Bota Postuar më 2 Janar 2026, 11:08

Bota në vitin 2026 – BE-Britani afrohen më shumë, Trump dhe Xi forcojnë pozitat

Nga SCAN TV

Bota në vitin 2026 –  BE-Britani afrohen më shumë, Trump

Kjo është bota e Donald Trump, ndërsa të gjithë ne thjesht po jetojmë në të. Krye-përçarësi ishte faktori më i madh që formësoi çështjet globale në vitin 2025 dhe kjo do të jetë kështu për aq kohë sa Trump qendron në Shtëpinë e Bardhë. Qasja e tij për të shkatërruar vlerat ka shkaktuar trazira në disa fusha (si në tregti), por gjithashtu ka dhënë rezultate diplomatike (si në Gaza) dhe ka detyruar ndryshime të nevojshme (si me shpenzimet europiane të mbrojtjes). Ndërsa uragani Trump vazhdon edhe në vitin 2026, The Economist sjell nëntë trendet dhe çështjet kryesore që duhen ndjekur vitin e ardhshëm.

1. Ditëlindja e 250 e SHBA

Do të dëgjojmë rrëfime të ndryshme për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Amerikës, ndërsa republikanët dhe demokratët e përshkruajnë të njëjtin vend me terma krejtësisht të ndryshëm për të shënuar 250-vjetorin e themelimit. Votuesit më pas do të japin verdiktin e tyre mbi të ardhmen e Amerikës në zgjedhjet e mes-mandatit në nëntor. Por edhe nëse demokratët marrin Dhomën e Përfaqësuesve, sundimi i Trump me anë të bullizimeve, tarifave dhe urdhrave ekzekutivë do të vazhdojë.

2. Zhvendosja gjeopolitike

Analistët e politikës së jashtme janë të ndarë: a është bota në një luftë të re të ftohtë, midis blloqeve të udhëhequra nga Amerika dhe Kina, apo një marrëveshje Trumpiane do ta ndajë planetin në tre “sfera ndikimi”; amerikane, ruse dhe kineze, në të cilat secila mund të bëjë çfarë të dojë? Mos llogarisni asnjërën. Trump preferon një qasje transaksionale të bazuar në instinkte, jo në paradigma të mëdha gjeopolitike. Rendi i vjetër global i bazuar në rregulla do të zhvendoset dhe do të degradojë më tej. Por “koalicionet e atyre që kanë vullnet” do të arrijnë marrëveshje të reja në fusha të tilla si mbrojtja, tregtia dhe klima.

3. Luftë apo Paqe? Të dyja

Me pak fat, paqja e brishtë në Gaza do të ruhet. Por konfliktet do të vazhdojnë në Ukrainë, Sudan dhe Mianmar. Rusia dhe Kina do ta vënë në provë përkushtimin e Amerikës ndaj aleatëve të saj me provokime të “zonës gri” në Europën Veriore dhe Detin e Kinës Jugore. Ndërsa vija ndarëse midis luftës dhe paqes bëhet gjithnjë e më e paqartë, tensionet do të rriten në Arktik, në orbitë, në fund të detit dhe në hapësirën kibernetike.

4. Probleme për Europën

E gjitha kjo përbën një provë të veçantë për Europën, e cila duhet të rrisë shpenzimet e mbrojtjes, ta mbajë Amerikën në anën e saj, të nxisë rritjen ekonomike dhe të përballet me deficite të mëdha, edhe pse masat shtrënguese rrezikojnë të nxisin mbështetjen për partitë e ekstremit të djathtë. Europa gjithashtu dëshiron të mbetet një avokate kryesore për tregtinë e lirë dhe energjinë e pastër. Nuk mund t'i bëjë të gjitha këto menjëherë. Një shpenzim i tepruar në mbrojtje mund të nxisë rritjen ekonomike, por përkohësisht.

5. Mundësia e Kinës

Kina ka problemet e veta, me deflacion, ngadalësim të rritjes ekonomike dhe mbingopje industriale, por politika “Amerika e Para” e Trump hap mundësi të reja për Kinën për të rritur ndikimin e saj global. Pekini do të paraqitet si një partner më i besueshëm, veçanërisht në jugun e globit, ku po arrin një sërë marrëveshjesh tregtare. Kina është e lumtur të bëjë marrëveshje taktike me Donald Trump për sojën ose patatet. Truku do të jetë që marrëdhëniet me Amerikën të mbahen transaksionale, jo konfrontuese.

6. Shqetësimet ekonomike

Deri më tani, ekonomia amerikane po rezulton më e qëndrueshme nga sa pritej përballë tarifave të Trump, por ato do të pengojnë rritjen globale. Dhe me vendet e pasura që jetojnë përtej mundësive të tyre, rreziku i një krize në tregun e obligacioneve po rritet. Shumë do të varet nga zëvendësimi i Jerome Poëell si kryetar i Rezervës Federale në maj; politizimi i Rezervës Federale mund të shkaktojë një rënie të tregut të aksioneve.

7. Shqetësimet për Inteligjencën Artificiale

Shpenzimet e tepërta në infrastrukturë për inteligjencën artificiale mund të fshehin gjithashtu dobësi ekonomike në SHBA. A do të shpërthejë flluska? Ashtu si me hekurudhat, energjinë elektrike dhe internetin, një rënie nuk do të thotë që teknologjia nuk ka vlerë të vërtetë. Por mund të ketë ndikim të gjerë ekonomik. Sidoqoftë, shqetësimi për ndikimin e inteligjencës artificiale në vendet e punës, veçanërisht në ato të të diplomuarve, do të thellohet.

8. Një panoramë mikse për klimën

Kufizimi i ngrohjes globale në 1.5°C është jashtë diskutimit tashmë dhe Donald Trump i urren burimet e rinovueshme të energjisë. Por emetimet globale ndoshta kanë arritur kulmin, teknologjia e pastër po lulëzon në të gjithë jugun global dhe firmat do t’i përmbushin ose tejkalojnë objektivat e tyre të klimës, por do të heshtin, në mënyrë që të shmangin zemërimin e zotit Trump. Energjia gjeotermike ia vlen të merret në konsideratë.

9. Vlerat Sportive

Sporti mund të përdoret gjithmonë për të marrë një pushim nga politika. Epo, ndoshta jo në vitin 2026. Kupa e Botës në futboll po organizohet bashkërisht nga Amerika, Kanadaja dhe Meksika, marrëdhëniet midis të cilave janë të tendosura për shkak të tarifave dhe çështjeve të tjera. Tifozët mund të qëndrojnë larg. Por kompeticioni i quajtur “Lojërat e Avancuara”, që zhvillohet në Las Vegas, mund të jetë edhe më i diskutueshëm: atletët do të lejohen të përdorin substanca që mund rrisin performancën. Kjo do të thotë se sportistët mund të mashtrojnë, apo do të jetë thjesht një garë ndryshe?

Një botë e re po merr formë

Gjeopolitikat e shekullit XXI do të bëhen më të qarta në 2026

Në politikën globale, viti 2025 ishte viti kur një rend i vjetër mori fund. Presidenti Donald Trump rrënoi norma dhe institucione të dekadave të tëra me po aq dramë sa me mënyrën se si rimodeloi Shtëpinë e Bardhë. Tarifat e tij goditën rëndë sistemin shumëpalësh të tregtisë. Mekanizmat e diplomacisë ndërkombëtare, nga OKB-ja te ndihma e jashtme, u prekën nga shkurtimet e financimit. Aleancat e hershme të sigurisë u shndërruan në marrëdhënie më transaksionale që monetizuan peshën ushtarake dhe ekonomike të Amerikës. Brenda vendit, Trump çliroi shtrirjen më të madhe të pushtetit ekzekutiv në thuajse një shekull. Ushtarët u dërguan në qytete të drejtuara nga demokratët; universitetet u vunë nën kontroll përmes kërcënimeve dhe shkurtim të fondeve; u sulmua pavarësia e Rezervës Federale; dhe aparati shtetëror u përdor kundër kundërshtarëve të presidentit.

Ritmi marramendës dhe shkalla e këtyre veprimeve, e bënin të vështirë të mendoje se për çfarë bëhej fjalë. A ishte kjo një tronditje e domosdoshme për një sistem të bllokuar, apo një sulm ndaj shtyllave bazë të demokracisë amerikane? A ishte qasja transaksionale e marrëveshjeve një mënyrë inovative për ti bërë gjërat, apo triumf i taktikave mafioze mbi mençurinë strategjike afatgjatë? Kishte shqetësime për kërcënimet që vinin nga proteksionizmi, korrupsioni, politizimi i institucioneve të pavarura dhe, me kalimin e vitit, një parehati gjithnjë e më e madhe se ekipi i Trump nuk ndihej i detyruar nga ligji.

Stili i udhëheqjes “alla–Sopranos” i presidentit solli edhe disa suksese të prekshme. Më i dukshmi ishte armëpushimi në Gaza. Ai krijoi potencialin për një fillim të ri dhe i dha të drejtë qasjes të diplomacisë sipas stilit të pasurive të patundshme të Nju Jorkut. Adoptimi i një qëndrimi më të ashpër ndaj aleatëve të NATO-s çoi në rritje të buxheteve të mbrojtjes, gjë që pak kush do ta kishte menduar të mundshme një vit më parë. Dhe në përplasjet mes shteteve më të vogla, një president që kërkonte me çdo kusht një çmim Nobel për paqen, i gatshëm të kërcënonte me tarifa dhe të ushtronte presion, ndihmoi të zgjidhte ose të paktën të mbulonte përkohësisht mosmarrëveshjet.

Por kishte edhe dështime të qarta. Strategjikisht, vendosja e tarifave ndëshkuese ndaj Indisë, si ndëshkim për blerjen e naftës nga Rusia, dhe Brazilit, pas vendimit për të çuar në gjyq ish-presidentin Jair Bolsonaro, kishin pak kuptim. Trump gjithashtu bëri pak përparim me Vladimir Putinin mbi luftën në Ukrainë. Dhe u tejkalua nga Xi Jinping, pasi Kina ishte fituesja e qartë e përplasjes tregtare të vitit 2025.

Me rendin e vjetër të rrënuar, konturet e botës së re do të bëhen më të qarta në vitin 2026, në tre fusha kryesore. Së pari, e ardhmja e demokracive liberale perëndimore. Zgjedhjet e mesmandatit në nëntor në SHBA do të përcaktojnë nëse Amerika rrezikon seriozisht një autoritarizëm. Nëse demokratët fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, do të ketë një balancim real ndaj administratës Trump. Nëse historia shërben si udhërrëfyes, ata duhet të fitojnë. Por këto nuk janë kohë normale. Demokratët janë edhe më pak popullorë se vetë Trump. Dhe ekziston rreziku i besueshëm që administrata mund të përpiqet të ndërhyjë në mekanizmat zgjedhorë të Amerikës. Sinjalet më të qarta të drejtimit të politikës së jashtme amerikane do të vijnë nga Azia dhe Amerika Latine.

Në anën tjetër të Atlantikut, viti 2026 do të tregojë nëse populistët nacionalistë do të jenë pranë marrjes së pushtetit në ekonomitë më të mëdha të Evropës. Në Britani, ku partia e Nigel Farage, Reform UK, kryeson në sondazhe, zgjedhjet lokale do të tregojnë nëse kjo epërsi përkthehet në vota. Në Francë, historia e fundit sugjeron se një tjetër kolaps qeveritar është shumë i mundshëm në 2026. Kjo do të detyronte zgjedhje parlamentare dhe me shumë gjasa do të sillte Jordan Bardella si kryeministrin e parë të ekstremit të djathtë në Francë. Në Gjermani do të vihet re nëse “muri mbrojtës” kundër Alternativës për Gjermaninë të ekstremit të djathtë do të qëndrojë.

Fusha e dytë e qartësimit do të jetë gjeopolitika. Dëshira e Trump për të fituar një çmim Nobel për paqen do ta mbajë atë të angazhuar në Lindjen e Mesme. Ai do të pengojë rikthimin e Izraelit në një luftë të plotë në Gaza dhe do të mbështesë një falje për Benyamin Netanyahun, dhe ndoshta për një dalje nga politika me dinjitet. Trump mund të luajë rolin e paqebërësit edhe gjetkë, sidomos aty ku mund të sigurohen marrëveshje për mineralet e rralla. Por, përballë kokfortësisë së Putin, Amerika do t’ia lërë të ardhmen e Ukrainës Europës, e cila, për shkak të rritjes të së djathtës populiste, mund të dështojë ta përmbushë këtë përgjegjësi.

Sinjalet më të qarta në drejtim të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara do të vijnë nga Azia dhe Amerika Latine. Në Azi, dëshira e Trump për të bërë biznes me Kinën do të çojë në një gërryerje të rrezikshme të mbështetjes për Tajvanin.

Fusha e tretë, për mirë apo për keq, do të jetë ekonomia. Pavarësisht nëse do të ketë një rënie të fortë të tregjeve apo jo, rritja e çmimit të aksioneve nuk do të mund të mbështesë besimin e publikut ashtu sikurse ndodhi në vitin 2025. As ndikimi transformues i inteligjencës artificiale në produktivitet nuk do të shfaqet aq shpejt sa shpresojnë entuziastët. Dëmet nga tarifat do të bëhen më të dukshme, presioni mbi konsumatorët më i rëndë dhe deficitit buxhetor i Amerikës më i qartë. Zgjedhja e Trump për kryetarin e ardhshëm të Rezervës Federale do të tregojë nëse ka përfunduar pavarësia e bankës qendrore. Duke pasur parasysh kaosin ekonomik në vende të tjera të pasura, një braktisje e dollarit është pak e mundshme. Por deri në fund të vitit 2026, ekonomia e Amerikës mund të mos duket më aq e jashtëzakonshme.

Paradoksalisht, kjo mund të jetë një gjë e mirë. Një ekonomi më e dobët do të rriste shanset e demokratëve për të rimarrë Dhomën e Përfaqësuesve dhe për të rikthyer disa balanca në demokracinë amerikane. Tregjet financiare të shqetësuara, mund të pengojnë revolucionarët e Shtëpisë së Bardhë nga manovrat e tyre të rrezikshme kushtetuese. Dhe një ekonomi më e dobët mund të nxisë edhe më shumë pragmatizëm nga vetë Trump. Ndoshta ka ardhur koha që një biznesmen i guximshëm ose dy të dalin publikisht dhe të thonë se për shëndetin afatgjatë të Amerikës, disa goditje afatshkurtra në rrugë nuk do të ishin aspak të dëmshme.

Forcat globale po e afrojnë Britaninë me BE - OK

Domethënia e Brexit po evoluon, palët po gjejnë forma të tjera bashkimi

Viti që vjen do të shënojë dhjetëvjetorin e referendumit të ish kryeministrit britanik, David Cameron mbi Brexit në vitin 2016, ngjarja më tronditëse politike britanike e dekadave të fundit. 2026 do të shënojë gjithashtu edhe momentin e rishikimit pesëvjeçar të Marrëveshjes së Tregtisë dhe Bashkëpunimit të Boris Johnson në dhjetor të 2020, në bazë të së cilës Britania u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian me një “Brexit të ashpër”, që e nxori atë nga tregu i përbashkët, unioni doganor dhe lëvizja e lirë e njerëzve. Prandaj, në vitin 2026 mund të pritej të kishte shumë diskutime mbi pasojat e këtij shkëputjeje dhe të ardhmen e marrëdhënies së Britanisë me Europën.

Megjithatë, sot çështja e Brexit renditet çuditërisht shumë poshtë në axhendën politike. Kjo është edhe më e habitshme duke pasur parasysh se opinioni publik ka ndryshuar qartësisht që prej vitit 2016. Pakënaqësia në rritje ndaj Brexit kontribuoi në rrëzimin e tre kryeministrave konservatorë njëri pas tjetrit, para fitores dërrmuese të laburistëve të Sir Keir Starmer në korrik të 2024. Duke ngritur barriera të reja jotarifore, Brexit ka dëmtuar eksportet e mallrave dhe, në një masë më të vogël, eksportet e shërbimeve. Parashikimi fillestar i Zyrës Buxhetore se do të ulte PBB-në me rreth 4% vazhdon të duket përafërsisht i saktë.

Megjithatë, jo shumë votues e kanë ndryshuar vërtet mendimin që prej vitit 2016. Përkundrazi, dy zhvillime të tjera e kanë kthyer balancën e opinionit kundër Brexit. Shumë votues të moshuar që votuan pro largimit kanë ndërruar jetë, duke u zëvendësuar nga të rinj që mbështesin “qëndrimin”. Dhe ata që ishin të pavendosur në vitin 2016, tani priren fuqishëm drejt qëndrimit në BE. Si rezultat, sondazhet e opinionit tregojnë se deri në 56% e të anketuarve besojnë se Brexit ishte një gabim.

Gjithsesi, Brexit nuk do të ishte e lehtë të zhbëhej, për tre arsye. Së pari, është e pamundur të rikthehesh në “status quo”-në e para vitit 2016. Britania do të duhej të aplikonte sërish për anëtarësim në BE dhe të negocionte kushtet, një sfidë e madhe, pasi partia “Reform UK” dhe Partia Konservatore do t’i kundërviheshin fuqishëm planit. Britania nuk do të rimerrte zbritjen e veçantë buxhetore dhe mund t’i duhej të pranonte futjen në euro.

Së dyti, BE-ja ka ndryshuar ndjeshëm që prej vitit 2016. Ajo është shumë më aktive në politikën e jashtme dhe të sigurisë, përdor më shumë vendimmarrje me shumicë dhe ka një buxhet më të madh, që tani përfshin edhe borxh të konsiderueshëm.

Së treti, ekziston pak dëshirë për të rihapur një debat kaq të dhimbshëm. Në një situatë të tillë, qeveria e Keir Starmer po ndjek mënyra pragmatike për t’iu afruar BE-së, shpesh në mënyrë të fshehtë. Procesi nisi nën drejtimin e Rishi Sunak, me protokollin e rishikuar të Irlandës së Veriut, i cili synonte të reduktonte barrierat jotarifore midis Britanisë së Madhe pas Brexit dhe provincës që mbetet në tregun e përbashkët të BE-së për mallrat. Kryeministri Starmer po përpiqet të ulë edhe më tej barrierat tregtare duke u përafruar me standardet ushqimore dhe fitosanitare të BE-së, si dhe duke u bashkuar me rregullat e përbashkëta për energjinë dhe mjedisin.

Situata gjeopolitike e forcon argumentin për bashkëpunim më të ngushtë me BE-në. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, mandati i dytë i paparashikueshëm i Donald Trump dhe tensionet në Lindjen e Mesme, të gjitha e bëjnë më urgjente një përgjigje të përbashkët dhe më të fortë europiane. Nevoja për t’u mbështetur më pak te garancia e sigurisë së SHBA-ve dhe më shumë te shpenzimet europiane për mbrojtjen, shkon në të njëjtin drejtim. Britania pas Brexit mund të dëshirojë të forcojë lidhjet me SHBA-në dhe Kanadanë, si dhe me rajonin e Indo-Paqësorit. Megjithatë, ajo mbetet sërish një aktor kyç në mbrojtjen dhe sigurinë europiane.

Deri ku mund të shkojë kjo marrëdhënie? Ndihmon fakti që BE-ja është më e çliruar se dikur. Frikërat e hershme se Brexit mund të nxisë vende të tjera të largohen janë zbehur.

BE-ja vazhdon të kërkojë të mbrojë integritetin e tregut të saj të përbashkët, por është më e hapur ndaj lejimit të vendeve joanëtare të përzgjedhin disa pjesë të integrimit. Forma të reja të anëtarësimit të pjesshëm, në stilin zviceran, mund të duken më të pranueshme ndërsa BE-ja merr në konsideratë zgjerimin e saj të mëtejshëm drejt lindjes. Edhe ruajtja e lëvizjes së lirë të njerëzve është bërë më pak “e ndjeshme”, pasi disa vende të BE-së i kanë rikthyer kontrollet kufitare, ndonëse në heshtje.

Më tej në të ardhmen qëndron mundësia e formave krejt të ndryshme të marrëdhënieve. Vende joanëtare si Norvegjia dhe Islanda po rihapin debate, prej kohësh të fjetura, rreth mundësisë së anëtarësimit në BE. Ballkani Perëndimor, Moldavia dhe Ukraina duan të gjitha lidhje më të ngushta me bllokun, të cilat mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë nën nivelin e anëtarësimit të plotë. Mund të shfaqen modele të ndryshme marrëdhëniesh që mund t’i përshtaten Britanisë më mirë sesa një Brexit i ashpër.

Me kalimin e kohës, referendumi i vitit 2016 mund të shihet si një moment që nuk e përcaktoi përgjithmonë vendin e Britanisë në projektin europian. Marrëdhënia do të vazhdojë të evoluojë, ndonjëherë në mënyra të paparashikueshme. Dhe për disa vite, ka gjasa që palët të afrohen më shumë dhe jo të largohen.

Kina mund të kalojë nga mbrojtja në sulm

Por Xi Jinping duhet t'i rezistojë tundimit për të dominuar botën

Pas një viti të suksesshëm në 2025, Xi Jinping dhe udhëheqja kineze do të përballet me një vit tundues në 2026. Deri tani, Kina i ka luajtur letrat mirë në epokën e Trump, duke e izoluar ekonominë kineze nga lufta tregtare, duke u kundërpërgjigjur me finesë dhe duke qëndruar mënjanë ndërsa çmontimi i rendit botëror të udhëhequr nga Amerika vazhdon me ritëm të shpejtë nën drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Por arroganca e ndjek Partinë Komuniste dhe në 2026 Xi Jinping do të tundohet të afirmojë interesat e Kinës më agresivisht. Kjo krijon rrezikun një tejkalimi të rrezikshëm në tre fusha: tregtia, Tajvani dhe rregullat e reja globale.

Askush nuk e priste që viti i parë i administratës Trump të ishte i lehtë, por për Kinën shkoi mjaft mirë. Ekonomia u rrit rreth 5%, pavarësisht tarifave dhe një ristrukturimi të dhimbshëm të sektorit të pasurive të paluajtshme. Ndërsa konsumatorët ishin të përmbajtur, etja për rrezik në sektorin privat u rrit shumë. Deri në nëntor të 2025, indeksi i aksioneve MSCI në Kinë kishte performuar më mirë se S&P 500 dhe Kina kishte mbledhur më shumë kapital në ofertat fillestare publike sesa Ëall Street.

Lufta tregtare i ka dhënë të drejtë fushatës 10-vjeçare të Xi Jingping për të eliminuar varësinë nga jashtë dhe për të rritur mjaftueshmërinë brenda vendit. Prodhuesit vendas të çipave dhe kompanitë e inteligjencës artificiale lulëzuan në 2025 dhe pjesa e tregtisë kineze e faturuar në juan (jo në dollarë) u rrit në 30%. Rezerva e naftës së Kinës arriti në 1.2 miliardë fuçi, një nivel rekord. Në takimin e tij të parë me Donald Trump pas gjashtë vitesh, në tetor të 2025, Xi ofroi marrëveshje tërheqëse për Uashingtoni mbi fentanilin dhe sojën, ndërsa nuk bëri asnjë kompromis me vizionin e tij për dominim industrial të udhëhequr nga shteti. Plani i ri 5-vjeçar i Kinës, që del në mars 2026, do ta thellojë edhe më shumë këtë synim.

Është e lehtë të joshesh nga diplomacia e zgjuar kineze. Por epoka e Xi është mbushur me episode arrogance. Fushata e tij “mirëqenie e përbashkët” kundër kapitalizmit klientelist goditi sipërmarrësit. Politika “zero covid” zgjati shumë. Nuk është e qartë pse ndodh kjo, por dyshimi është se në një sistem autokratik, zyrtarët e frikësuar nuk e kundërshtojnë presidentin, edhe kur idetë e tij janë të dobëta apo të paqarta. Në vend të kësaj, ata i zbatojnë me teprim.

Kjo prirje e brendshme mund të shpërthejë në disa mënyra në 2026. Ndërsa Kina e devijon tregtinë nga Amerika, eksportet drejt pjesës tjetër të botës u rritën 11% në nëntë muajt e parë të 2025. Deri në fund të 2025, deficiti tregtar vjetor i Gjermanisë me Kinën po i afrohej 100 miliardë dollarëve. BYD, kampioni kinez i makinave elektrike, planifikon të ketë 2,000 dyqane në Europë deri në fund të 2026. Nëse Kina e “mbyt” botën me më shumë eksporte, kjo do të shkaktojë panik për de-industrializim në Perëndim.

Fusha e dytë ku arroganca mund të shpërthejë është Tajvani. Shërbimi sekret amerikan beson se Xi i ka thënë Ushtrisë Çlirimtare Popullore të jetë e aftë të pushtojë Tajvanin deri në 2027. Atëherë mbahet Kongresi i Partisë Komuniste dhe çështja e pasardhësit të tij do të jetë në qendër të diskutimeve. Disa këshilltarë të presidentit mund të argumentojnë se në 2026 kushtet për një fushatë agresive “gri” kundër Tajvanit, për shembull një regjim inspektimesh doganore që shmang një embargo të plotë, do të jenë më të favorshmet në dekada. Trump është ambivalent për mbrojtjen e Tajvanit, kërcënimi me tarifa e ka humbur fuqinë, votuesit tajvanezë janë të polarizuar dhe Kina ka mbështetjen e rreth 70 vendeve për ribashkim “me të gjitha mjetet”. Nxitja e tensioneve, gjithmonë e rrezikshme, mund të ketë efekte edhe më të paparashikueshme në epokën Trump, duke nxitur një garë armatimi midis aleatëve të Amerikës që frikësohen se do t’i braktisë.

Së treti, presidenti Xi mund të tundohet të propozojë rregulla të tjera globale nën drejtimin e Kinës, për të zëvendësuar ato perëndimore që po kalben. Deri në fund të 2025 kishte shenja të kësaj arrogance. Kina filloi një “nismë për qeverisje globale”, për të krijuar rregulla të reja mbi financat, inteligjencën artificiale, klimën dhe hapësirën, si dhe propozoi një sistem global licencimi të detyrueshëm për mineralet e rralla. Është e vërtetë që kjo qasje pasqyron stilin amerikan të imponimit jashtë kufijve, por prapëseprapë do të jetë jopopullore në 2026, veçanërisht në demokracitë që druhen nga varësia ndaj Kinës autokratike.

Nëse Xi do të tregohet i zgjuar, ai do t’i rezistojë këtyre tundimeve. Ai do të frenojë kapacitetin e tepruar industrial brenda vendit, për të ngadalësuar valën e eksporteve dhe do të rrisë kërkesën e brendshme. Do të presë të shohë nëse pozita e Tajvanit do të dobësohet dhe do t’i tregojë botës se Kina mund të ofrojë infrastrukturë globale si pagesat, teknologjia e pastër, AI dhe “cloud”, por pa i detyruar klientët.

Arsyeja nuk është se Kina beson tek kujdesi, por sepse Trump ka shumë më tepër gjasa të çmontojë sistemin e tregtisë dhe sigurisë, të udhëhequr nga Perëndimi. Nëse Kina tregohet e duruar, ajo mund të dalë nga 2026 duke forcuar epërsinë e saj.

Shqipëria 31 Dhjetor Edel Strazimiri

Si është mbyllur ky vit për valutat kryesore?

Dollari amerikan pas rënie të vazhdueshme që pësoi përgjatë kësaj jave e ka mbyllur këtë vit pozitivisht duke shënuar rritje teksa është blerë sot me 81.3......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Video