Si e shmangnin drejtësinë shqiptarët në vitet ’30! Loja me ndryshimin e emrave. Rasti unikal gjyqësor në botë: I pandehuri dhe dëshmitari, me të njëjtin emër,atësi e mbiemër
Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN
Dalja e Shqipërisë nga Perandoria Osmane u shoqërua, ndër të tjera, edhe nga mungesa e të dhënave të sakta lidhur me situatën demografike dhe ekonomike të territorit të vendit. Regjistrimi i parë, por i pjesshëm i popullsisë u krye në vitin 1918 nga autoritetet Austro-Hungareze që administronin asokohe vetëm një pjesë të Shqipërisë.
Në këtë vit, krahas elementeve të tjera, një nga problematikat që u konstatua ishte mungesa e mbiemrave ndaj dhe u ngrit një komision i posaçëm, ku jo pak shqiptarë regjistruan emrin dhe mbiemrin, duke u hequr ato që konsideroheshin si prapashtesa osmane.
Çarmatosja, heqja e privilegjeve dhe regjistrimi i popullsisë; elementet e para të shtet-ndërtimit
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore nisin përpjekjet për ndërtimin e shtetit. Ndaj, në fillimet e viteve ’20 ndërmerren disa reforma madhore konsoliduese të shtetit, që nuk ishin ndërmarrë më parë.
Hapi i parë që u ndërmor ishte çarmatosja e popullsisë. Edhe pse zotërimi i pakontrolluar i armëve nëpër familjet shqiptare konsiderohej si një vlerë që i kishte ndihmuar ata që të mos binin në robëri e të mos asimiloheshim si komb, sërish në kushtet e reja të një shteti të pavarur, kjo vlerë konsiderohej se ishte jashtë kohës.
Ndaj në vitin 1922 realizohet një fushatë kombëtare çarmatosje të popullsisë, në fund të të cilit u grumbulluan 33 mijë armë; pjesa më e madhe e të cilave në Shkodër dhe Durrës. Për herë të parë u çarmatosën Mirdita, Shala e Shoshi si dhe malësitë e tjera të vendit. Procesi nuk u realizua lehtësisht dhe u shoqërua nga kundërshtime dhe dhunë.
Pas këtij operacioni ushtarak filloi organizimi administrativ dhe financiar i vendit ku u organizuan prefekturat. Po në vitin 1922 u miratua ligji që i detyroi të gjithë shqiptarët, pa përjashtim që të paguanin taksat njësoj, ndryshe nga periudha e mëparshme e Perandorisë Osmane ku ekzistonin ato që ishin emërtuar si “privilegje”.
Një hap tjetër ishte rekrutimi i ushtrisë, ku 280 ushtarakët e parë ishin nga Dibra dhe 250 të tjerë nga Kosova dhe Shkodra.
E në këtë kontekst, duhej të realizohej edhe regjistrimi i popullsisë, me qëllim që të përcaktohej niveli i të ardhurave nga taksat, numri i votuesve por edhe numri i ushtarëve që mund të rekrutoheshin për të përbërë Forcën e Sigurisë në shtetin që po formohej. Në këtë kontekst, në vitin 1923 u krye edhe regjistrimi i parë i popullsisë nga ku rezultoi se numri i banorëve në Shqipëri ishte rreth 800 mijë.
Një proces tjetër regjistrimi i popullsisë u krye në vitet ’30, kohë kur edhe Ahmet Zogu ndryshon mbiemrin e tij duke hequr prapashtesën osmane Olli (Zogolli). Në vitin 1935, u miratua dhe ligji që e ndalonte që ndonjë shqiptar tjetër të vendoste mbiemrat Zogu apo Zogolli, që duhej t’i kishte vetëm familja mbretërore.
Deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore nuk ndërmerren regjistrime të tjera. Përjashtim bën detyrimi gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku ushtria italiane e bëri të detyrueshme heqjen e prapashtesës ‘vic” te familjet që banonin në tokat e liruara nga okupatori serb në Kosovë, Dibër, Strugë, Plavë, Guci, Tuzi dhe Ulqin, që iu bashkëngjitën shtetit shqiptar pas kapitullimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në 1941.
Fenomeni shqiptar unik në botë! Loja me emrat, mënyra se si shqiptarët shmangnin sistemin e drejtësisë.
Regjistrimi i parë i pasluftës është ai i shtatorit të vitit 1945 në kuadrin e zgjedhjeve që u bënë në dhjetor të atij viti. Por para se të bëhej regjistrimi, drejtori i Statistikës harton një koncept për regjistrimin e popullsisë, duke vënë theksin te disa fenomene të pabesueshme që kishin ndodhur për shkak të asaj se çfarë shqiptarët bënin me emrat dhe mbiemrat. Shkresa mban datën 4 korrik dhe nxjerr në pah problematikat me të cilat ishin përballur qeveritë dhe gjykatat deri në atë kohë.
“Një nga të metat e mëdha të vendit tonë që nuk është shtruar asnjëherë për t’u biseduar seriozisht në qarqet qeveritare të kaluara është mungesa e mbiemrave (llagapeve) të një pjesë të madhe të familjeve.
Mungesa e këtyre llagapeve ka shkaktuar ndërlikime të mëdha në të gjitha degët e administratës shtetnore dhe dëme të ndihshme një numri të madh të nënshtetasve pa llagap.
Si shëmbëll po sjellin një rast që është pothuajse i pabesueshëm dhe ndofta i vetëm në botë. Në Shkodër paraqitet një herë një çështje në gjyqin civil, ku dëshmitari dhe i pandehuri kishin emrin e parë dhe t’atit të njëllojtë.
Gjyqi për t’i dalluar këta, kërkoi edhe emrat e gjyshërve por edhe ata ishin të njëjtë dhe më së fundmi u konstatua se dhe mëmat e tyre kishin një emër të përbashkët. Raste të këtilla që i afrohen shumë së parës, di të tregojë çdo gjykatës. Shumë persona kanë përfituar nga këto raste, kanë tentuar dhe kanë dëmtuar bashkëqytetarët e tjerë të një emri” shkruhet në shkresën e datës 4 korrik 1945, drejtuar kryeministrisë nga drejtori i Statistikës, Pasko Milo.
Një problematikë tjetër që konstatohet është ajo e qytetarëve që e ndryshonin mbiemrin duke marrë atë të fshatit apo që përdornin pseudonime që shkonin shumë larg emrit.
“Ka shumë raste ku vëllezër të një barku (prej prindërish të përbashkët) kanë marrë mbiemra të ndryshëm me paramendim, pa dashur ose për shkak të administratës së çregullt.
Këso shembëlla mund të përmendim shumë. Të tepruara janë dhe mbiemrat e maruna nga vendlindja dhe si shembull sjellim Frashërllinjtë, të cilët pothuajse e kanë marrë që të gjithë këtë mbiemër, si muhamedanët dhe të krishterët.
Në këtë kategori hynë dhe mbiemrat që rrjedhin nga ofiqi apo mjeshtëria e të parëve si Papa, Prifti, Hoxha, Shehu, Berberi, Furxhiu, Nallbani, Peshkaxhi etj. Një e metë tjetër që ngjan prapë vetëm ndër ne është ndërrimi i emrit të parë. Në çdo vend tjetër dokumentet e ndryshme të një personi kanë kurdoherë emrin e parë të plotë në regjistrat themeltarë të gjendjes civile.
Pra kur një fëmijë regjistrohet ndënë emrin Dhimitër, at’here të gjithë dokumentet shkollore dhe të çdo natyre tjetër do të tingullojnë në këtë emër dhe qoftë si kur ky të thërritet nga familja apo nga shokët e tij Taqi, Raqi, Mitri, Miti, Mitko, Dhimo etj.
Një ndryshim i emrit të parë gjer në këtë gradë duhet të jetë patjetër i ndaluar, porse prapë s’është dhe aqë i tepëruar si në disa raste ku emri i parë i regjistrimit me atë të zgjedhurin s’kanë të bëjnë fare me njëri tjetrin.
Si shëmbëll po sjellim një që është regjistruar Rexhaji dhe nënshkruhet si Reks ose më mirë po përmendin gjyqin e famshëm t’aventurierit Çatin Saraçi në lidhje me atë aventurierin meksikan dhe më të famshmë se Çatinin, q’e gënjeu Zogun kaqë shumë sa q’u dekorua me dekoratën t’onë më të madhe.
Kur gjykata po bënte hetimet për t’a sjellë para gjyqit ndeshi në pengime mbasi i pandehuri Çatin Saraçi nuk figuronte në regjistrat themeltar të Shkodrës.
Me kohë e diktoj gjyqi që ishte regjistruar ndënë emrin Pashuk Saraçi por këtë e përgenjeshtroj si i vëllaj, që n’atë kohë ishte ministri i Financave, ashtu edhe Priftëria e Shkodrës. Ky shëmbëll pasqyron kohën e asajhershme se si e quejtura elitë tallej me drejtësinë. Një anarki e këtillë do të ketë sunduar edhe në shtetet e përparuara që kur se këta kanë detyruar popullin e tyre shumë shekuj më parë të vinin nga një llagap” vijon më tej shkresa
Numri i familjeve që nuk kishin mbiemër në Shqipërinë e vitit 1945 llogaritej në rreth 20-30 mijë. Ndaj edhe rasti më i mirë për të pajisur këto familje me mbiemër vlerësohej regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë.
Drejtori i Statistikës i kërkoi qeverisë shqiptare autorizimin me një ligj të posaçëm për ngritjen e një komisioni me autoritete me qëllim që të pajiseshin familjet me mbiemra të vjetër ose të rinj. Komisioni kishte në përbërje personalitete si Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Osman Myderizi, Ali Asllani apo Hysen Çela. Detyra e këtij komisioni ishte edhe hartimi i një liste me mbiemra të përshtatshëm me qëllim që ata që nuk e kishin një mbiemër, të përzgjidhnin cilin mbiemër do të mbanin zyrtarisht.
Regjistrimi i parë i popullsisë u bë pak muaj më vonë nga hartimi i këtij koncepti, në shtatorin e 1945.
Gjatë periudhës 1945-1990 u kryen periodikisht regjistrime të popullsisë që vendosën ‘rend’ edhe në çështjen e emrave dhe mbiemrave të qytetarëve shqiptare. Megjithatë, në vitin 1975 u miratua edhe një vendim që parashikonte ndërrimin e emrave dhe mbiemrave që konsideroheshin si të papërshtatshëm.
“Me qëllim që të ruhen dhe forcohen traditat kulturore përparimtare dhe të vihen emra me përmbajtje të shëndoshë politike, ideologjike e morale, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi që shtetasit që kanë emra të papërshtatshëm në vështrim politik, ideologjik dhe moral, si dhe mbiemrat përçmues, detyrohen t’i ndërrojnë. Nëpunësi i gjendjes civile nuk lejohet të regjistrojë lindjen e fëmijës së cilës deklaruesi kërkon t’i vërë një emër të papërshtatshëm në vështrimin politik, ideologjik e moral.
Me kalimin e afatit 30 ditor, regjistrimi i lindjeve bëhet me vendim të Këshillit Popullor ose Komitetit Ekzekutiv të fshatit të bashkuar të qytetit dhe për Tiranën më vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të lagjes ku kanë vendbanimin prindërit, duke i vënë fëmijës një emër të përshtatshëm” shkruhej në dekretin 5339 të datës 23 shtator 1975. Në këtë periudhë, u përzgjodhën shumë emra të periudhës ilire dhe u ndaluan emrat me përmbajtje fetare apo të huaj.
Praktika e ndalimit të vendosjes së emrave të papërshtatshëm është një praktikë që ndiqet ende në ditët e sotme.
Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN
Sondazh
Të rinjtë, “në garë” për bursën - AMF ndan çmimet për studentët pjesëmarrës në konkurs
40 skuadra studentore, nga 18 universitete të ndryshme në vend, si edhe një universitet nga Maqedonia e Veriut, orën pjesë në konkursin “Të mësojmë për bursën”......
Bizneset në Britani, më optimiste - Shpresa për ecurinë e pagave dhe ulje të inflacionit
Bizneset britanike ishin më të sigurta gjatë muajit mars 2023 përsa I përket ecurisë së tyre dhe pritjet për çmimet, të cilat po vëzhgohen nga Banka e Anglisë......
Do ndalohet fshehja e pagave në BE - Krahasimi dhe zbulimi i diferencave gjinore mund të jetë më i lehtë
Shumë kompani ende nuk janë transparente në lidhje me pagat duke mos i lejuar punonjësit e tyre të sigurohen se po paguhen në mënyrë të drejtë. Por ka shenja......
Sa zgjat një gjyq në Shqipëri? - Për çështjet civile mesatarisht 6 vjet, për ato administrative deri në 13 vite. Krahasimi me Europën
Sipas raportit të vlerësimit të hartuar nga “Komisioni i Europës” mbi sistemet gjyqësore europiane, për vitin 2020, në Shqipëri duhen mesatarisht 366 ditë për......
Sa i ka rënduar paga minimale biznesit ndër vite? - Do të paguajnë 3.904 lekë më shumë kontribute për punonjësit
Me rritjen e pagës minimale e cila do të jetë 40.000 lekë nga 1 prilli, rrjedhimisht janë rritur dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Duke bërë një......
Prodhimi i energjisë nga inceneratorët - Komuniteti i Energjisë kërkon vlerësime, raporti i dorëzuar nga Shqipëria: Asnjë informacion!
Shqipëria nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me prodhimin e energjisë nga inceneratorët pranë Komunitetit të Energjisë. Ky i fundit ka publikuar Raportin......
ARRSH, 2.5 mld lekë për 3.84 km rrugë - Tenderi, për aksin e korridorit VIII nuk përfshin asfaltimin. Punimet do zgjasin 2 vjet
Me një fond limit prej 2.5 mld lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për fazën e dytë të zgjerimit të rrugës Elbasan – Qafë Thanë, pjesë e......
A do subvencionohen bizneset e vogla për pagën minimale? - Ibrahimaj: Është kosto e përballueshme, nuk falimentojnë
Nga data 1 Prill paga minimale në vend do të jetë zyrtarisht 40 mijë lekë. Por pavarësisht rritjes të kostos financiare për bizneset e vogla dhe të vetë......