Shqipëria Postuar më 25 Shtator 2024, 15:44

NOA, 2 mln USD për sektorin e këpucëve dhe veshjeve - Bizneset përfituan mbështetje financiare dhe trajnime të shumta nga projekti FALP

Nga SCAN TV

Ledina Elezi/SCAN

 

Në një projekt të përbashkët me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Shoqatën Pro-Export Albania, institucioni financiar NOA ka bërë të mundur shpërndarjen e 45 kredive me vlerë 2 milionë dollarë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që operojnë në sektorin e këpucëve dhe veshjeve në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e NOA, Herjola Spahiu, u ndal në përfitimet konkrete që ka pasur industria fasone nga zbatimi i këtij projekti.

“Financimet e projektit të FALP-it janë financime të dedikuara një industrie shumë specifike dhe me një madh impakt shumë të madh në eksportet shqipatre, industrisë së veshjeve dhe këpucëve. Është një projekt të cilin ne e kemi filluar që në janar të vitit 2023 me dëshirën e madhe për të sjellë një inovacion, një produkt të dedikuar te një industri e cila kishte aksese shumë të limituara sidomos pas periudhës së covid-it, por edhe gjatë periudhës së vitit të kaluar.”

Kryetari i Shoqatës Pro-Export Albania, Edvin Prençe u shpreh se FALP nuk ka ofruar vetëm ndihmë financiare për bizneset, por gjithashtu edhe trajnime të shumta për punonjësit e tyre.

“Nuk ka qenë optika e vetëm dhënies së kredive të këtyre bizneseve, këto biznese janë ndjekur me trajnime të punonjësve të tyre, duke filluar nga baza. Ka filluar me trajnimin e menaxherëve dhe një trajnim për marketingun për hapjen e tregjeve të reja. Në vetvete nuk ishte vetëm marrja e kredisë, por një gjithëpërfshirje e trajnimeve ishte shumë e rëndësishme.”

Në takimin përmbyllës të projektit të financimit të sektorit fason, Këshilltari i Lartë Teknik i USAID Albania, Adam Norikane theksoi impaktin ekonomik që projekti FALP ka pasur në vendin tonë.

“Ka përmirësuar edhe qasjen ndaj financimit, veçanërisht për ato biznese që drejtohen nga gratë, duke sjellë inovacionin, zgjerimin dhe për të vazhduar edhe prosperitetin, begatinë dhe rritjen ekonomike.”

Si rezultat i vështirësive që po kalonin bizneset e vogla dhe të mesme nga mbiçmimi i lekut, rritja e çmimeve dhe pasojat ekonomike të pandemisë, NOA ka ofruar kredi pa kolateral deri në 75,000 euro, duke shmangur falimentimin e dhjetëra kompanive dhe garantuar 598 vende pune.

Ky projekt u bë i mundur falë mbështetjes bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nën projektin USAID CATALYZE Engines of Growth.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat