Bota Postuar më 6 Janar 2023, 12:16

Rihapja e Kinës rrit çmimin e naftës - Optimizmi në tregje shtohet edhe nga masat stimuluese për sektorin e pronave

Nga SCAN TV
Rihapja e Kinës rrit çmimin e naftës - Optimizmi në tregje

Çmimi i naftës u rrit deri në 1 dollar të Premten, duke zgjatur fitimet nga sesioni i mëparshëm. Kjo mbështetur nga shpresat për një rritje të kërkesës në Kinë, si dhe pasi të dhënat treguan ulje të inventarëve të karburantit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas një stuhie të acartë që goditi vendin në fund të vitit.

Kontratat e së ardhmes së naftës Brent ishin 1%, më të larta në 79.44 dollarë për fuçi. Furnizimet e naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor u rritën me 74 cent, në 74.41 dollarë për fuçi.

Sipas analistëve, optimizmi i rihapjes së Kinës, veçanërisht masat e mëtejshme stimuluese për të nxitur sektorin e pronave janë faktori kryesor për rritjen e çmimit të naftës, që ka përmirësuar perspektivën e kërkesës.

Kina njoftoi më shumë masa mbështetëse shtetërore, duke përfshirë krijimin e një mekanizmi dinamik rregullues në normat e kredive për blerësit e shtëpive për herë të parë, në një përpjekje për të nxitur sektorin e saj të pronave me borxhe të larta, që përbën një të katërtën e ekonomisë së vendit.

Numri i përgjithshëm i pasagjerëve që do të udhëtojnë gjatë Vitit të Ri Hënor pritet të arrijë në 2.1 miliardë këtë vit, sipas zyrtarëve të transportit, sa dyfishi i 1.05 miliard në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fluturimet ditore të pasagjerëve të planifikuara gjatë sezonit të festave që fillojnë të shtunën janë mesatarisht 73% të niveleve para pandemisë në 2019.

Kina, importuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar, i ka dhënë fund politikës së saj të rreptë zero-COVID, pavarësisht një rritjeje të infeksioneve në të gjithë vendin.

Në SHBA, të dhënat nga Administrata e Informacionit të Energjisë, treguan se inventarët e distilimeve, ranë më shumë se sa pritej në javën deri më 30 dhjetor. Ndërkohë, rezervat e benzinës në SHBA ranë me 346 mijë fuçi javën e kaluar.

Dorina Kurtaj / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat