Shqipëria Postuar më 31 Mars 2023, 14:50

ARRSH, 2.5 mld lekë për 3.84 km rrugë - Tenderi, për aksin e korridorit VIII nuk përfshin asfaltimin. Punimet do zgjasin 2 vjet

Nga SCAN TV
ARRSH, 2.5 mld lekë për 3.84 km rrugë - Tenderi, për aksin e

Me një fond limit prej 2.5 mld lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për fazën e dytë të zgjerimit të rrugës Elbasan – Qafë Thanë, pjesë e korridorit VIII. Sipas dokumenteve të tenderit gjatësia e segmentit të dytë është 3.84 km, ndërkohë që paratë e vëna në dispozicion nuk mjaftojnë për asfaltimin, duke specifikuar se punimet për këtë shtresë rruge nuk janë objekt i këtij tenderi. Aksi fillon në fshatin Mirakë dhe përfundon 600 m përpara urës të Murrashit, ndërkohë që referuar grafikut të punimeve do të duhen 2 vjet për përfundimin e tij.

Ky është segmenti i dytë për të cilin po zhvillohet tenderi, teksa në segmentin e parë, që ka një gjatësi prej rreth 5 km në fillim të këtij viti nisën punimet. Në total, gjatësia e rrugës nga Elbasani në Qafë Thanë është 50.12 km, por të paktën për 1 segment nuk ka nisur ende as faza e projektimit.

Kjo pasi, ARRSH aktualisht ka parashikuar hapjen e garës për projektimin e segmentin që do të lidhë Bushtricën, me pikën doganore me Maqedoninë e Veriut. Në dokumentet e tenderit rruga Elbasan – Qafë Thanë përshkruhet si shumë e rëndësishmE në drejtim të turizmit dhe zhvillimit ekonomik, por shpesh herë me një trafik të rënduar dhe me gjendje jo të mirë të parametrave teknikë.

Kategoria e rrugës që do të ndërtohet do të jetë e Kategorisë B, teksa pala maqedonase për pjesën e korridorit 8 që kalon në territorin e saj ka avancuar, duke kryer Projekt - Zbatimin e rrugës Qafë Thane – Strugë - Gostivar me parametrat e një rruge të Kategorisë A.

Korridori VIII është konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, njerëzve, naftës dhe furnizimeve me energji midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore. Ai nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, në portet e Durrësit e Vlorës dhe më pas vazhdon drejt Tiranës, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.

Ola Mitre /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat