Analiza Postuar më 12 Maj 2026, 11:56

Pse qumështi na kushton shumë? Fermat e vogla/ Një lopë në BE prodhon 2.5 herë më shumë se në Shqipëri

Nga Xhorxhina Deda

Pse qumështi na kushton shumë?  Fermat e vogla/ Një lopë

Integrimi europian i Shqipërisë do të kërkojë standarde më të larta në sigurinë ushqimore, gjurmueshmëri, higjienë dhe cilësi të lëndës së parë. Për sektorin e qumështit kjo është një domosdoshmëri. Por të dhënat tregojnë se sfida kryesore nuk lidhet vetëm me përafrimin teknik me standardet e Bashkimit Europian, por edhe me aftësinë ekonomike të fermerëve dhe industrisë përpunuese për t’i përballuar këto standarde.

Në pesë vitet e fundit, baza blegtorale e vendit është tkurrur ndjeshëm. Sipas të dhënave të INSTAT numri i gjedhëve ra nga 363 mijë krerë në vitin 2020 në 272 mijë në vitin 2024, një rënie prej rreth 25%. Edhe më domethënëse është rënia e numrit të lopëve, nga 290 mijë në vitin 2020 në 224 mijë në vitin 2024. Kjo do të thotë se vendi ka humbur rreth 66 mijë lopë në pesë vite, ose gati 23%.

Në vitin 2024, Shqipëria prodhoi gjithsej 877 mijë tonë qumësht. Pjesa më e madhe erdhi nga qumështi i lopës, ndërsa qumështi i deles dhe dhisë përbënin pjesën tjetër. Qarqet me prodhimin më të lartë ishin Fieri, Korça, Tirana dhe Vlora. Këto të dhëna tregojnë se prodhimi është i përqendruar në disa zona, por edhe se varësia nga qumështi i lopës mbetet dominuese.

Megjithatë, problemi kryesor nuk është vetëm sa prodhohet, por sa efikas është prodhimi. Rendimenti mesatar i qumështit në Shqipëri në vitin 2024 ishte 3,216 kilogramë për lopë në vit. Në Bashkimin Europian, rendimenti mesatar arriti në 8,120 kilogramë për lopë. Kjo do të thotë se një lopë në BE prodhon mesatarisht rreth 2.5 herë më shumë qumësht se një lopë në Shqipëri.

Si mesatare kombëtare, rendimentet vjetore të dukshme ishin më të lartat në Estoni dhe Danimarkë dhe më të ulëtat në Bullgari dhe Rumani. Ndër vendet kryesore prodhuese të qumështit të lopëve të BE-së, rendimentet e dukshme ishin mbi mesataren e BE-së në Holandë dhe Gjermani, të ngjashme me mesataren e BE-së në Poloni, por pak nën mesataren në Francë dhe Itali.

Ky është dallimi themelor ekonomik. Fermeri europian ka më shumë prodhim për krerë, ferma më të mëdha, teknologji më të avancuar dhe ekonomi shkalle. Kostot fikse, si ushqimi, energjia, puna, veterineria, pajisjet dhe ftohja, shpërndahen në më shumë litra qumësht. Në Shqipëri ndodh e kundërta: prodhimi më i ulët për krerë e rrit koston për litër dhe e bën fermerin më të ekspozuar ndaj çdo rritjeje çmimesh.

Të dhënat për çmimet tregojnë një tjetër element të rëndësishëm. Indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore për qumështin, me bazë vitin 2015, arriti në 177.2 në vitin 2024. Për qumështin e lopës, indeksi ishte 170.9. Kjo tregon se çmimet e prodhimit janë shumë më të larta se një dekadë më parë, edhe pse në vitin 2024 pati një ulje të lehtë vjetore prej 0.9% për qumështin në total dhe 1.1% për qumështin e lopës.

Në këtë pikë, sfida për fermerin shqiptar bëhet më e qartë: edhe nëse çmimi nuk rritet më tej, kostot strukturore mbeten të larta për shkak të rendimentit të ulët dhe madhësisë së vogël të fermës.

Nëse kostoja e përafrimit me standardet bie vetëm mbi fermerin dhe përpunuesin, rreziku është që një pjesë e tyre të mos e përballojnë dot. Fermerët e vegjël mund të dalin nga tregu, ndërsa përpunuesit mund të rrisin varësinë nga lënda e parë e importuar.

Të dhënat e importit e përforcojnë këtë shqetësim. Importet në kapitullin “produkte bulmetore, vezë dhe mjaltë” u rritën nga 31.3 milionë kilogramë në vitin 2023 në 35.4 milionë kilogramë në vitin 2024 dhe 36.8 milionë kilogramë në vitin 2025. Në vlerë, importet u rritën nga 6.27 miliardë lekë në vitin 2023 në 6.8 miliardë lekë në vitin 2024 dhe 7.74 miliardë lekë në vitin 2025.

Edhe pse mungojnë të dhëna të plota publike për koston reale të prodhimit të një litri qumësht në Shqipëri dhe për një krahasim të drejtpërdrejtë me BE-në, treguesit e rendimentit dhe strukturës së fermave japin një sinjal të qartë: fermeri shqiptar prodhon më pak qumësht për krerë dhe për rrjedhojë ka më pak mundësi të shpërndajë kostot fikse në volum të madh prodhimi.

Emigracioni dhe plakja e popullsisë kanë ulur numrin e familjeve që merren me blegtori, sidomos në zonat rurale, duke tkurrur bazën prodhuese të vendit. Në të njëjtën kohë, mungesa e fuqisë punëtore dhe braktisja e fermave të vogla e bëjnë më të vështirë ruajtjen e prodhimit vendas. Kjo do të thotë se sektori po përballet jo vetëm me presion ekonomik, mungesë subvencionesh dhe konkurrencë nga importi, por edhe me një problem demografik që po redukton gradualisht kapacitetin prodhues të blegtorisë shqiptare.

Pse qumështi na kushton shumë?  Fermat e vogla/ Një lopë

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat