Scan Life Postuar më 1 Janar 2026, 15:11

Një vit sport - Shqipëria siguron “play off”-in për në botëror

Nga SCAN TV

Një vit sport - Shqipëria siguron “play off”-in

Me një fitore minimale 0-1 ndaj Andorrës, Shqipëria siguroi për herë të parë në histori fazën “play off” të Botërorit 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Humbja e Serbisë me Anglinë, bëri që kombëtarja jonë të sigurojë matematikisht vendin e dytë në grup. Por, përpara se të shkojë në Botëror, Shqipëria ka edhe dy pengesa për të kaluar. Goglat në shortin që u hodh në Zyrih, përcaktuan se kombëtarja jonë do të ndeshet në ndeshjen e parë me Poloninë, takim i cili do të zhvillohet më 26 mars. Në rast fitoreje, kombëtarja shqiptare do të ndeshet në finale me fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi. Edhe në këtë rast Shqipëria do ta luajë ndeshjen jashtë fushe, ndërsa takimi do të zhvillohet më 31 mars.

Polonia është një kundërshtar jo i panjohur për kombëtaren tonë, pasi në eliminatoret e fundit është ndeshur shpesh me këtë skuadër. Ndeshja e fundit me Poloninë është ajo e 10 shtatorit 2023, ku kuqezinjtë fitonin në stadiumin “Air Albania” me rezultatin 2-0, me gola të shënuar nga Asani dhe Daku.

Nëse kualifikohet, shorti i hedhur në Uashington ka vendosur që Shqipëria të jetë pjesë e grupit F, së bashku me ekipe të forta si Holanda, Japonia, dhe Tunizia. Kupa e Botës do të startojë më 11 qershor dhe Shqipëria do të shpresojë të jetë një nga ekipet që do të garojnë për titullin më të madh të futbollit.

Paris Saint-Germain fiton Champions League

Paris Saint-Germain shkatërroi Interin 5-0 për të fituar titullin e tyre të parë në Champions League dhe, njëkohësisht, për t’u bërë klubi i parë francez që arrin tripletën historike. Desire Doué shënoi dy gola dhe udhëhoqi skuadrën e Luis Enrique drejt triumfit të tyre të parë në Kupën e Europës.

Doué, vetëm 19 vjeç, bëri një paraqitje mahnitëse, duke asistuar Achraf Hakimin që hapi rezultatin pas 12 minutash lojë, përpara se ta dyfishonte vetë avantazhin tetë minuta më vonë me një goditje që u devijua.

Ai vulosi fatin e finales në minutën e 63-të me një goditje të saktë në cepin e poshtëm, përpara se Khvicha Kvaratskhelia të depërtonte lirshëm dhe të realizonte golin e katërt për PSG-në. Zëvendësuesi Senny Mayulu përmbylli goleadën.

Pas humbjes në finalen e vitit 2020 ndaj Bayern Munich, skuadra e Luis Enrique, e cila këtë sezon rrezikoi eliminimin që në fazën e ligës, më në fund e mori trofeun që pronarët nga Katari, me investime marramendëse, e kishin dëshiruar prej vitesh.

Tottenham Hotspur fiton Europa League

Tottenham Hotspur fitoi një finale të ashpër të Europa League me rezultatin 1-0 kundër Manchester United, duke shpëtuar sezonin dhe siguruar një vend në Champions League falë golit të Brennan Johnson, në pjesën e parë. Ky ishte trofeu i parë i Spurs që prej Kupës së Ligës në vitin 2008 dhe trofeu i parë europian që prej vitit 1984, si edhe hera e katërt që mposht United këtë sezon. Johnson shënoi në minutën e 42-të.

Goli ishte po aq i rrëmujshëm sa edhe vetë ndeshja, një përballje mes dy skuadrave që kanë pasur sezone zhgënjyese në Premier League, me United të renditur në vendin e 16-të dhe Spurs në të 17-in.

Fitorja nuk mjaftoi për të mbajtur në detyrë trajnerin australian Ange Postecoglou, i cili u zëvendësua nga danezi Thomas Frank, i ardhur nga rivalët londinezë të Brentford.

Chelsea fiton Conference League dhe Kupën e Botës për Klube

Chelsea u zgjua në pjesën e dytë dhe përmbysi rezultatin për të fituar trofeun e Conference League me një fitore 4-1 ndaj Real Betis, një rikthim i mbështetur nga kreativiteti i Cole Palmer.

Golat e Enzo Fernández dhe Nicolas Jackson, të dy të shërbyer në mënyrë perfekte nga Palmer, si edhe finalizimet e vona të Jadon Sancho dhe Moisés Caicedo siguruan trofeun, pasi Betis kishte mbyllur pjesën e parë në avantazh 1-0 falë një goli të Abde Ezzalzouli.

Dy asistimet e Palmer për pesë minuta në pjesën e dytë e kthyen ndeshjen në favor të Chelsea-t dhe performanca e tij i dha çmimin “Lojtari i Ndeshjes”.

Fitorja e bën Chelsean skuadrën e parë që ka fituar të tria garat europiane: Champions League (dy herë), Europa League (dy herë) dhe tani Conference League. Skuadra e Enzo Marescës vazhdoi më pas me triumfin edhe në Kupën e Botës për Klube, sipas formatit të ri.

Palmer shkëlqeu sërish me një pjesë të parë fantastike teksa Chelsea shkatërroi Paris Saint-Germain 3-0 në finalen e zhvilluar në stadiumin MetLife të Neë Jersey-t.

Mesfushori ofensiv anglez shënoi dy gola dhe asistoi për João Pedro në një paraqitje të frikshme, që i la të tronditur kampionët e Europës dhe të Francës, të cilët e mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë.

Pas një sezoni të jashtëzakonshëm, PSG ishte favorite e madhe, ndërsa Chelsea mbërriti në SHBA si fituese e Conference League dhe pas një kampionati ku mezi siguroi vendin e katërt në Premier League.

Flamengo fiton Copa Libertadores

Flamengo siguroi titullin e katërt të Copa Libertadores, me një fitore të ngushtë 1-0 ndaj Palmeiras në Estadio Monumental në Lima. Momenti vendimtar erdhi në minutën e 67-të, kur Danilo shënoi me kokë pas një goditjeje këndi, duke zhbllokuar rezultatin. Ky sukses i dha klubit nga Rio de Janeiro mundësinë të zgjaste dominimin brazilian në këtë turne në shtatë vite radhazi.

Liverpool fiton Premier League angleze

Liverpooli fitoi titullin e Premier League në sezonin e parë të trajnerit Arne Slot, i cili mori drejtimin pas largimit të Jürgen Klopp. Skuadra siguroi titullin e 20-të në Angli me katër ndeshje të mbetura, duke barazuar rekordin historik të Manchester United.

Megjithatë, gjatë pushimeve verore klubi u godit nga tragjedia, pasi sulmuesi portugez 28-vjeçar Diogo Jota humbi jetën në një aksident automobilistik në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, André Silva.

Barcelona fiton La Liga në Spanjë

Barcelona fitoi La Ligën dhe Copa del Rey, duke shënuar një sezon të jashtëzakonshëm debutues për trajnerin Hansi Flick. Ylli i ri, Lamine Yamal, i magjepsi tifozët teksa Barcelona siguroi titullin e 28-të në La Liga përpara rivalëve të përjetshëm Real Madrid, të cilët i mundën edhe në finalen e Kupës së Mbretit.

Barça shtoi edhe një trofe të tretë këtë sezon, Superkupën e Spanjës në janar.

Bayern Munich fiton Bundesligën gjermane

Në Gjermani, Bayern Munich fitoi Bundesligën në vitin e parë të Vincent Kompany si trajner. Bavarezët, të ndihmuar nga 26 golat e kapitenit të Anglisë, Harry Kane, janë të mësuar me këtë trofe, duke qenë se e kanë fituar kampionatin plot 34 herë.

Ceremonia e trofeut në sheshin qendror Marienplatz të Mynihut shërbeu edhe si një lamtumirë për Thomas Müller, 35 vjeç, i cili kishte njoftuar në fillim të prillit se do të largohej nga klubi në fund të sezonit, pasi Bayern vendosi të mos i ofrojë rinovim kontrate.

Müller iu bashkua Bayernit në moshën 10-vjeçare, duke i ndihmuar të fitojnë 13 tituj kampionë, gjashtë Kupa të Gjermanisë, tetë Superkupa dhe dy Champions League.

Napoli fiton Serie A në Itali

Skuadra e Antonio Contes, Napoli, fitoi trofeun e Serie A për herë të katërt në historinë e klubit. Scott McTominay dhe Romelu Lukaku shënuan për një fitore të sigurt 2-0 ndaj Cagliarit, duke i dhënë Napolit Scudetton e dytë në tre vite, vetëm një pikë përpara Interit.

Conte, i cili kishte fituar tre tituj të Serie A me Juventusin dhe një me Interin, si edhe Premier League me Chelsean, mori drejtimin e Napolit për të ringritur skuadrën pas një mbrojtje katastrofike të titullit në sezonin 2023-24.

Napoli kaloi një sezon të trazuar në 2023-24, duke përfunduar në vendin e 10-të dhe duke ndërruar tre trajnerë pas largimit të Luciano Spallettit, i cili në 2022-23 i kishte çuar drejt Scudettos së parë pas 33 vitesh.

Anglia fiton Europianin për femra

Chloe Kelly realizoi penalltinë vendimtare teksa Anglia mundi Spanjën 3-1 në goditjet e penalltive për të fituar UEFA Euro 2025 për femra, duke mbrojtur me sukses titullin e fituar tre vite më parë, pas një ndeshjeje të zjarrtë që u mbyll 1-1 pas kohës shtesë.

Spanja dominoi lojën dhe gjeti avantazhin në minutën e 25-të, me Mariona Caldentey, e cila goditi me kokë për të mposhtur portieren, Hannah Hampton. Megjithatë, Anglia barazoi në minutën e 57-të, me Alessia Russo që shënoi me kokë pas një krosimi të Kelly-t.

Spanja vazhdoi të mbante kontrollin e topit, por nuk arriti të gjente golin e fitores deri në fund të kohës së rregullt. E njëjta histori vijoi edhe në shtesë. Finalja ishte hera e parë që nga edicioni inaugurues i vitit 1984, ku Anglia u mund nga Suedia, që një ndeshje e Europianit për femra u vendos me penallti.

Pas turneut, mbrojtësja veterane e Anglisë, Lucy Bronze, pranoi se e kishte luajtur të gjithë kompeticionin me një frakturë në këmbë.

Arsenal fiton Champions League për femra

Sulmuesja e Arsenalit, Stina Blackstenius, shënoi golin e vonë të fitores teksa skuadra londineze befasoi kampionet në fuqi, Barcelonën, me rezultatin 1-0 për të siguruar titullin e tyre të dytë në Champions League për femra.

Arsenal i mbijetoi disa rasteve të Barcelonës përpara se suedezja Blackstenius të zhbllokonte rezultatin në minutën e 75-të.

Skuadra e Renee Slegers, që po luante finalen e dytë në 18 vite e mbrojti avantazhin deri në fund, duke siguruar një fitore të jashtëzakonshme.

Triumfi vjen kundër një superfuqie si Barcelona, e cila po luante finalen e saj të gjashtë në shtatë vitet e fundit dhe kishte ngritur trofeun në tre nga katër sezonet e fundit.

Tenis

Jannik Sinner fiton Australian Open për meshkuj, ndërsa Madison Keys titullin për femra

Jannik Sinner mbrojti titullin e Australian Open me një fitore të fuqishme 6-3 7-6(4) 6-3 ndaj Alexander Zverev, duke shënuar një tjetër moment historik për tenisin italian dhe duke i shkaktuar rivalit gjerman humbjen e tretë në një finale Grand Slam.

Sinner u bë tenisti i parë italian që fiton tre tituj Grand Slam, duke kaluar Nicola Pietrangeli-n, fituesin e Roland Garros në vitet 1959-60. Megjithatë, suksesi i Sinner nuk erdhi pa polemika. Në shkurt ai pranoi një pezullim tre-mujor për doping, pasi rezultoi pozitiv për një substancë të ndaluar në vitin 2024, duke arritur një marrëveshje me Agjencinë Botërore Antidoping (WADA).

Ai rezultoi pozitiv me agjentin anabolik clostebol, për të cilin Sinner tha se i ishte futur në organizëm përmes masazheve dhe terapive.

Titulli për femra shkoi për amerikanen Madison Keys, e cila me një paraqitje frymëzuese mundi kampionen në fuqi Aryna Sabalenka 6-3 2-6 7-5, për të fituar trofeun e saj të parë Grand Slam.

29-vjeçarja u bë kampionia e katërt më e vjetër debutuese dhe i ndërpreu Sabalenkës tentativën për trofeun e tretë radhazi në Melbourne Park.

Carlos Alcaraz fiton French Open për meshkuj, Coco Gauff titullin për femra.

Carlos Alcaraz triumfoi në një finale epike të French Open duke përmbysur Jannik Sinner-in 4-6 6-7(4) 6-4 7-6(3) 7-6(10-2) për të mbrojtur titullin dhe për të forcuar statusin e tij në epokën pas Nadalit.

Në një duel mbresëlënës mes dy yjeve të gjeneratës së re, Alcaraz siguroi fitoren e pestë rresht ndaj Sinner, duke i dhënë fund serisë prej 20 fitoresh të italianit në Grand Slam-e.

Finalja, e para mes dy lojtarëve të lindur në vitet 2000, zgjati 5 orë e 29 minuta, finalja më e gjatë në histori të Roland Garros dhe u shoqërua me duartrokitje të gjata nga publiku parizien.

Për femra, Coco Gauff, e renditur e dyta, u bë amerikania e parë që fiton Roland Garros që prej vitit 2015, duke mundur Sabalenkën 6-7(5) 6-2 6-4.

Gauff u rikthye nga një set i humbur për të fituar trofeun e saj të dytë Grand Slam, pas U.S. Open në 2023.

Jannik Sinner fiton Ëimbledon për meshkuj, Iga Sëiatek titullin për femra

Jannik Sinner mundi Carlos Alcaraz 4-6 6-4 6-4 6-4 në një finale intensive për të fituar trofeun e parë të Ëimbledon dhe Grand Slam-in e katërt në karrierë, duke u hakmarrë për humbjen e pësuar në finalen dramatike të French Open. Me këtë fitore ndaj kampionit për dy herë radhazi, Sinner u bë italiani i parë që fiton titullin e Ëimbledon.

Iga Sëiatek dominoi plotësisht finalen e femrave, duke mposhtur amerikanen Amanda Anisimova 6-0 6-0 për t’u bërë polakja e parë që fiton Ëimbledon.

Finalja, që zgjati vetëm 57 minuta, ishte historike: Anisimova u bë lojtarja e parë që humb 6-0 6-0 në një finale të Ëimbledon që prej vitit 1911. Sëiatek, fituese e katër titujve French Open, nuk kishte kaluar kurrë më tej se çerekfinalja në Wimbledon më parë, por tani shton Grand Slam-in e gjashtë në karrierë.

Formula 1

Lando Norris i McLaren fitoi kampionatin e tij të parë botëror në Formula 1 dhe i dha fund dominimit 4-vjeçar të Max Verstappen me një vend të tretë plot emocione në Çmimin e Madh të Abu Dabit.

Verstappen, i cili fitoi më shumë gara se çdo pilot tjetër këtë sezon, triumfoi në garën e fundit të vitit, ndërsa Oscar Piastri i McLaren u rendit i dyti. Norris, që u bë kampioni i 11-të britanik në historinë e Formula 1, e mbylli sezonin me 423 pikë, duke lënë pas Verstappen me 421 dhe Piastri me 410 pikë.

McLaren, që siguroi titullin e konstruktorëve në tetor për vitin e dytë radhazi, fitoi për herë të parë që nga viti 1998 të dy titujt, atë të pilotëve dhe të konstruktorëve, në të njëjtin sezon.

Kampionati Botëror i Rally

Francezi Sebastien Ogier i Toyota siguroi titullin e tij të nëntë botëror në Rally në Arabinë Saudite, duke barazuar rekordin e bashkëkombasit të tij, Sebastien Loeb, dhe duke u bërë kampioni më i moshuar në historinë e këtij sporti, në moshën 41-vjeçare.

Ogier fitoi gjashtë tituj radhazi gjatë viteve 2013-2018 dhe shtoi edhe dy të tjerë në vitet 2020 dhe 2021. Ai ka arritur sukses me tre prodhues të ndryshëm, Volksëagen, Ford dhe Toyota.

Ogier kishte njoftuar synimin për t’u tërhequr nga pjesëmarrja me kohë të plotë në fund të vitit 2021, por ka vazhduar të garojë me një program të pjesshëm dhe e fitoi titullin e fundit, pavarësisht mungesës në 3 nga 14 garat, duke fituar gjashtë prej tyre.

Francezi, i cili mbush 42 vjeç më 17 dhjetor, është tani piloti më i moshuar që fiton kampionatin botëror. Rekordi i mëparshëm mbahej nga finlandezi Hannu Mikkola, i cili e fitoi titullin në vitin 1983 në moshën 41 vjeç e 183 ditë.

Moto GP

Marc Marquez i Ducati-s siguroi titullin e shtatë në MotoGP në Çmimin e Madh të Japonisë, titulli i parë që nga viti 2019, duke marrë një avantazh të pakapshëm në renditjen botërore, pesë gara para fundit të sezonit.

Marquez duhej të fitonte ndaj vëllait të tij dhe kandidatit për titull, Alex i Gresini Racing, me të paktën tre pikë, dhe përfundoi i dyti pas italianit, Francesco Bagnaia, për të siguruar titullin.

Pas kalimit të vijës së finishit, Marquez vendosi duart mbi kokë dhe kur e kuptoi madhështinë e arritjes, spanjolli shpërtheu në gëzim.

Tour de France

Tadej Pogačar siguroi titullin e katërt në Tour de France, duke konsoliduar statusin e tij si çiklisti më dominues i gjeneratës së tij dhe duke u barazuar me britanikun Chris Froome në listën historike të fituesve. 26-vjeçari slloven, fitues edhe në vitet 2020, 2021 dhe 2024, bëri një paraqitje pothuajse të përkryer, duke qenë shumë afër fitores edhe në etapën finale në Champs-Élysées, pas një dueli epik me belgun Ëout van Aert.

Kampioni i botës vulosi në praktikë fitoren e tij në Pirene, në ngjitjen drejt Hautacam, duke lënë pas rivalin kryesor Jonas Vingegaard, më shumë se katër minuta.

Pogačar barazoi rekordin e Froome dhe tani ndjek legjendat e çiklizmit Eddy Merckx, Bernard Hinault, Jacques Anquetil dhe Miguel Indurain, të cilët ndajnë rekordin me pesë tituj.

Kampionati Botëror i Atletikës

Një numër rekord kombesh fituan medalje në Kampionatin Botëror të Atletikës në Tokio, me gjithsej 53 vende që u renditën në tabelën e medaljeve në edicionin e 20. Rekordi i mëparshëm prej 46 vendesh ishte vendosur në Osaka në 2007 dhe u barazua në Budapest dy vjet më parë. Samoa, Saint Lucia dhe Uruguaji fituan medaljet e tyre të para në historinë e Kampionateve Botërore.

Mondo Duplantis theu rekordin botëror, me një kërcim 6.30 metra në përpjekjen e tretë, duke siguruar titullin e tij të tretë radhazi. Medalja e artë ishte tashmë e sigurt për suedezin me origjinë amerikane, kur ai ngriti shkopin një centimetër mbi rekordin e mëparshëm prej 6.29m të arritur në Budapest.

Noah Lyles nga SHBA fitoi medaljen e katërt radhazi në 200 metra për meshkuj, duke triumfuar me kohën 19.52 sekonda përpara bashkëkombasit të tij Kenny Bednarek (19.58 sekonda). Bryan Levell mori bronzin me rekord personal 19.64.

Melissa Jefferson-Ëooden u bë gruaja e katërt që kompletoi “dopietën” e sprintit në botëror, duke fituar finalen e 200 metrave për femra me kohën më të shpejtë të vitit, 21.68 sekonda, përpara britanikes Amy Hunt. Bronzi shkoi te mbrojtësja e dyfishtë e titullit, Shericka Jackson nga Xhamajka me 22.18 sekonda.

Në finalen e 5,000 metrave për femra, Beatrice Chebet e Kenias mposhti në sprint Faith Kipyegon, duke fituar titullin botëror dhe duke kompletuar “dopietën” në 5,000 dhe 10,000 metra.

Maria Perez nga Spanja mori medaljen e dytë të artë në Kampionatin Botëror në garën e 20 km për femra. Perez, e cila mbrojti titullin e 35 km në fillim të kampionatit, mbylli garën në 1:25:54, me 12 sekonda avantazh ndaj Meksikanes, Alegna Gonzalez.

NFL – Super Bowl

Philadelphia Eagles shkatërruan përpjekjen e Kansas City për t’u bërë ekipi i parë në NFL që fiton tre Super Boël radhazi, me një fitore bindëse 40-22 në Neë Orleans.

Mbrojtja e Eagles ishte e jashtëzakonshme, duke neutralizuar mjeshtrin kreativ të Kansas, Patrick Mahomes, ndërsa në ofensivë, kuarterbeku i tyre Jalen Hurts udhëhoqi skuadrën, duke pasuar për dy “touchdoën” dhe duke u hakmarrë ndaj humbjes të vitit 2023.

Kjo fitore e madhe solli titullin e dytë të Super Boël në historinë e Eagles, pas fitores në 2018.

Basketboll – NBA

Oklahoma City Thunder mbylli një sezon të jashtëzakonshëm duke mundur Indiana Pacers 103-91 në Ndeshjen 7 të Finales së NBA-së, duke fituar titullin e parë në historinë e klubit, që nga zhvendosja nga Seattle në 2008.

Lojtari më i mirë i ligës, Shai Gilgeous-Alexander, udhëhoqi ekipin në Paycom Center të Oklahoma City, duke shënuar 29 pikë dhe 12 asistime.

Ai gjithashtu u shpall lojtari më i mirë i Finales, duke regjistruar herën e parë që nga Shaquille O’Neal në 2002, që i njëjti lojtar fitonte titullin e shënuesit më të mirë dhe lojtarit më të mirë të Finales.

Ky titull përfundoi një sezon të jashtëzakonshëm për Oklahoma Thunder, që e përfundoi sezonin e rregullt me një rekord 68-14.

Shqipëria 31 Dhjetor Edel Strazimiri

Si është mbyllur ky vit për valutat kryesore?

Dollari amerikan pas rënie të vazhdueshme që pësoi përgjatë kësaj jave e ka mbyllur këtë vit pozitivisht duke shënuar rritje teksa është blerë sot me 81.3......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Video