Europa Postuar më 26 Shtator 2024, 13:46

Britani, miniera e parë e litiumit hapet në 2025 - Synohet furnizimi i baterive për 500,000 automjete elektrike në vit

Nga SCAN TV
Britani, miniera e parë e litiumit hapet në 2025 - Synohet furnizimi i

Kristi Ceta/SCAN

 

Në fillim të vitit, një impiant demonstrativ në Britaninë e Madhe filloi operimin për përpunimin e litiumit, tetë vjet pas shpalljes së projektit. Ky është hapi i parë drejt hapjes së minierës.

Projekti u nis nga kompania fillestare Cornish Lithium dhe u mbështet nga Banka Britanike e Infrastrukturës, si edhe nga kompanitë kryesore të minierave. Vendndodhja është në Kornuell, i cili dikur ishte një qendër globale minerare, por u bë një nga zonat më të varfra në vend pas mbylljes së minierës së fundit.

Prodhimi tregtar i litiumit duke përdorur dy metodologji, nga ujërat gjeotermike dhe nga shkëmbinjtë, pritet të fillojë në fund të vitit të ardhshëm, gjë që do t'i japë Britanisë së Madhe minierën e saj të parë të litiumit.

Vlerësohet se deri në fund të dekadës, nëse planet do të zbatohen, miniera mund të furnizojë 20,000 tonë litium në vit, që mjaftojnë për bateritë e 500,000 automjeteve elektrike ose një të tretën e prodhimit total të makinave britanike.

Për qëllime kërkimore, në fazën e parë të projektit u grumbulluan 67 milionë dollarë si pjesë e një pakete më të madhe prej 210 milionë dollarësh, e cila do të përshpejtonte zbatimin e projektit, ndërsa përllogaritja përfundimtare për fillimin e minierës do të arrijë në 728 milionë dollarë.

Për shkak të mungesës së fondeve, planet u vunë në pikëpyetje në mesin e vitit të kaluar, më pas Cornish Lithium themeloi një konsorcium me kompaninë Imeris dhe kështu zgjidhi çështjen financiare.

Procesi i nxjerrjes së litiumit nga ujërat termale përfshin ngrohjen e tyre në një temperaturë prej 70 deri në 80 gradë Celsius, kështu që kompania njoftoi se kjo nxehtësi do të mund të përdoret për ngrohje në industritë dhe vendbanimet përreth.

Kompania minerare Imeris, është gjithashtu duke punuar në një projekt për të hapur një minierë litiumi në Francën qendrore. Përveç kësaj, ka edhe dy depozita të tjera në fazën e projekteve fillestare, një në Alpet Austriake dhe tjetra në rajonin verior portugez të Barroso.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat