarët e BE-së ende nuk kanë komentuar mbi hakimin e dyshuar. NSO Group aktualisht është duke u paditur nga Apple për gjoja shkeljen e kushteve dhe marrëveshjes së shërbimeve të përdoruesit. Në prill, Reuters raportoi se BE-ja po hetonte nëse telefonat e përdorur nga Reynders dhe zyrtarë të tjerë të lartë europianë ishin hakuar duke përdorur softuer të prodhuar në Izrael. Të dyja palët nuk pranuan të komentojnë raportin në atë kohë.

Letra e Reynders, e cila pranoi aktivitetin e hakerimit, u shkrua në përgjigje të pyetjeve nga ligjvënësit europianë, të cilët në fillim të këtij viti formuan një komitet për të hetuar përdorimin e softuerit të mbikëqyrjes në Europë. Javën e kaluar komiteti tha se zbuloi se 14 vende anëtare të BE-së kishin blerë teknologji NSO. Letra e cila u publikua nga in 't Veld thoshte se zyrtarët në Hungari, Poloni dhe Spanjë kishin qenë ose ishin në proces të pyetjes për përdorimin e Pegasus nga ana e tyre. In 't Veld tha se ishte e rëndësishme të zbulohej se kush kishte në shënjestër Komisionin e BE-së, duke sugjeruar se do të ishte veçanërisht skandaloze nëse një shtet anëtar i BE-së do të ishte përgjegjës.

Komisioni Europian gjithashtu ngriti çështjen me autoritetet izraelite, duke u kërkuar atyre që të ndërmarrin hapa për të "parandaluar keqpërdorimin e produkteve të tyre në BE", thuhej në letër. Një zëdhënës i Ministrisë izraelite të Mbrojtjes nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat