Bota Postuar më 29 Nëntor 2023, 21:39

Stuhia në Detin e Zi mbështet naftën - Investitorët po presin edhe takimin e OPEC+ të enjten

Nga SCAN TV
Stuhia në Detin e Zi mbështet naftën - Investitorët po

Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm në sesionin e sotëm, pasi një stuhi në rajonin e Detit të Zi ndërpreu eksportet e naftës nga Kazakistani dhe Rusia, duke rritur frikën e tkurrjes së furnizimit.

Gjithashtu, investitorët po presin edhe vendimet e OPEC+ të enjten, që mund të vendosë të thellojë ose zgjasë shkurtimet e prodhimit. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 82 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 77 dollarë për fuçi.

Të dyja kontratat u rritën me rreth 2% në sesionin e kaluar, për shkak të mundësive që Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë si Rusia, që ndryshe njihen si OPEC+, të thellojnë shkurtimet e furnizimit. Në rritjen e çmimeve po ndikon edhe një dollar më i dobët. Një stuhi e fortë që goditi rajonin e Detit të Zi ka ndërprerë rreth 2 milionë fuçi naftë në ditë të eksporteve të naftës nga Kazakistani dhe Rusia.

Fushat e mëdha naftëmbajtëse në Kazakistan po ulin prodhimin e kombinuar ditor të naftës me 56% që nga 27 nëntori, tha ministria e energjisë në vend. E gjithë vëmendja e investitorëve do të jetë e perqëndruar te vendimet e OPEC+ dhe te perspektiva e kërkesës deri në fundit të këtij viti. Parashikohet që bisedimet brenda grupit të jenë të vështira dhe një përmbysje e marrëveshjes së mëparshme është e mundur, thanë katër burime të OPEC+.

Ndërkohë, dollari amerikan po qëndron në nivelin më të ulët në 3 muajt e fundit, përballë shportës me monedhat kryesore ndërkombëtare, pasi pritet të Rezerva Federale të fillojë uljen e interesave në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Një dollar më i dobët zakonisht i mbështet çmimet, pasi e bën naftën më të lirë për ata që mbajnë monedha të tjera. Ndër zhvillimet e tjera, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 817,000 fuçi javën e kaluar, sipas të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës. Investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen nga Administrata për Informimin mbi Energjinë, më vonë gjatë ditës së sotme.

SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat