Shqipëria Postuar më 15 September 2026, 13:32

Shqipëria, me bursë kapitalesh? - Musabelliu: Madhësia e tregut e bën të pamundur funksionimin normal të tij

Nga Ledina Elezi

bursa

Madhësia e tregut në Shqipëri e bën të pamundur funksionimin normal të një tregu kapitalesh dhe aq më tepër të një burse. Kështu i është përgjigjur Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, pyetjes së bërë në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, nëse qeveria  po ndërmerr ndonjë nismë për të krijuar një bursë kapitalesh.

Sipas tij, vendet e rajonit kanë bursa të regjistruara dhe funksionale, por funksionojnë në mënyrë të sforcuar. Madhësia e tregut është ajo që përcakton nevojën e këtij tregu për shërbime të kësaj natyre dhe listimin e mëtejshëm të kompanive shqiptare në bursë.

 “Me hyrjen në Bashkimin Evropian, me bashkimin e tregut, do të ishte më e udhës që kompani të caktuara në shqiptare që do të donin të listonin, të shfrytëzonin tregun e vetëm evropian dhe të listoheshin në një nga bursat që operojnë në tregun e vetëm evropian, krahasimisht me tentativën që në shumicën e vendeve të rajonit, nuk ka prodhuar asnjë efekt për t’u regjistruar në një bursë lokale”, tha Musabelliu.  

Nga ana tjetër, projektligji për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike, ka si shtyllën më të rëndësishme, forcimin e mbrojtjes së aksionerëve gjatë procesit të ofertës dhe konsolidon parimin e trajtimit të barabartë dhe të drejtë të mbajtësve të titujve dhe në mënyrë të veçantë, ndërhyn në mekanizmin e përcaktimit të çmimit të ofertës. Ai përcakton edhe më qartë rolin mbikëqyrës të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.  

“Ky projektligj i jep Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mundësinë që me vendim të paarsyetuar, edhe të ndërhyjë duke përcaktuar një çmim oferte më të lartë apo më të ulët kur çmimi i formuar nga transaksioni nuk pasqyron në mënyrë reale vlerën objektive të aksioneve. Më në detaje, ky ligj përcakton edhe rastet konkrete kur mund të ushtrohet kjo kompetencë, dhe specifikisht i referohemi situatave kur çmimi është rezultat i një marrëveshje që nuk pasqyron kushtet e tregut, kur është ndikuar nga manipulimi ose praktikat e tjera që shtrembërojnë funksionin normal të tregut, kur formimi i çmimit është ndikuar nga ngjarje të jashtëzakonshme apo kur rregullimi i tij është i nevojshëm për shpëtimin apo ristrukturimin e një shoqërie në vështirësi”, tha ndër të tjera Musabelliu.

Projektligji rregullon edhe situatën pas përfundimit të ofertës, kur ofertuesi ka arritur të sigurojë 75% ose më shumë të kapitalit me të drejtë vote. Në këtë rast, ai mund të thërrasë menjëherë mbledhjen e parë të përgjithshme të aksionerëve, me qëllim ndryshimin e statutit apo emërimin ose shkarkimin e anëtarëve të administrimit sipas kushteve dhe garancive të përcaktuara në ligj. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat