Shqipëria Postuar më 31 Dhjetor 2025, 11:02

Si do të funksionojë skema e shtesave mujore të pensioneve - Zbardhen detajet e vendimit dhe kategoritë përfituese 

Nga SCAN TV

Si do të funksionojë skema e shtesave mujore të pensioneve -

Nga 1 janari 2026, mijëra pensionistë në vend do të përfitojnë lekë shtesë mbi pensionin. Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, shtesat variojnë nga 600 deri në 1800 lekë në muaj.

Masa synon të ndihmojë pensionistët me të ardhura të ulëta, duke rritur të ardhurat mujore për të përballuar më lehtë shpenzimet e jetesës. Pagesa do të jepet çdo muaj, bashkë me pensionin, dhe do të financohet nga buxheti i shtetit për vitin 2026.

Kush përfiton kompensim deri në 1 800 lekë në muaj?

Përfitues janë pensionistët me të ardhura mujore deri në 40 000 lekë, që përfshijnë:

pensionistë me pension pleqërie të plotë (para dhe pas reformës së vitit 2015);

pensionistë nëna me shumë fëmijë;

pensione të reduktuara;

pensionistë të minierave, industrisë së naftës, gazit dhe metalurgjisë.

Kompensim deri në 1 000 lekë në muaj

Kjo kategori përfshin pensionistët me të ardhura deri në 18 000 lekë, kryesisht:

pensionistë të ish-kooperativave bujqësore;

pensionistë ruralë.

Kompensim deri në 800 lekë në muaj

Për pensionistët me të ardhura deri në 22 000 lekë, si:

pensionistë me pension pleqërie të pjesshëm;

pensionistë që nuk plotësojnë vitet e nevojshme të sigurimit;

përfitues të pensionit social.

Kompensim për pension invaliditeti dhe familjar

600 lekë në muaj për pension invaliditeti (deri në 30 000 lekë të ardhura);

700 lekë në muaj për pension familjar (deri në 18 000 lekë të ardhura).

Nëse kompensimi i plotë do të sillte tejkalim të kufirit të të ardhurave, atëherë shuma paguhet vetëm si diferencë, në mënyrë që të ardhurat totale të mos e kalojnë tavanin e përcaktuar.

Në llogaritjen e të ardhurave mujore përfshihen jo vetëm pensioni bazë, por edhe:

shtesat suplementare;

trajtimet e veçanta financiare;

kompensimet e mëparshme të miratuara me vendime të Këshillit të Ministrave.

Skema përfshin edhe persona që dalin në pension nga 1 janari 2026, por që e kanë fituar të drejtën deri më 31 dhjetor 2025, persona që fitojnë të drejtën e pensionit gjatë vitit 2026. Ndërkohë, ata që fitojnë të drejtën pas 1 janarit 2027 nuk përfitojnë nga kjo skemë.

Kostoja totale financiare arrin në 9.8 miliardë lekë dhe fondet do të mbulohen nga buxheti i sigurimeve shoqërore për vitin 2026.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Video