Shqipëria Postuar më 6 Dhjetor 2022, 14:16

Shifrat/ Sa fiton Shqipëria nga heqja e roaming me BE - Përfitimi shumë më i madh se me rajonin. Paketat mjaft të kushtueshme, deri 4 mijë lekë në ditë

Nga SCAN TV
Shifrat/ Sa fiton Shqipëria nga heqja e roaming me BE - Përfitimi

Nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e tarifave të roaming-ut të vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato të Bashkimit Europian ishte një prej zhvillimeve më të rëndësishme me karakter ekonomik të Samitit të Bashkimit Europian në Tiranë. Sipas burimeve pranë AKEP të kontaktuara nga Scan TV, një marrëveshje e tillë do të kursente miliona euro për qytetarët shqiptarë, veçanërisht në vendet ku ka prezencë të madhe, siç janë Greqia, Italia, Gjermania, apo Britania e madhe. Impakti ekonomik sipas burimeve të AKEP, do të jetë i ngjashëm me heqjen e tarifave roaming me vendet e rajonit gjatë vitit të shkuar, i cili ka ulur ndjeshëm kostot e komunikimeve për të gjithë vendet. Sipas një vlerësimi të përafërt, qytetarët shqiptarë do mund të kursenin deri në 10 milionë euro në vit nëse marrëveshja do të nënshkruhej me të gjitha vendet e Unionit.

Përmes një vështrimi të shpejtë të tarifave të shërbimit roaming nga operatorët shqiptarë, bie në sy se ato janë mjaft të kushtueshme. Sa për të sjellë një shembull, planet ditore unlimited për destinacionet evropiane luhaten rreth vlerës 4 mijë lekë. Diçka më të lira janë paketat e udhëtimeve, të cilat zbresin në rreth 200 lekë në ditë, por me volum të kufizuar interneti, thirrjesh e sms.

Heqja e tarifave roaming me pakicë për rajonin u bë e mundur pas arritjes së marrëveshjes mbi reduktimin e çmimeve të shërbimeve roaming në rrjetet publike të komunikimit celular në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të nënshkruar vitin e shkuar në Beograd nga ministritë përgjegjëse për komunikimet elektronike të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, dhe Serbia).

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) bëri të ditur që vitin e shkuar se sfida e radhës do të jetë heqja e tarifave për roaming-un në vendet e Bashkimit Europian në të ardhmen, duke mbështetur iniciativat e Qeverisë në këtë drejtim, nëpërmjet bashkëpunimit me Komisionin Evropian, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Duke parë praninë shumë të madhe të shqiptarëve në disa prej vendeve europiane, përfitimet do të ishin shumë më të mëdha se marrëveshja për heqjen e tarifave në rajon.

Lorenc Rabeta/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat