Shqipëria Postuar më 24 Tetor 2023, 14:22

Refuzohet rritja e tarifave të ujit për 3 shoqëri - Vendimet e ERRU, ende në shqyrtim kërkesat nga Durrsi, Fieri, Lezha e Vlora

Nga SCAN TV

Enti Rregullator i Ujit ka rrëzuar kërkesën e 3 shoqërive rajonale për rritjen e tarifave të ujit. Shoqëritë e Shkodrës, Beratit dhe Elbasanit, që mbulojnë një total prej 16 qytetesh aplikuan së fundmi pranë ERRU për ndryshim tarifash, por kërkesa e tyre është rrëzuar për shkak të mospërmbushjes së kritereve.

Për shoqërinë e Shkodrës, që përfshin edhe Vaun e Dejës, Malësinë e Madhe, Pukën dhe Fushë-Arrzin shkak për rrëzimin është bërë mungesa e licencës për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura nga ERRU, që është kusht për aplikim për nivel të ri tarifor.

Për shoqërinë e Beratit, që përfshin edhe Kuçovën, Dimalin, Poliçanin dhe Skraparin shkak për rrëzimin e kërkesës për nivel të ri tarifash është bërë mungesa e një sërë dokumentesh në dosjen e aplikimit. Për të njëjtën arsye është rrëzuar edhe kërkesa e Shoqërisë Rajonale Elbasan që mbulon me shërbim edhe Peqinin, Bleshin, Cerrikun, Librazhd dhe Gramsh.

Ndërkaq, ende nuk ka vendim për aplikimet e bëra nga shoqëritë rajonale të Durrësit, Fierit dhe Lezhës, që përfshijnë një total prej 12 qytetesh. TV SCAN ka raportuar ekskluzivisht më herët se paralelisht me këto shoqëri rajonale ka aplikuar edhe shoqëria e ujësjellës –kanalizime Vlorë, që aktualisht operon si e vetme, duke e çuar në 13 numrin e qyteteve për të cilët kërkohet rritje e çmimit të ujit.

Më herët, përfaqësues të ERRU-së, thanë për TV SCAN se “do të duhet kohë që Komisioni Kombëtar Rregullator të shqyrtojë dosjet e aplikimeve për të vendosur më tej nëse duhet të nisë analiza mbi propozimet për ndryshim tarife që kanë bërë shoqëritë”.

Ola Mitre / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat