Nga ulja e çmimit, te thatësira - Çfarë e shënoi sektorin energjetik në 2025-ën

Viti 2025 ishte i mbushur me zhvillime për sektorin energjetik. Çmimi i energjisë për një pjesë të mirë të familjeve u ul, investimet në energji diellore u rritëm, por në të njëjtën kohë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare shpenzoi rreth 160 milionë euro për importe, për të plotësuar nevojat konsumatore. Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta vërtetuan edhe një herë se sa i brishtë mbetet sistemi ynë për shkak të varësisë nga burimet ujore, ndërsa debati për sigurinë energjetike, eficiencën dhe tranzicionin e gjelbër është bërë më i fortë se kurrë.
Por le të ndalemi më gjerësisht në secilin prej këtyre zhvillimeve, duke nisur pikërisht me situatën e prodhimit të energjisë elektrike, që solli një faturë të lartë për kompaninë publike të gjenerimit.
Ky vit nuk ka qenë i mirë nga pikëpamja e energjisë, për shkak të mungesës së reshjeve të shiut, që do mundësonin prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit. Për pasojë, gjatë gjithë vitit KESH ka zhvilluar një sërë procedurash për blerje energjie, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore. Fatura totale për import energjie ka shkuar në mbi 160 mln euro.
Kjo situatë paraqet një kontrast të fortë me vitin e kaluar, kur deri në fund të 6-mujorit të parë nuk ishte zhvilluar asnjë procedurë importi, falë furnizimit nga HEC-et e Kaskadës së Drinit. Ndërkohë, pavarësisht shifrave në rritje të energjisë diellore, sistemi elektroenergjetik shqiptar mbetet i varur nga kushtet e motit, që në periudha thatësirash i kushtojnë financave publike miliona euro shpenzime.
Por ndërkohë që KESH përballet me faturat e larta nga importi, politika të tjera prekën drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve. Ulja e çmimit të energjisë elektrike për një pjesë të konsumatorëve familjarë: një skemë që hyri në fuqi në datën 1 shkurt e nga e cila përfituan të gjitha familjet me një faturë mujore jo më të lartë se 8 mijë lekë.
Enti Rregullator i Energjisë miratoi tarifat e reja, duke përcaktuar se konsumi deri në 700 kWh/muaj do të paguhet me 8.5 lekë/kWh, pa TVSH apo 10.2 lekë/kWh, me TVSH.
Familjet e paguanin energjinë me 9.5 lekë/kWh, pa TVSH, çka do të thotë se ulja shkon në rreth 11%. Ndërkohë që, skema e faturimit nuk ndryshon për familjet që konsumojnë mbi 700 kWh/muaj, të cilat do të vijojnë ta pagujnë të gjithë energjinë e konsumuar me çmimin aktual.
“Konsumatorët familjarë që konumojnë 701 kWh në muaj e më tej për gjithë sasinë e konsumuar, duke filluar nga kilovati i parë çmimi i energjisë aktive do të jetë 9.5 lekë/kWh”, - tha Romir Pajenga nga Enti Rregullator i Energjisë.
Sipas kreut të Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti nga ulja e çmimit të energjisë përfitojnë rreth 80% e abonentëve familjarë.
“Pjesa e kategorisë së konsumatorëve që shkojnë deri në 700 kWh/muaj është gati 80%, që përfaqëson një sasi relativisht të madhe të konsumatorëve, pra mbulon pjesën më të madhe të konsumatorëve familjarë”, - tha Ahmeti.
Aktualisht numërohen rreth 1.1 mln abonentë familjarë, çka do të thotë se numri i familjeve përfituese shkon në rreth 880 mijë. Ndërkohë që, aplikimi i skemës së re të tarifimit mund të sjellë një zgjerim të këtij numri, për shkak të nxitjes për kursim.
“Kjo bën që edhe pjesa tjetër e konsumatorëve të përdorë më me eficiencë energjisë elektrike, në mënyrë që mund të futen brenda këtij lloj konsumit që do të trajtohet me çmim të diferencuar”, - tha Ahmeti.
Për kategoritë e tjera të abonentëve, sikurse janë bizneset, furrat e bukës apo institucionet buxhetore dhe jo buxhetore, çmimi i energjisë mbetet i pandyshuar.
Por, teksa familjet përballen me skemat e reja të faturimit, bizneset po dalin një e nga një nga furnizimi universal dhe futen në tregun e lirë. Liberalizimi i tregut të energjisë është një nga proceset më të rëndësishme që po ndryshon fytyrën e sektorit. Me nisjen e vitit 2025, 2600 të lidhur në tensionin 10 kV dolën në tregun e lirë të energjisë, duke zgjedhur vetë furnizuesin e tyre, teksa ky treg pritet të zgjerohet në 2026-ën, me 2300 biznese të ligjur në tensionin 6 kV.
“Në portofolin aktual kemi rreth 4000 klientë në rrjetin 35, 20 dhe 10 kV dhe presim edhe 2300 klientët e rinj, që dalin në treg të lirë nga 1 janari i vitit 2026 të jenë pjesë e portofolit tonë. Patjetër, pjesa më e madhe e tyre do të jetë sepse ne i garantojmë një çmim stabël përgjatë gjithë vitit të tyre të furnizimit, gjë që i bën ata të marrin masat ekonomike, teknike, financiare për të qenë edhe ata më stabël në bizneset e tyre”, - thotë administratori i Furnizuesit të Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group Albi Gjenerali.
Sipas Gjeneralit, liberalizimi i tregut të energjisë ka sjellë përfitime të ndërsjelljta, si për Furnizuesin e Shërbimit Universal, pjesë e OSHEE Group, ashtu edhe për bizneset që mund të sigurojnë oferta konkurruese.
“Ka qenë shumë pozitive edhe për barrën publike, në kuptimin e Furnizuesit të Shërbimit Universal sepse tashmë këta klientë që le të themi i kanë të gjitha kapacitetet për të siguruar një energji me çmim, mbase edhe më konkurrues se Furnizuesi i Mundësisë së Fundit , nuk janë më barrë e shtetit për t’i furnizuar me anë të shërbimit universal, që është një shërbim që shihet si i domosdoshëm, kritik për të gjithë qytetarët dhe bizneset të vogla dhe të mesme, le të themi”, - thotë Gjenerali.
Liberalizimi i tregut të energjisë po kryhet gradualisht, ku pas klientëve të lidhur në tensonin 35 kV, në tregun e lirë dolën plotësisht klientët e lidhur në rrjetin 20kV duke vijuar me konsumatorët e lidhur në 10kV.
Liberalizimi nuk është vetëm teori. Ai ndryshon mënyrën se si kontraktohet energjia, si publikohen ofertat dhe si mbrohen konsumatorët në tregun e lirë. Për të orientuar këtë treg të ri, është ngritur Platforma e Krahasimit të Çmimeve, një mjet që u jep bizneseve mundësinë të krahasojnë ofertat e furnizuesve në mënyrë transparente, ashtu siç mund të krahasojnë paketat e internetit apo tarifat telefonike. Megjithatë, ofertat në këtë platformë mbeten ende të kufizuara.
Të gjithë furnizuesit e energjisë elektrike kanë detyrimin të publikojnë ofertat e tyre në Platformën e Krahasimit të Çmimeve, të ngritur nga Enti Rregullator i Energjisë. Por, pavarësisht kësaj aktualisht vetëm 6 prej tyre janë bërë pjesë e platformës, ndonëse në total ERE ka licencuar 38 kompani për këtë shërbim. Në total janë 15 oferta të publikuara, pasi kompanitë i kanë ndarë sipas nivelit të tensionit ku janë të lidhur bizneset që mund të kontraktojnë furnizues.
Platforma e ERE është ngritur në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, për të mundësuar marrjen e një informacioni nga ana e klientëve lidhur me çmimet e energjisë elektrike të ofruar nga ana e furnizuesve të ndryshëm. Qëllimi kryesor i saj është pikërisht të ndihmojë klientët në zgjedhjen e furnizuesit të energjisë elektrike në mënyrë transparente, duke iu mundësuar të krahasojnë ofertat e mundshme nga furnizuesit me pakicë të energjisë elektrike.
Tranzicioni i tregut shkon paralel me tranzicionin energjetik. Në njërën anë kemi importe të shtrenjta, në tjetrën projekte të reja për diversifikimin e burimeve. Një nga shembujt është ai i Vaut të Dejës, ku HEC-i historik do të shoqërohet nga një impiant diellor lundrues.
Projekti për ndërtimin e një impianti diellor lundrues për prodhimin e energjisë elektrike në Vaun e Dejës po shkon drejt zbatimit. 4 vite pas krijimit të shoqërisë SENA.
Shoqëria SENA zotërohet nga KESH, ndërsa fokusi kryesor i saj është pikërisht zhvillimi dhe operimi i impiantit fotovoltaik lundrues në Vaun e Dejës. Në këtë kuadër në tetor të vitit të kaluar u nënshkrua kontrata me vlerë 13.86 mln euro për projektimin, ndërtimin dhe operimin e impiantit me bashkimin e 2 kompanive të huaja: Gamma Solution nga Spanja dhe kinezen Sungroë.
Kapaciteti i impiantit lundrues do të jetë 12.97 MWp. Sipas përllogaritjeve, prodhimi i parashikuar në vitin e parë do të arrijë në 18,808 mWh, me një prodhim mesatar prej 17,822 mWh/vit gjatë gjithë jetës së tij. Ndërkaq, sipas KESH edhe pse impiantet fotovoltaikë lundrues konsiderohen ende një teknologji e re, sistemi i ankorimit të impiantit do të sigurojë operim normal edhe me luhatje deri në 15 metra të nivelit të ujit dhe rezistencë ndaj erës maksimale për 50 vitet e ardhshme.
Ndërtimi i impaintit diellor lundrues është një nga projektet e KESH, në kuadër të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Ndërkohë që, një tjetër projekt që avancoi në këtë drejtim gjatë vitit 2025 është edhe impianti diellor në Belsh, me kapacitet 50 mWp. Kuvendi miratoi projektligjin për marrëveshjen e garancisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që i hap rrugë financimit të tij.
“Ky projekt ka për synim që jo vetëm të shtojë prodhimin, por edhe të diversifikojë gjeografinë e gjenerimit të energjisë nga burimet e rinovueshme fotovoltaike, duke patur parasysh që ne i kemi të përmbledhura në zonën e Fierit për shkak se radiancat dhe dielli aty e ofron mundësinë më të mirë për prodhim”, - tha Besjan Kadiu, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Referuar projektit, impianti fotovoltaik prej 50 MWp dhe nënstacioni i lidhur do të ndërtohen në territorin e Bashkisë së Belshit në një hapërisë prej rreth 60 ha, ndërsa një linjë e re rreth 9 km, 110 kV do ta lidhë atë me rrjetin në nënstacionin ekzistues në Kajan, i cili do të zgjerohet si pjesë e projektit.
“Zona e zgjedhur, pozicionuar afërsisht 8 km larg nënstacionit më të afërt, që është nënstacioni i Kajanit, i identifikuar si pika e bashkimit apo si pika e lidhjes me rrjetin e transmetimit”, - tha Kadiu.
Vepra, ka një kosto totale prej 40 mln euro. 30 mln euro do të financohen përmes kredisë së BERZH-it, teksa në prill të këtij viti banka njoftoi se Bordi miratoi kredinë me garanci sovrane. Ndërkaq, projekti pritet të financohet gjithashtu përmes një granti prej 8 milionë euro nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (“WBIF”) dhe pjesa tjetër prej 2 mln euro, përmes një injeksioni të kapitalit nga KESH. Gjenerimi i impiantit në BELSH pritet të përbëjë rreth 1% të prodhimit vjetor kombëtar të energjisë elektrike.
Projektet private për centrale energjetike ecën paralelisht me ato publike. Avancimi i parkut fotovoltaik të Spitallës është një prej tyre.
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurën e licencimit të shoqërisë “Spitalla Solar”, në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik 100 MW, në Spitallë të Durrësit.
Spitalla Solar është degë e shoqërisë “Voltalia Management International B.V” dhe u shpall fituese në mars të vitit 2021, pas një ankandi të zhvilluar ku morën pjesë 5 kompani. Çmimi i ofertuar për blerjen e energjisë ishte 29.89 euro/MW, i konsideruar në atë kohë si tejet i favorshëm. Ky është çmimi me të cilin shteti shqiptar garanton blerjen e energjisë elektrike për një periudhë 15-vjeçare për 70 MW, ndërkohë që 30 MW të tjerë do të mund të tregtohen nga kompania në treg të lirë.
Kompania Voltalia ka ndërtuar edhe parkun fotovoltaik në Karavasta, me një fuqi të instaluar 140 MW, që tashmë ka hyrë në prodhim.
Ndërkaq, Parku i Spitallës do të jetë i dyti më i madh në rang vendi, që ka avancuar me procedurat e licencimit.
Hyrja në prodhim e kësaj vepre energjetike do të jetë një hap i rëndësishëm në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, për shkak të varësisë që vendi ynë ka nga uji.
Përveç energjisë diellore, syrit të investitorëve i është hapur një tjetër horizont: malet e Tropojës, aty ku planifikohet një park i madh i prodhimit të energjisë nga era, në një kohë kur ky burim energjie është i pashfrytëzuar në vendin tonë.
Shoqëria “ERALB INVEST”, që synon të ndërtojë një park të madh eolik në vend, ka paraqitur zyrtarisht aplikimin pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për një impiant me kapacitet të instaluar 603.9 MW.
Sipas interesit të shprehur, projekti pozicionohet në Bashkinë e Tropojës, ndërsa në rast të finalizimit të procedurave nuk do të përfitojë nga masat mbështetëse, pasi nuk është objekt koncesioni. Këtu përfshihet lehtësimi në sigurimin e dokumentacionit, blerje e garantuar e energjisë së prodhuar, etj.
Gjithsesi, kompania synon marrjen e statusit Investitor Strategjik, pasi në dhjetor të vitit 2023 Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi projektin si potencialisht të tillë. Kompania ka aplikuar pranë KIS, për një park të kombinuar eolik dhe fotovoltaik në Tropojë, me një kapacitet total të instaluar prej 826 MW, por aplikimi i fundit i bërë pranë ministrisë i përket vetëm pjesës së centralit që synon të prodhojë energji nga era.
Vlera e investimit të projektit me potencial strategjik përfshirë dhe impiantin diellor parashikohet të jetë 1.2 mld euro, ndërsa synon të realizohet në një sipërfaqe prej 384.6 ha të shtrirë në fshatrat Viçidol, Berishë, Luzhë dhe Paç, në Bashkinë e Tropojës.
Studimet e deritanshme tregojnë se vendi ynë ka kushte të favorshme për zhvillimin e energjisë eolike, por deri më tani nuk ka ende një central që ka hyrë në prodhim.
Paralelisht me projektet e mëdha, energjia e rinovueshme po vjen gjithnjë e më pranë konsumatorëve, përmes vetëprodhimit. Sipas të dhënave zyrtare nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në vitin 2025 u shtuan 1682 vetëprodhues, duke e çuar numrin total në 4097, me një kapacitet total të instaluar prej 398 mWp.
Të dhënat e OSHEE tregojnë se 30% e vetëprodhuesve janë klientë famijarë, ndërsa pjesa tjetër është instaluar nga bizneset, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të autokonsumatorëve të energjisë elektrike. Gjithsesi, në këtë strukturë nuk mungojnë as institucionet shtetërore si bashki, ministri apo institucione arsimore që kanë instaluar panele diellore për gjenerimin e energjisë, si dhe konsumatorë jobuxhetorë, ku përfshihen ujësjellësa, poliklinika apo qendra shëndetësore.
Ndërkaq, sfidë mbetet caktimi i çmimit të energjisë elektrike të prodhuar nga vetëprodhuesit e energjisë. Në rezolutën e fundmit për ERE-n, Parlamenti thekson se pas miratimit të metodologjisë përkatëse nga Këshilli i Ministrave, duhet të merren masat e nevojshme për miratimin në kohë të çmimit të energjisë së gjeneruar nga vetëprodhuesit, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e tregut të energjisë së gjelbër.
Por edhe pse numri i vetëprodhuesve po rritet dhe panelet diellore po shfaqen gjithnjë e më shpesh mbi çatitë e godinave, potenciali i energjisë së rinovueshme duhet të shkojë përtej investimeve individuale sipas ekspertëve, që kërkojnë ngritjen e komuniteteve të energjisë, një model që aktualisht nuk ekziston në vendin tonë.
Shfrytëzimi i mëtejshëm i potencialit që kanë burimet e rinovueshme të energjisë për Shqipërinë është domosdoshmëri, ndërkohë që përshpejtimi i procesit të krijimit të komuniteteve të energjive të rinovueshme është një prej tyre”. Gjatë Tryezës së Rrumbullakët Politike mbi Komunitetet e Energjisë së Rinovueshme në Shqipëri, u vu theksi te avantazhet që ka krijimi i këtyre grupeve.
“Çmimi është një element shumë i rëndësishëm dhe në momentin që energjia vetëprodhohet, patjetër që çmimi është një element tjetër in tregut dhe i mënyrës sesi zhvillohet, por njëkohësisht ana sociale dhe elemetini i varfërisë energjetike është një lloj zgjidhje sepse këto lloj komunitetesh lokale, grupe njerëzish në njëfarë mënyre adresojnë edhe problemet që kanë të bëjnë me varfërinë energjetike. Shumë i rëndëishëm është edhe elementi i kursimit, i fitimit që do të krijohet dhe mënyra e shpërndarjes së tij me komunitetin, duke mbështetur nevojat lokale dhe ky është komponenti i fortë social. Pra, në njëfarë mënyre është një grup që synon për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe të gjithë përfitojnë së bashku”, - u shpreh Valbona Mazreku, drejtore ekzekutive e Milieukontakt.
Aktualisht, këto bashkime energjetike qytetarësh nuk ekzsitojnë në vendin tonë.
“Komunitete të energjive të rinovueshme nuk është se ka në Shqipëri, aq më tepër të regjistruara. Ka tentaitva, por akoma jo të regjistruara. Ndërkohë që, ajo që kemi vënë re, ne jemi duke e përafruar gjithë legjislacionin me Direktivat e Bashkimit Evropian, që kanë të bëjnë me pjesën e energjive të rinovueshme, por aktet nënligjore mbeten ende të paplota duke e bërë të vështirë këtë gjë. Procedurat po ashtu janë të paqarta dhe të ngadalta, të vështira për t’u ndjekur duke kufiuzar kWhstu pjesëmarrjen e konsumatorëve komunitarë, pra njerëzit, bashkimi i komuniteteve. Duket se ka edhe pengesa të tjera strukturore të cilat e vështirësojnë këtë llpoj zbatimi efektiv”, - tha Mazreku.
Një komunitet energjie është një grup njerëzish që bashkohen për të planifikuar, investuar dhe menaxhuar projekte për energjinë e pastër, që nga pjesa e planifikimit teknik, në mënyrën sesi do të bëhet modeli i biznesit, instalimi i teknologjive, por njëkohësisht edhe mirëmbajtja e tyre. Ai u lejon anëtarëe që të marrin në dorë kontrollin e prodhimit dhe të konsumit, duke ofruar edhe një nivel decentralizimi të sistemit të energjisë.
Ndërkohë, ekspertët ngrenë alarmin se përveç nxitjes së investimeve, duhet të mendohet që sot edhe për kontrollin, certifikimin dhe kostot e rikuperimit që vijnë nga rritja e impianteve diellore në vend.
Zhvillimi i shpjetë i energjisë fotovoltaike në vendin tonë duhet të shoqërohet edhe me mekanizma kontrolli, në mënyrë që këto investime të jenë afatgjata, si dhe të sigurohet financimi për riciklimin e paneleve në të ardhmen”. Eksperti i energjive të rinovueshme dhe një nga aktorët më të hershëm të tregut, Elton Çekrezi thotë se në Shqipëri nuk duhet të lejohet futja e produkteve që nuk janë të certifikuara.
“Të jemi të vëmëndshëm dhe të përqëndruar që të kemi disa kontrolle dhe të kemi disa rigorozitete, duke filluar që nga doganat. Në qoftë se s’arrihen te doganat kontrollet e shtuara, që produktet që futen në Shqipëri duhet të jenë minimalisht produkte të tregut të certifikuar evropian dhe kjo do na mundësojë, do të na lehtësojë dhe do të na sigurojë që investimet të jenë afatgjata dhe të sigurta për të ardhmen e fëmijëve tanë”, - thotë Çekrezi.
Po ashtu, sipas tij është e domosdoshme që të vendoset një taksë për çdo panel fotovoltaik, në funksion të riciklimit të këtyre produkteve.
“Vendet evropiane, Italia apo shtete të tjera, që në doganë vjelin një taksë “X” për çdo produkt, për çdo panel fotovoltaik, të cilën e çon në një shportë, ku nesër do subvencionojë apo do mbështesë ato kompani që do riciklojnë këto produkte pas jetës së tyre dhe kjo është një gjë që duhet ta bëjmë jo vetëm te fotovoltaikët, por edhe te bateritë dhe te makinat. E them në disfavor si sipërmarrës, por e them në favor të qytetraëve dhe të fëmijëve tanë”, - thotë ai.
Teksa i referohet shembujve nga vendet evropiane, Çekrezi thotë se masa e taksimit është tejet e ulët, në raport me vlerën e investimit.
“Po ta flasim në terma përqindjeje të investimit, flasim poshtë 1%, flasim poshtë 0.5% që nuk është aq e rëndësishme, por shteti këtë gjë duhet ta vjelë, ta vendosë në arkën e tij, me synimin që të përdoret për riciklimin e këtyre produkteve në fundin e viteve të tyre”, - bën me dije eksperti.
Këto masa, sipas Çekrezit do të sigurojnë që në të ardhmen, centralet diellore të mos jenë një masë e madhe grumbujsh mbeturinash dhe shkatërirme mjedisore. Aktualisht, pesha e energjisë diellore në sistem është rritur me dhjetëra impiante të futur në gjenerim, duke bërë që 6% e prodhimit total të vijë nga ky burim energjie.
Panelet diellore janë edhe pjesë e masave të eficiencës së energjisë, por gjithsesi ndërtesat kërkojnë një revolucion shumë më të madh. Gjatë këtij viti, Shqipëria hyri në një fazë të re reformash për mënyrën se si duhet të ndërtohen dhe rinovohen godinat, duke e vendosur eficiencën e energjisë në qendër të politikave të sektorit.
Strategjia Afatgjatë e Rinovimit të Stokut të Ndërtesave u miratua në mars, konsultimi publik për Planin Kombëtar të Rinovimit u mbyll pak javë më parë, ndërsa projektligji i ri “Për Eficiencën e Energjisë” është në proces konsultimi. Po ashtu, në qershor Kuvendi miratoi ligjin “Për performancën energjetike të ndërtesave”, që vendos standarde më të rrepta për të gjitha ndërtesat ekzistuese dhe të reja.
Këto dokumente e përafrojnë legjislacionin shqiptar me standardet e BE-së dhe vendosin detyrime shumë të forta për rinovimin e godinave publike dhe rezidenciale, standardet teknike të ndërtimeve të reja dhe analizën e kostos optimale, për të shkuar në ndërtesa me konsum minimal ose zero-emetime deri në vitin 2050.
Gjithsesi, ky cikël reformash nuk nis nga zero. Shqipëria miratoi për herë të parë ligjet bazë për eficiencën dhe performancën energjetike të ndërtesave në vitin 2016, duke krijuar kuadrin fillestar për auditimet, certifikimin energjetik dhe masat e kursimit. Por pas gati një dekade, ky kuadër u vlerësua si i pamjaftueshëm për objektivat e rinj evropianë: ligjet e vjetra nuk përfshinin konceptet e ndërtesave gati zero energji, ndërtesave zero-emetime dhe as mekanizmat e detyrueshëm të planifikimit afatgjatë. Zbatimi praktik ishte i kufizuar dhe rinovimet në sektorin publik nuk e ndoqën ritmin e kërkuar, duke bërë që shumë detyrime të mbeteshin vetëm në letër.
Sektori i ndërtesave është konsumatori më i madh i energjisë në vendin tonë. Konsumi mesatar vjetor i energjisë në ndërtesat e banuara arrin në 102.55 kWh/m²/vit, ndjeshëm më i lartë se mesatarja e vendeve të BE-së, që luhatet nga 50 deri në 80 kWh/m²/vit, sipas të dhënave të draft - Planit Kombëtar të Rinovimit. Kjo diferencë tregon qartë potencialin e madh që ka vendi për kursim, ulje kostosh dhe reduktim të emetimeve.
Ndërkohë, detyrimet e reja ritheksojnë qasjen se çdo ndërtesë që rinovohet duhet të synojë performancë energjetike optimale, duke u bazuar në parimin e kostos optimale dhe në një analizë të qartë të kursimeve afatgjata.
Gjithsesi, dokumentet japin një panoramë të plotë të sfidës përpara sa i takon numrit të ndërtesave që duhet të rinovohen.
Sipas Strategjisë Kombëtare për sektorin publik, deri në vitin 2050 duhet të rinovohen rreth 8 200 ndërtesa publike, që përfaqësojnë rreth 6 mln m² sipërfaqe. Në vitin 2023, stoku i ndërtesave publike dominohej nga godinat bashkiake të arsimit, me 3,142 ndërtesa që zënë 36% të sipërfaqes totale. Ato pasohen nga ndërtesat qendrore të shëndetësisë dhe sociale, me 2,438 ndërtesa, por vetëm 9% të sipërfaqes, ndërsa ndërtesat administrative për ministritë dhe agjencitë zënë vendin e tretë, me 2,273 ndërtesa dhe një sipërfaqe prej 33.4% të totalit.
Ndërkaq, për periudhën 2023–2030, sikurse në legjislacionin aktual rikonfirmohen normat e detyrueshme të rinovimit: 3% në vit për ndërtesat qendrore dhe 2% në vit për ndërtesat bashkiake. Këto objektiva janë të përfshira si në Strategji, ashtu edhe në Planin Kombëtar.
Nga ana tjetër, sektori rezidencial përfaqëson volumin më të madh të stokut në vend, me 56 mln m², sipas vlerësimeve për vitin 2023.
Rinovimet e thella të parashikuara në dokumente tregojnë se potenciali i kursimit të energjisë llogaritet deri në 40–55% për rinovim të zakonshëm të thelluar, ndërsa ndërtesat me zero-emetime (ZEB) mund të arrijnë deri në 70–95% ulje të kërkesës për energji. Këto shifra e vendosin efikasitetin energjetik në qendër të politikave të reja të tranzicionit të gjelbër.
Edhe pse dokumentet shihen shpesh si teknike, në thelb ato ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët.
Sipas relacioneve shoqërues: rinovimi i ndërtesave publike synon të ulë kostot operative të institucioneve, ndërsa për familjet, kursimet në faturë mund të jenë të ndjeshme sapo ndërhyrjet të realizohen sipas standardeve.
Për më tepër, përmirësimi i cilësisë së ajrit, komoditeti termik, ndriçimi natyror dhe ventilimi janë elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe produktivitetin e përdoruesve të ndërtesave, të dhëna që janë nënvizuar në strategji dhe relacionet shoqëruese.
Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Shumica e ndërtesave ekzistuese janë ndërtuar para vendosjes së standardeve moderne të efikasitetit energjetik. Një pjesë e tyre janë të amortizuara, të paizoluara, me sisteme ngrohjeje dhe ftohjeje të vjetruara. Financimi, sidomos për familjet me të ardhura të ulëta dhe godinat publike me buxhete të kufizuara, është sfida kryesore e përmendur në të gjitha dokumentet.
Për objektivat e vendosura deri në vitin 2050, nevojat për investime janë shumë të mëdha. Sipas Strategjisë Afatgjatë të Rinovimit të Stokut të Ndërtesave, dekarbonizimi i sektorit të ndërtimit kërkon një total investimesh prej 24 mld euro, deri në vitin 2050. Po ashtu, specifikohet se nga nevojat totale për investime, rreth 69% kërkohen për sektorin rezidencial, 25% për sektorin e shërbimeve komerciale/private dhe rreth 6% për ndërtesat e sektorit publik.
Megjithatë, logjika është e qartë: investimet rikthehen përmes kursimeve. Kursimet e energjisë, ulja e faturave për institucionet dhe familjet, jetëgjatësia më e madhe e ndërtesave të rinovuara, rritja e sigurisë energjetike, ulja e importeve dhe përdorimi më i gjerë i burimeve të rinovueshme duket se justifikojnë kostot e larta.
Përtej kësaj pakete ligjore tejet të rëndësishme, gjatë vitit 2025 ndryshime u propozuan edhe në ligjin bazë të sektorit elektroenergjetik, një dokument tërësisht i ri.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim ndryshimet në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, me qëllim përafrimin me Paketën për Energjinë e Pastër të Bashkimit Evropian. Drafti parashikon reforma të thella në tregun e energjisë, duke reflektuar një model të ri ku konsumatori vendoset në qendër të sistemit.
Kjo nismë vjen si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë si palë kontraktuese e Komunitetit të Energjisë dhe përmbush kërkesat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis-n e BE-së.
Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, kuadri ligjor ekzistues nuk i përmbush më kërkesat e tregut modern të energjisë. Mungesa e stimujve për investime në prodhimin e decentralizuar, pengesat për tregtinë ndërkufitare dhe një kornizë e dobët për mbrojtjen e konsumatorit janë disa prej boshllëqeve që synohet të adresohen.
“Ndryshimet synojnë të sigurojnë çmime dhe kosto të përballueshme, transparente të energjisë për konsumatorët, një shkallë të lartë sigurie furnizimi dhe një tranzicion të qetë drejt një sistemi të qëndrueshëm energjie me karbon të ulët”, - thuhet ndër të tjera në relacion.
Projektligji parashikon mbështetje për modele të reja biznesi, si ndarja direkte e energjisë midis qytetarëve apo përfshirja e agregatorëve, ndërsa garanton ruajtjen e çmimeve të rregulluara për klientët në nevojë.
Një tjetër risi është promovimi i pjesëmarrësve të rinj në treg, si komunitetet e energjisë dhe operatorët e depozitimit, si dhe zbatimi i sistemeve të matjes inteligjente.
Me këtë reformë, Shqipëria synon të krijojë një treg të brendshëm të ndërlidhur, transparent dhe konkurrues të energjisë elektrike, me çmime të përballueshme dhe furnizim të qëndrueshëm, ndërsa i hap rrugë tranzicionit drejt një ekonomie me karbon të ulët.
Si është mbyllur ky vit për valutat kryesore?
Dollari amerikan pas rënie të vazhdueshme që pësoi përgjatë kësaj jave e ka mbyllur këtë vit pozitivisht duke shënuar rritje teksa është blerë sot me 81.3......
Sa do të ulen komisionet e terminaleve POS në 2026? - Brumbulli: Do të ndjekim modelin e vendeve të BE. 0.2% për kartat e debitit, 0.3% kreditit
Gjatë 2026 pritet të ulen ndjeshëm komisionet që bankat u mbajnë bizneseve kur këto të fundit pranojnë pagesa me kartë në terminalet POS nga qytetarët. Në......
Pronarët marrin kompensimin financiar - Ministri i Drejtësisë: Për mbi 13 mijë familje paratë kalojnë në llogari bankare
Mbi 13 mijë familje do të marrin kompensimin financiar për pronat e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Në një videomesazh ministri i Drejtësisë,......
Meksika do të rrisë tarifat ndaj Kinës - Presidentja Sheinbaum: Synojmë të rrisim prodhimin vendas
Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të Meksikës për importet nga vendet kryesisht aziatike do të hyjnë në fuqi të enjten, në një veprim që do ta afrojë Meksikën......
FED do të ulë normat e interesit në 2026-ën - Pritet të shihet ecuria e ekonomisë amerikane
Rezerva Federale në SHBA po sinjalizon se do të ketë ulje të mëtejshme të normave të interesit, por së pari do të pezullojë uljet e njëpasnjëshme për t'u......
Trump pritet të zgjedhë shefin e ri të FED - Kërcënon sërish Powell, pritet ta shkarkojë në janar
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi do të emërojë një kryetar të ri të Rezervës Federale gjatë janarit, ndërsa shtoi se po shqyrton ngritjen e një......
Si do të funksionojë skema e shtesave mujore të pensioneve - Zbardhen detajet e vendimit dhe kategoritë përfituese
Nga 1 janari 2026, mijëra pensionistë në vend do të përfitojnë lekë shtesë mbi pensionin. Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, shtesat variojnë nga 600......
Nënstacion i ri elektrik në Tiranë - OST hap garën, synohet rritja e efikasitetit energjetik
Operatorit i Sistemit të Transmetimit ka shpallur hapjen e garës për ndërtimin e nënstacionit të ri 220/110 kV Traktora, me një fond limit prej 916 milion e......



