Bota Postuar më 27 Korrik 2022, 14:19

FMN: Bota është në rrezik recesioni - Ngadalësimi i ekonomisë në Kinë dhe SHBA ul pritshmëritë!

Nga SCAN TV
FMN: Bota është në rrezik recesioni - Ngadalësimi i

Fondi Monetar Ndërkombëtar uli përsëri parashikimet e rritjes globale, duke paralajmëruar se rreziqet nga inflacioni i lartë dhe lufta në Ukrainë po materializohen dhe mund ta shtyjnë ekonominë botërore në prag të recesionit nëse nuk vihet nën kontroll.

Rritja reale e PBB-së globale do të ngadalësohet në 3.2% në 2022-shin nga një parashikim prej 3.6% i dhënë në muajin prill. Kjo u bë e ditur nga një raport i fundit i FMN në një përditësim të Perspektivës së saj Ekonomike Botërore. Në raport shkruhet gjithashtu se PBB-ja botërore në të vërtetë u tkurr në tremujorin e dytë për shkak të ngadalësimeve ekonomike në Kinë dhe Rusi.

Fondi uli parashikimin e tij të rritjes për vitin 2023 në 2.9% nga vlerësimi i prillit prej 3.6%, duke përmendur pasojat e shtrëngimeve të politikës monetare.

Rritja botërore u rimëkëmb në vitin 2021 në 6.1% pasi pandemia COVID-19 ‘shtypi’ prodhimin global në 2020 me një tkurrje prej 3.1%.

"Perspektiva është errësuar ndjeshëm që nga prilli. Bota së shpejti mund të jetë në prag të një recesioni global, vetëm dy vjet pas atij të fundit," tha kryeekonomisti i FMN-së Pierre-Olivier Gourinchas në një konferencë për mediat.

FMN tha se parashikimet e fundit ishin "jashtëzakonisht të pasigurta" dhe i nënshtroheshin rreziqeve që vijnë nga lufta e Rusisë në Ukrainë, duke rritur çmimet e energjisë dhe ushqimeve. Kjo do të përkeqësonte inflacionin dhe do të bënte realitet pritshmëritë inflacioniste afatgjata që do të nxisnin shtrëngimin e mëtejshëm të politikës monetare.

FMN tha se tani pret që norma e inflacionit e vitit 2022 në ekonomitë e përparuara të arrijë në 6.6%, nga 5.7% në parashikimet e prillit, duke shtuar se do të mbetet e lartë për më gjatë se sa ishte parashikuar më parë. Inflacioni në tregjet në zhvillim dhe vendet në zhvillim tani pritet të arrijë në 9.5% në 2022, nga 8.7% që parashikohej në prill.

"Inflacioni në nivelet aktuale përfaqëson një rrezik të qartë për stabilitetin makroekonomik aktual dhe të ardhshëm dhe kthimi i tij në objektivat e bankës qendrore duhet të jetë përparësia kryesore për politikëbërësit," tha Gourinchas.

Shtrëngimi i politikës monetare do të "godasë" vitin e ardhshëm, duke ngadalësuar rritjen dhe duke ushtruar presion mbi vendet e tregjeve në zhvillim, por vonimi i këtij procesi "vetëm do të përkeqësojë vështirësitë", tha ai, duke shtuar se bankat qendrore "duhet të qëndrojnë në kurs derisa inflacioni të zbutet".

Dorina Kurtaj / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=Kp4a0lfm99k

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat