Shqipëria Postuar më 26 Shtator 2024, 10:33

Si do të kontrollohen pagesat në sektorin e ndërtimit? - Qeveria/ Plan masash për eliminimin e skemave të mashtrimit me TVSH-në

Nga SCAN TV
Si do të kontrollohen pagesat në sektorin e ndërtimit? - Qeveria/

Elisabeta Dosku/ SCAN

 

Sektori i ndërtimit është kthyer në gjeneruesin kryesor të ekonomisë për shkak të rritjes së sipërfaqeve ndërtimore dhe transaksioneve, të përqendruara më së shumti në kryeqytet dhe në zonat bregdetare. Por pavarësisht kësaj ecurie, duket se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i paguar nga kompanitë, nuk është në nivelet që pret qeveria shqiptare.

Në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, të publikuar në Fletoren Zyrtare, evidentohet se në fund të vitit 2023 rezultojnë 4.431 tatimpagues deklarues TVSH-je në këtë sektor, nga 7649 tatimpagues po në këtë sektor, të cilët janë deklarues në tatimin mbi fitimin ose tatimin e thjeshtuar mbi fitimin. Pra 58 % e tatimpaguesve të këtij grupi, janë subjekt i TVSH-së. Lidhur me TVSH-në e paguar ndër vite, rezulton rritje me 25% në 2023 krahasuar me vitin 2022 ose rreth 2 miliardë lekë më shumë. Por  pavarësisht nga kjo rritje, vlerësohet se sektori i ndërtimeve dallon si një sektor veçanërisht problematik lidhur me TVSH-në e nëndeklaruar. Pjesa më e madhe e pagesave të TVSH-së bëhen nga tatimpaguesit me xhiro mbi 50 milionë lekë, të cilët përbëjnë edhe 85% të totalit

Për këtë arsye, Administrata Tatimore do të hartojë një plan sektorial të dedikuar vetëm për sektorin e ndërtimit dhe zinxhirin furnizues të tij, i cili ka si qëllim eliminimin e skemave të mashtrimit të TVSH-së në ndërtim, duke synuar rritje të TVSH-së së pagueshme. Sipas dokumentit, edhe përvoja ndërkombëtare tregon se ndërtimi është një sektor shumë i ndjeshëm ndaj mashtrimit të TVSH-së përgjatë zinxhirit të furnizimit të nënkontraktuesve.

Për të arritur këtë qëllim, do të bëhet monitorimi i të gjithë zinxhirit furnizues së këtij sektori për të evidentuar të gjitha hallkat ku konstatohet rrjedhje e TVSH-së. Analiza do të përfshijë të gjithë tatimpaguesit që operojnë në sektorin e ndërtimit dhe nënkontraktorët e tyre duke filluar nga importi/prodhimi i lëndëve të para për sektorin e ndërtimit deri në analizën e kostove, sasisë dhe çmimeve tek kantierët e ndërtimit.

Fokus kryesore do të jetë TVSH-ja, por pa anashkaluar tatim mbi fitimin dhe problematikat që kanë të bëjnë me deklarimin e punonjësve.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat